Pyetësori i Prustit/ Hajriz Sejdiu: Adhuroj ata që jetojnë thjeshtësinë e përditshme si një art të heshtur…

hajriz sejdiu

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtari Hajriz Sejdiu

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?        

Lumturia e përkryer është një vezullim i përkohshëm, një ndriçim i shpirtit mes hijesh dhe dritash, që na kujton përjetimin e jetës përtej kohës dhe peshës së saj.

Cila është frika juaj më e madhe?

Frika ime më e madhe është hija që bie mbi të pambrojturit, një stuhi e paftuar, jo vetëm prej luftës, por edhe nga heshtja e ftohtë e elitave, që i lenë në harresë mes pluhurit të kohës.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?          

Më së shumti adhuroj ata që jetojnë thjeshtësinë e përditshme si një art të heshtur – ata që ecin brenda kufijve të tyre, të paprekur nga zhurmat e thashethemeve, stresit urban dhe nga garat e kota për gjëra që kurrë s’do t’u përkasin. I adhuroj edhe ata që mbajnë në zemër paqen e vetes dhe bukurinë e të qenit të zakonshëm.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?    

Nuk dëshiroj të identifikohem me asnjë personalitet historik, sepse historia, shpeshherë, është një pëlhurë e endur nga duar të panjohura, me fije lavdie dhe harrese, ku e vërteta dhe miti ndërthuren si dritë dhe hije. Nuk i besoj gjykimeve që kalojnë përmes prizmit të kohës dhe interesave – secili person mbetet më shumë se ç’thotë historia për të.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Tipari im që nuk më pëlqen është ajo përkulja e brendshme përballë mendimeve të mia – një mungesë këmbëngulësie që lind nga pyetja e pandërprerë: “E nëse jam gabim?” Është një vallëzim mes dyshimit dhe të vërtetës, ku shpesh hezitoj të bëj hapin përfundimtar.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?   

Tipari që nuk e pëlqej tek të tjerët është kokëfortësia e verbër që ngul këmbë se jo vetëm që kanë të drejtë, por përfaqësojnë vetë të vërtetën – një siguri e ashpër që shndërrohet në mur të pakalueshëm mes tyre dhe dritës së dyshimit.

Në cilat gjëra e teproni? 

E teproj me përulësinë e cila më mbulon me një pelerinë të heshtur që shpesh fsheh më shumë sesa duhet dhe më lë të padukshëm atje ku ndoshta duhet të kisha guxuar të dukem.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit? 

Do të gënjeja vetëm për një të mirë të përgjithshme, si një shpresë që ndrit mes errësirës, ose për të shpëtuar një mik, një shpirt të pambrojtur, që ndoshta nuk mund të mbijetojë pa një gënjeshtër të butë që e mbron nga e vërteta e egër.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Rrugëtimi im i preferuar është ai që kalon përmes sakrificave, rënieve dhe ngritjeve, një udhë që shkrin dhimbjen në kujtime të bukura, ku çdo hap mbart peshën e një mësimi të rëndësishëm dhe çdo rënie është një shenjë e fuqisë për të vazhduar.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti? 

Primitivizmi dhe mediokriteti janë pronarët e shoqërisë sonë, që e mbajnë të kapur, duke e sjellur nëpër labirintin e gabimeve të njëjta.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Pendesa ime më e thellë lidhet me atë ditë fëmijërie kur një zog i vogël ra viktimë e një akti të pamenduar. Ai çast më mësoi se edhe veprimet më të vogla mund të thyejnë një ekuilibër të përhershëm.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Dashuria ime më e madhe e jetës është paqja me vetveten, harmonia dhe mirëkuptimi për të tjerët. Çdo ditë është një akt dashurie, çdo natë një kujtim i ngrohtë dhe nostalgjik. Dashuria është gjithçka që na rrethon; mjafton ta shohim, ta ndjejmë dhe ta shpërndajmë në çdo hap që bëjmë.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Gjendja ime momentale mendore është si një qoshe e kequrbanizuar e qytetit, ku stresi individual dhe kolektiv ngrihen si mure të larta në një botë kaotike, ku çdo vlerë njerëzore dhe empatike është zbehur. Këtu, e keqja mbizotëron, konsumerizmi është mbret dhe dukja formale mbulon thelbin e asaj që realisht duhej të ishte.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?                     

Nëse do të kisha mundësinë të ndryshoja vetëm një gjë tek vetvetja, do të ishte butësia dhe ndjeshmëria ime, duke i dhënë pak më shumë ftohje dhe forcë, një prekje të nevojshme agresiviteti, për të mbrojtur veten në një botë që shpesh është e pamëshirshme.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe? 

Ende nuk kam krijuar asgjë që mund ta quaj arritje dhe dyshoj se do të kem ndonjë kulminacion të madh, pavarësisht përpjekjeve që ndriçojnë rrugën time si dritë e largët e pakapshme.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Do të isha i lumtur ta ktheja kohën vetëm sa për ta ndryshuar atë, duke ia lënë përmirësimin në duar asaj, por edhe sikur ta ktheja kohën, veten nuk do ta ndryshoja.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?  

Do të dëshiroja të rikthehesha si një kafshë e egër malesh e fortë dhe krenare, jo nga ato të dobëta, por një shpirt i lirë që sfidon erërat dhe hijet e pyllit.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?  

Gjëja ime më e shtrenjtë është dëshira dhe vullneti për të lexuar dhe për të njohur veten.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Mjerimi më i madh është primitivizmi dhe injoranca, që shuajnë dritën e mendjes dhe pengojnë evolucionin e shpirtit.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Dëshira ime më e madhe është të jetoj në fshatin tim të lindjes, nën hijen e malit, në një kasolle druri, ku natyra është ende e pastër dhe koha duket sikur ndalet.

Cila është cilësia juaj më e veçantë? 

Cilësia ime më e veçantë është empatia, aftësia për të ndjerë dhe kuptuar dhimbjen dhe gëzimin e të tjerëve, duke krijuar lidhje të thella me botën që më rrethon.

Çfarë vlerësoni tek një burrë? 

Tek një burrë vlerësoj mendjen e mprehtë për të gjykuar me drejtësi dhe fuqinë fizike për të mbrojtur të dobëtit, duke përdorur forcën e tij jo për të shtypur, por për të mbështetur dhe udhëhequr drejt së mirës.

Çfarë vlerësoni tek një grua? 

 Tek një grua vlerësoj bukurinë shpirtërore, atë dritë të brendshme që rrezaton pa kërkuar vëmendje dhe forcën e saj për të ndikuar në botën që e rrethon me mirësi dhe dashuri.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Shkrimtari im i preferuar është Juan Rulfo, i cili me stilin e tij të thellë dhe atmosferën e errët magjike, krijon botëra që prekin thellë shpirtin dhe pasqyrojnë ngjarje të dhimbshme dhe të mrekullueshme.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Heronjtë e mi në jetën e vërtetë janë zjarrfikësit, ata që sakrifikojnë gjithçka për të shpëtuar jetërat e të tjerëve, duke u përballur me rreziqe dhe përballuar pasiguri, për të ruajtur shpresën dhe jetën në momentet më të errëta.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Do të dëshiroja të kisha talentin për të mësuar të lexoj në mënyra të pafundme, për të zbuluar botë të reja dhe për të kuptuar thellësisht çdo fjalë dhe çdo histori.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Do të dëshiroja të vdisja në ulësen prej druri në oborr, ose i shtrirë në barin kodrinor të kasollës sime prej druri në fshat, mes natyrës që më rrethon dhe pa ndierë më shumë se një heshtje të qetë që lidhet me të gjitha momentet e jetës sime.

Cila është motoja juaj?

Motoja ime është: Jeta është shumë e shkurtër për ta jetuar dhe njohur, prandaj çdo çast duhet shijuar dhe kuptuar thellësisht.

ObserverKult

Lexo edhe:

Pyetësori i Prustit/ Bashkim Hoxha: Një artist pa talent është i dëmshëm!