Rekomandime leximi nga Neviana Shehi

Në rubrikën Rekomandime leximi, mysafire e ObserverKult është shkrimtarja, Neviana ShehiJa cilat janë librat që Shehi u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

————-

Libri padyshim se është një dritare që na mundëson të kuptojmë më mirë botën dhe veten. I madhi Horhe Luis Borhes konsideronte se libri është instrumenti më mahnitës i njeriut. Por, pati shtuar ai, libri nuk është asgjë nëse nuk e hapim. Nëse e lexojmë, ndodh diçka e çuditshme… ai ndryshon vazhdimisht… Lexuesit e pasurojnë librin. Pikërisht Borhesi ka dëshmuar se erudicioni është forma moderne e fantastikës, duke thënë: “le të mburren tjerët me faqet që kanë shkruar, unë krenohem për ato që kam lexuar”.

Nga Neviana Shehi

Dhe vërtet, të gjithë ata që lexojnë, duhet të krenohen, sepse një libër i lexuar, është si një pikturë e varur në muzeun e shpirtit.
Janë me dhjetëra e dhjetëra, mbase edhe më shumë libra që do t’i kisha rekomanduar për lexim, pavarësisht se shijet individuale ndonjëherë nuk përkojnë me ato të të tjerëve. Por, gjithmonë ekziston diçka në këto shije që është e njëjtë te të gjithë, diçka që të cyt të mendosh se ku janë kufijtë e fuqisë shpirtërore, e cila njerëzimit i ka dhuruar libra, magjia e të cilave e ka bërë njeriun të depërtojë nëpër labirinte të çuditshme.

Tom Kuka: “I rënë nga qielli”

Tom Kuka, përkatësisht Enkel Demi, padyshim se në dhjetëvjeçarin e fundit na ka sjellë romane cilësore, duke u bërë një nga autorët më të kërkuar. Romani i tij i fundit, “I rënë nga qielli”, ka të bëjë me ngjarjet e vitit 1997, të cilat shënuan një nga tragjeditë më kobzeza të historisë së shteti shqiptar. Kur lexon këtë roman, atëherë, ata që kanë qenë dëshmitarë të këtyre ngjarjeve, thjeshtë stepen përballë rrëfimit mjeshtëror të Tom Kukës. Pra bëhet fjalë për një libër që, siç theksohet shpesh, lexohet me një frymë, sepse gërshetimi i situatave dhe personazheve, krijojnë dramën e cila thjeshtë të rrëmben dhe të mban deri në pikën e faqes së fundit.

Vera Bekteshi: “Vila me dy porta”

Një roman dokumentar autobiografik që përshkruan tronditjet gjatë periudhës se komunizmit. E veçoj këtë libër, sepse dorën e diktaturës, ndonëse në moshë të re, e kam ndjerë edhe unë, por edhe familja ime. Përjetimi i kalvarit të internimeve, nëpër të cilën kaloi edhe Vera, në fakt është përjetim i mijëra e mijëra individëve, të cilëve diktatura komuniste jetën ua bëri thjesht ferr. Sado që thuhet se koha i shëron plagët, megjithatë ajo periudhë është pak e besueshme se do të mund të shlyhet nga memoria kolektive. Mbi të gjitha, kjo e keqe duhet të na shërbejë si një mësim i rëndësishëm për qenien tonë kombëtare. Vera me romanin e saj na tregon se shpresa jo gjithmonë vdes e fundit, se një ditë, pavarësisht bindjes se ajo ka humbur, megjithatë liria e gjen rrugën e kthimit.

Dino Buzzati: Kryeveprat

Meqë prej vitesh jetoj në Itali është shumë e natyrshme që kryeveprat e letërsisë italiane t’i lexoj në origjinal. Është e njohur se shkrimtarët italianë i kanë dhënë shumë letërsisë botërore, duke filluar që nga Rilindja italiane, e cila është një nga epokat më të rëndësishme në historinë e artit, kulturës dhe shkencës në Evropë, e që filloi në shekullin XIV dhe zgjati deri në shekullin XVI.
Ungareti, Quasimodo, Pirandello, Montale, Pasolini, Moravia, Eko, Pavese, Kalvino, Buzzati janë emra që kanë lënë gjurmë të thella jo vetëm në letërsinë italiane, por edhe më gjerë, duke u përkthyer në shumë gjuhë, përfshi edhe gjuhën shqipe.
Do të veçoja Dino Buzzatin, përkatësisht librin e tij KRYEVEPRAT, në të cilin janë përfshirë romanet “Një dashuri” (në përkthim të Dritan Çelës), “Shkretëtira e Tartarëve” (po kështu në përkthim të Dritan Çelës) dhe gjashtëdhjetë tregime tjera (të përkthyera nga Hasan S. Bregu). Bëhet fjalë për një përzgjedhje shumë të mirë. Buzzati është mjeshtër, sidomos i tregimit të shkurtër, i cili, duke përdorur magjinë, satirën dhe ironinë krijon situata të çuditshme. Libri KRYEVEPRAT është voluminoz (rreth 1000 faqe), por ia vlen të lexohet ndonjë nga tregimet dhe pastaj do të konstatoni se sa të pakta janë 1000 faqe.

ObserverKult


Lexo edhe:

“VETMITË DHE TË TJERAT…” POEZI NGA NEVIANA SHEHI