
Molla
Glob i kuq i mëkatit.
Frut që e zbulon pafajësinë
në humbje e sipër.
Në çdo kafshim dëgjohet Adami.
Dardha
Mish i butë që thyhet në duar
si zemër e pambrojtur.
Ëmbëlsia e saj,
gjithmonë më e shkurtër se uria.
Dardha e kujtimeve
Në kujtimet e pleqve,
ka gjithmonë një dardhë
në oborrin e shtëpisë së fëmijërisë.
Rritet vetëm në mendje.
Dardha e oborrit
Rritet pranë shtëpisë
si motër e thjeshtë e njeriut.
Degët i përkulen deri në dritare,
si të trokiste për t’u futur brenda.
Mani i zogjve
Shpendët e mbushin me zhurmë.
Çdo degë e tij, tryezë qiellore për ta.
Ulliri i vetmuar
Në mes të arës, me rrënjë të thella,
kot duket i mjerë.
Nuk ka nevojë për askënd:
toka e ushqen, koha e nderon.
Ulliri i shenjtë
Pranë kishave e manastireve
qëndron gjithmonë.
Nuk e njeh vdekjen sezonale.
Është pemë e heshtjes,
altar i gjelbër që nuk digjet kurrë.
Lisi i vetmuar në arë
Ngjan si prift që bekon të korrat.
Degët e tij hapen si duar,
që luten për shi.
Lisi i varreve
Rrënjët e tij hyjnë në tokë
ku pushojnë gjyshërit.
Është rojtar i heshtjes,
kryq i gjelbër
i përhershëm.
Plepi i fëmijërisë
Fëmijët e ngjisin, thyejnë degë,
Ai një ditë rritet…
Në kujtesë u mbetet –
kullë e parë e guximit.
Plepi i erës
Çdo frymë e tund, por nuk e rrëzon.
Është valltar i detyruar i qiellit.
Rreshti i plepave buzë rrugës
Ngrohen si kufij të padukshëm
midis fshatit dhe botës.
Udhëtarët i shohin nga larg
gardistëtët e parë të mirëseardhjes.
Plepat e varrezës
Në heshtjen e kodrës,
ata këndojnë çdo mëngjes me gjethe
psalme të gjelbra për të vdekurit.
Prishtinë, 28 shtator 2025
ObserverKult
Lexo edhe:






