
Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtari, Eduard Frrokaj:
Cila eshtë ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
– Është paksa paradoksale por gjithmonë ka pas dilema mbi lumturinë e përkryer, edhe më të pasurit në fund kanë përfunduar pa lumturi të përkryer, do e mendoja të lumtur jetën në një shtëpi të thjeshtë me pamje nga bjeshka me borë, me të ardhura të mjaftueshme sa me jetue, pa shumë brenga, me kafe dhe cigare duke e shikuar bjeshkën dhe duke shkruar…
Cila është frika juaj më e madhe?
-Një kohë si nxënës i shkollës së mesme kam pas frikë se mund të mbetem pa atdhe, frikë që iku me ikjen e njerëzve më të dashur në varreza masive, i vranë në shkatërrimin barbar të Gjakovës… Njeriu ka frikë nga dashuria, dhembja, pikëllimi. Ndoshta sot kam frikë ta mendoj frikën më të madhe. Kam frikë nga vetmia, nga nata si paralele poetike, nga hipokrizia. Nga dikush në anën tjetër të rrugës që nuk e dinë ç’është frika …
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Për momentin e admiroj presidentin e Ukrainës- Zelenskin, ka disa vite luftë atje dhe ai po bënë luftë, politikë, diplomaci në një agresion të madh, po tenton të mos e humb atdheun i sfiduar nga një superfuqi. Në mes janë mijëra viktima. Dëshmia e tij është sa e madhe është dashuria për vendin, atdheun …
Cilin është personaliteti historik me të cilin do të donit të identifikoheshit?
-Padyshim Ibrahim Rugova, ai ka hyrë në histori si udheheqës i një populli me histori të destinuar për varreza masive, mendoj se politika e tij ka bërë mrekulli, e ka shpëtuar etninë tonë nga asgjësimi, të mos harrojmë në epokën e Rugovës ne kemi mundur të pësojmë shumë keq, ka plot kombe të asgjësuara dhe ka plot kombe që nuk arrijnë të fitojnë lirinë, në tërë këtë kaos Rugova ishte njëlloj profeti i lirisë. Ai edhe kur ishim të rrethuar përballë vdekjes së parashkruar kërkonte pavarësi. I palëkundur dhe i vendosur, mendoj se lufta e armatosur është ana tjetër e medaljes. Historia dëshmon se Rugova dhe lufta jonë për liri janë dy anë të medaljes që e kompletojnë njëra-tjetrën. Përpjekja me e vendos Rugovën dhe luftën në anë të kundërshtimit është gabim, në një analizë të ftohtë historike koncepti i Rugovës për paqe dhe koncepti i luftës si të fundit në ish-Jugosllavi e kanë shpëtuar Kosovën…
Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?
-Mendoj shumë mbi humanen, mbi njerëzoren, duke qenë se nuk kam as shkop magjik as shkop biblik shpesh zhgënjehem dhe pikëllohem.
Cili është tipari që nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Fytyra e Judës nuk më pëlqen tek të tjerët, ata që e shtiren dhe të puthin me tradhti si Juda. Në këtë kohë nuk janë pak më fytyrë të Judës janë në rresht për t’u turpënuar…
Me cilat gjëra e teproni?
-Me besimin e tepruar në njerëz, nga ajo që besoj mund të më mashtrosh. Befasia këtu nuk jam unë por mashtruesi si është e mundur ta mbaj atë fytyrë të përvujtun si të marrë çmimin Nobel për paqe duke mashtruar…
Çfarë do të ju shtynit të gënjeni?
Diçka madhore, dicka shumë problematike, po të dija se mund të vritet njeriu,do të ishte gënjeshtër nga dashuria e madhe për njerëzoren, për humanen, për me e shpëtuar të mirën, besoj se edhe roja në portën e ferrit këtë gënjeshtër e falë dhe nuk e sanksionon …
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Kohëve të fundit është i thjeshtë, nëpër natyrën e Junikut kësaj qyteze të kullave dhe fiseve, i ka disa rrugë tradicionale, Moronicën, disa pamje fisnore shqiptare me kullat dhe me malet që të duken si në Alpe të Austrisë. Nga aty bjen në Meje ku kryqëzohesh para vdekjes së madhe dhe del në Gjakovë. Në Gjakovë ke kohë më mendue për rrugëtimin dhe ëndrrat me kulla… Më ka pëlqyer edhe udhëtimi klasik si në një ëndërr të harruar në fshatrat e Lucernit.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Besoj se po … Është një frazë me dy kuptime, vetë jeta na ka mësuar me besuar se po, me këtë nuk e zhgënjen veten as folësin. Beson se po, s’ka mundësi për padi as në gjykatë, diçka relative…
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Besimi i tepruar është zhgënjim i madh, vërtet jam penduar si kam mundur të kem kaq shumë besim në qenien më perfekte njerezore të destinuar për mashtrim, jam penduar më pas për këtë që e kam bërë duke besuar, si qenie e brishtë mendoj se ende nuk kam mësuar, kjo më duket keq por ka dy kuptime dikush mund të mendoj se është mirë…
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Fëmijët në përgjithësi, fëmijët padyshim. Kur ka qenë djali im Joni fëmijë më dukej i mahnitshëm, por edhe fëmijët tjerë më duken të dashur me botën e tyre të pafajshme E kam një dashuri që mundem me u thye para fëmijëve…
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-E qetë, duke e përcjell mjegullën në pritje të diellit, nganjëherë ngarkohem si është e mundur ky njeriu ynë nuk e kupton si e kemi kaluar ylberin kemi dalur nga historia e varrezave masive në liri… Më duket se e kemi kaluar këtë histori pa analizuar mirë nëpër çfarë drame të madhe historike kemi kaluar…
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshoni vetëm një gjë tek vetvetja cila do të ishte ajo?
-Kam qenë futbollist i mirë, pasi e kam lënë futbollin nuk ka pas nevojë ta zëmë për autogola…
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Shkrimin dhe mendimin, kam shkruar edhe kur nuk kam botuar, kam shkruar edhe në gazeta duke u marrë me politikën e Kosovës, ky ka qenë një torturim prej Krishti, të arritur e mendoj të shkruaj dhe mendoj,nuk mund të shkruaj pa kafe dhe cigare, me këto dyja më duket se shoh diçka në pasqyrë që më mëson mjeshtrinë e shkrimit…
Nëse do të mund të kthenit kohën çfarë do të ndryshonit?
-Ndoshta do të isha bërë një shërbyes social, me e ndihmue kauzën e humanitetit, ende jemi të varfër, shkëlqimi dhe pasuria e një pjese është shkëlqim mashtrues për pjesën tjetër të varfër, besoj se mungon një zë që do të duhej të adresoj kërkesat e të varfërve të atdheut, vetëm fishekzjarre kemi harxhuar në tri vitet e fundit sa me i bërë të gjithë të varfërit e atdheut me shtëpi…
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Kjo është pyetje interesante. Është paksa klerikale kjo, shpesh ne themi kush është kthyer nga atje, dilema që e zgjidh religjioni është se nuk dihet koha,as ora, rrini zgjuar. Do të doja të kthehesha me fuqi dhe autoritet t’i marrë kompetencat që t’i jap atij që s’ka fare. Le të ankohen më pas lirisht tek Zoti të tjerët. Besoj se nuk i merr parasysh këto “vuajtje” as ai…
Cila është gjëja më e shtrenjtë që e posedoni?
-Një orë dore që nuk ec ka sa vite, është e dajës tim Antonit që e kanë vrarë 24-vjeçar, bashkë me 376 të tjerë në masakrën e Mejës më 27 prill 1999 …
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Mjerimin që e ka përshkruar Migjeni dhe mjerimin e të pasurve që shesin mend, në fakt është edhe varfëri në vete…
Ku do të dëshironit të jetonit?
Më ka pëlqyer në fshatrat e Zvicrës, në fshatrat e largëta, gati të humbura, disa kasolle me pamje nga bjeshka, nuk ka zhurmë, ka flutura, livadhe, bjeshkë është një pamje idilike si përshkrim i parajsës, nuk e di a mos është e kundërta mbase ferri…
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
-Besoj ideja për të qenë human, më prekin pamjet e luftërave, vdekjet, rrënojat dhe në fund ironia e madhe askush nuk është fitues…
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
-Besimin, shpresën, dashurinë për vendin, një profil i Anton Çettës sikur të ishte i fshehur dikund në skutat e atdheut me na trazue shpirtin. Ai e dinte mentalitetin tonë, e kishte të skanuar burrërinë dhe dobësinë tonë, gjakun dhe faljen. I peshonte fjalët në mënyrë që i lënduari me u zgjua për atdhe si Gjergj Elez Alia i legjendës, para tij i lënduari deri në palcë të shpirtit e harronte plagën…
Çfarë vlerësoni tek një grua?
-Vlerat e një nëne dhe të një gruaje të zgjuar, që dinë, mendon dhe ka kauzë.
Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
-Ka shumë. Tek ne Ismail Kadare mjeshtër i fabulave për rrënjët tona. Tek burgologjia- At Zef Pllumi që ka jetuar me tregue, ai është i lumtur si fëmijë në vuajtjen e tij tri dekada në burgje pse ka dalë gjallë me kallëzue natën e ferrit. Si e përshkruan burgun në dramën e komunizmit është art dhe mister në vete. Visar Zhiti më fascinon me përshkrimet fantastike, paramendo ka fantazi edhe në burg ku parimisht edhe e pret vdekjen. Poeti grek Janis Rikos më ka mallëngjyer me përshkrimet e thjeshta që të zënë pas dy orëve sikur ke pi shumë birrë. Frederik Reshpja me mallëngjimin deri në trishtim për Shkodrën, Martin Camaj me portretin e gjarpnit tek shtëpia e harruar në Dukagjin,po them kaq …
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Njerëzit e thjeshtë, një storie kur dikush papritmas e ka shpëtuar një fëmijë pak pa e zanë makina…
Cilin talent do të donit ta kishit?
-Do të doja me i ra lahutës… Me i thirrë njëherë nga bjeshka në bjeshkë trimat e harruem…
Si do të dëshironit të vdisnit?
-Pa shumë dhimbje, i realizuar, kur njeriu kryen misionin e tij në këtë botë, nuk i dua aksidentet, të papriturën, vdekja nuk është opsion i mirë, mirë që në teori është edhe klerikale dhe përshkruhet edhe si kalim në botën tjetër, mirë që ekziston edhe falja e mëkateve dhe shtytja për me pa mëshirën hyjnore dhe me ba mirë, e rregullon kjo psikologjikën, njerëzoren, hyjnoren, por përtej kësaj në vete vdekja përmban trishtim në kuptimin klasik të saj… Është një dhimbje që nuk ka mund me e përshkruar asnjë roman…
Cila është motoja e juaj?
-Pothuajse biblike “Duaje të mirën brenda nesh, duaje të mirën kudo që je”…
ObserverKult
Lexo edhe:
“1999”, poezi nga Eduard Frrokaj
“Nokturno mbi atdhe”, përmbledhje e re poetike e Eduard Frrokajt






