
Të preva, baba, një gishtë dore.
T’i vendosa do copa hekuri në trup,
do pllaka metali në kokë.
Syrin… syrin, baba, ta bëra copë më copë disa herë.
Sa copëza hekuri t’i kam mbjellë në nofulla!
Pa bukë të kam lënë, baba, me muaj.
Ani, nana jote,
çdo plagë që ta hapja unë,
ajo e pastronte me lotin e saj.
E plagët e tua
krejt me lule parajse i mbulonte.
Kur të pres, baba,
ti pse buzëqesh?
A e di…?
Sa herë të kam premtuar
se vetëm edhe kësaj radhe,
e pas kësaj më nuk do ta pres mishin,
as t’i thej kockat.
Trupin më nuk do ta mundoj.
Syrin, bojqiell, do ta lë rehat.
Do dergjemi flladit të Bosforit,
do shijojmë bakllavat e Taksimit.
E rrugëve të Tetovës do ecësh,
pa u mbëshetur në krahun tim.
ObserverKult
Lexo edhe:
“Amanetin s’e tret dheu”: Çka kërkoi Faik Konica para se të vdiste?






