reklamë

Ndue Ukaj: Ti qan

Ndue Ukaj

Ti qan, e dashur,
për lirinë e infektuar që e thith
si smogun e qytetit tënd,
për udhët plot barriera,
për zgjedhjet që detyrohesh t’i bësh,
për mëkatet që t’i ka vendosë historia
mbi supet e tua të brishta.

Ti qan,
për këpucët me numër më të vogël
që i mban në këmbët e tua.
Se ti ke dëshirë të rritesh.
Ti ke dëshirë të ecësh gjatë, të ecësh pa fund,
të pushosh në erën e trëndafilave
e të lundrosh në detin e dëshirave të tua,
por thua se këpucët që t’i dhanë të tjerët
të pengojnë udhëve të jetës.
Se të tjerët të veshën me frikë,
me atë fustanin e qepur,
pa i matë dëshirat e tua.

Ti qan,
për parakalimin që bëre
në udhëkryqet e jetës,
ato net me terr të amshuar,
kur nuk guxoje t’i ndizje dritat e zemrës
që të shihje përpara me sytë e tu.

Dhe në bregun e një dhembjeje,
një ditë, si në prag errësire,
e shihje jetën tënde, si një hije,
që e shtynin duart e tjera
drejt një livadhi plot lule të egra.

ObserverKult


Lexo edhe:

Ndue Ukaj: Krijimi