
Teatri Shqiptar, Shkup, Maqedonia e Veriut: Duke e shikuar shfaqjen “Përtej hekurave” e Naser Shatrollit , dramaturg dhe regjisor
Nga: Agron Gërguri
Shfaqja nuk merret gazetarisht me trajtim glorifikues të figures së Hotit por përmes shenjave të këthjellta teatrore depërton në thellësi që nuk thuhen me fjalë edhe pse fjala është fuqia shprehëse e të dy personazheve me pedigre (Kadare, Hoti) që janë në “konfrontim” apo më saktë në konkludim idesh që ata përfaqësojnë.
Të bësh shfaqje për figura të shquara kombëtare për të cilët konsideratat janë të larta dhe nganjëherë tejkalojnë dimensionet reale të vlerësimit të tyre siç ishin personazhet e shfaqjes ” Përtej hekurave”, Ismail Kadare dhe Ukshin Hoti është një sprovë sa teatrore aq edhe politike, intelektuale.
Regjisori e dramaturgu Naser Shatrolli me sens të masës i kishte ikur gabimit glorifikues që shpesh e bëjmë kur flasim në çfardo mediumi për figura respektive duke i ngre aq lart sa më nuk i shohim e as nuk i dëgjojmë! Ai kishte nxjerr nga ta ekstraktin njerëzor dhe mbi këtë bazë e kishte ndërtuar botën e tyre filozofinë dhe mendimet e shquara i kishte sjell afër që të dëgjohen dhe funksionalizohen duke intimizuar temën e shfaqjes me spektatorin në rrafshin real. Ukshin Hoti i burgosuri politik më i njohuri i fundshekullit XX midis tjerash edhe për fatin e tij të pa ndriçuar, pa çka që grafiti ” Ku është Ukshin Hoti” në muret e kuvendit vazhdon të thërret për angazhim të shtuar për zbardhjen e fatit të tij.
I burgosur diku në Nish të Sërbisë, përkundër vigjilencës së gardianëve arrinë rë pranoj një letër pastaj edhe të tjerat nga Ismail Kadare dhe mbi përmbajtjen e këtyre letrave ndërtohet dialogu skenik fiktiv por i vërtetë i politikës me letërsinë.
Brisku në libër për të dezinfektuar fytyrën!
Kadare bëhet gjykatës i kohës e cila prek një heshtje të pretenduar për të vë në dijeni zjarrin që ziente dhe mendësinë filozofike të Hotit i cili në këtë raport shkon deri te Sokrati për të nxjerr sentencën e njohur Platonin e kam mik por të vërteten e kam më të shtrenjtë.
“Qe sa se ke parë veten në pasqyrë” pyet gardiani Hotin, ndërsa ky jep përgjigje diabolike përmes Kadaresë me pyetjen dramatike “A do të shembet muri” që asocion në thyerjen e Murit të Berlinit si një kapërcim sistemi dhe simbolikë bashkimi për çka pledon Hoti në platformën e tij filozofiko – politike. Në fakt në meditimet filozofiko – politike të Hotit, Kadare vjen si korektiv, nxënës, mësues, gjykues e sygjerues dhe të dy bashkë vëmendësojnë për nevojat e kombit i cili si vlerë civilizuese i përket proviniencës prendimore.
Regjisura që flet
Me një gjentilencë skenike regjisori Shatrolli e zhvillon këtë marrëdhënie midis dy intelektualëve pa iu bë krahë asnjërit. I lë që ata të flasin vetë. I vetmi dallim vije nga interpretimi derisa aktori që interpreton Hotin, Ylber Murtezi e ruan gjendjen duke vepruar, përjetuar, shpërthyer e dilematizuar në kuadër të karakterit, aktori që interpreton Kadarenë, Genci Mirzo ka disa oscilime në ruajtjen e karakterit por megjithatë arrin t’i ikë stereotipizimit të figurës. Ndoshta, që të dy nganjëherë me sforcime emocionale e lëndojnë komunikimin intelektual të personazheve duke krijuar një zhurmë të panevojshme me volum të zërit.
Ndërtimi i pastër i mizanskenës dhe krijimi i idiomave teatrore të fuqishme siç ishte paraqitja e dhunës përmes shpimit të këpucëve apo mprehja e briskut të gardianit si shenjë e fatit tragjik të Hotit, pasqyra, zarfet, ylli… i japin shaqjes ushqim teatror duke e zbërthyer tekstin me gjuhën e teatrit që shkon përtej tekstit.
Respekti midis personazheve nuk jep mundësi për dialog dramatik por se kjo kompensohet me dramatiken që përmban tema për të cilën dialogojnë Hoti e Kadare. A do rrënohet muri është pyetja fundamentale që pastaj përcillet me çështjet e fatit të Kosovës dhe përkatësisë përendimore të shqiptarëve. Personazhet nuk krijojnë situata dramatike por sjellin dramaticitetin e kohës për të cilën debatojnë dy intelektual të thellësive filozofike dhe politike me përmasa përtej kombëtare.
Skenografia funksionale brenda së cilës lëvizë ideja e autorit të shfaqjes: grila të hekurt që hapen e mbyllen, letrat që vijnë nga qielli, pasqyra si një mundësi reflektimi e cila pastaj bëhet idejshmërisht pasqyrë e brendësisë së personazhit kryesor. Po ashtu edhe kolona muzikore dhe ndriçimi krijonin ambientim të shfaqjes me dorë regjisoriale.
Aktorët dhe aktrimi
Që të tre aktorët kishin tipizuar mirë karakteret e personazheve.
Visar Etemi (Gradian i burgut) me dyjësinë e karaktetit të veprimeve të tij vijëzon ngjyra njerëzore bashkë me potencialin e dhunës që e kishte detyrë. Aktori Genci Mirzo në rolin e Kadaresë kishte krijuar një figurë të cilën e përmbajtësonte me disa veprime foljore dhe fizike të organizuara brenda detyrës skenike të kryer me korrektësi dhe saktësi.
Ylber Murtezi në rolin e Ukshin Hotit e kishte mishëruar çdo veprim deri në detaje edhe pse nganjëherë disa veprime fizike të përsëritshme e bënin tepër transparente gjendjen e tij të brendshme… prekja e shpesht e librave, mbajtja për stomaku.
Fundi domethënës
Fundi i shfaqjes është madhështor. Në sfond kolona muzikore në temën “Çou Rexho, çou djalo” Hoti lirohet nga burgu me këpucët e përgjakura niset drejtë dritës derisa gardiani mprehë briskun, fiken dritat errësirë gllabëruese ndërsa ne ende lexojmë mbishkrimin në murin e kuvendit “Ku është Ukshin Hoti?” dhe presim përgjigje apo shpresojmë që mendësia e Tij të funksionalizohet.
Mesazhi
Shfaqja provokon kujtesen po aq sa edhe gjendjen aktuale në të cilen vegjetojmë dhe në këtë amulli idesh e kundërshtishë boshe evidenton mungesën e një mendimi kompetent politik me të cilin shquhej Ukshin Hoti për një “demokraci autentike” e jo thjesht teknike e reduktuar në numrim votash por që prekë esenca tjera të fatit të kombit siç është domosdoshmëria për unitet.
Produkcioni Teatri Shqiptar Shkup
Damaturg regjisor: Naser Shatrolli,
Aktorë: Ylber Murtezi, Genci Mrizo, Visar Etemi
Kompozitor: Pleurat Gashi
Kostumografe: Emira Ymeri
Skenograf: Naser Shatrolli
ObserverKult








Lexo edhe:






