Kur vdiq Viktor Hygo, qau gjithë Franca…

Viktor Hygo
Victor-Marie Hugo, ( 26.02.1802 - 22.05.1885)

Më 22 maj 1885 ndali trokun e vet të drobitur nga vitet dhe dhimbjet, zemra 83-vjeçare, e Viktor Hygoit, babait të romantizmit dhe atit të kombit francez, dalëzotësit të paepur të të nëpërkëmburve, të varfërve, të gjithë atyre që i kishte ndëshkuar më shumë se fati, koha.

Bota e humanizmit me vdekjen e Viktor Hygo, ndahet me një emblemë, me një shëmbëlltyrë të pashembullt dhe vetanake në udhëprirjen e njerëzimit për nga barazia, toleranca, drejtësia dhe besimi.

Karroca e të varfërve me kurmin e tretur së gjalli të Hygoi u vendos për një natë nën Harkun e Triumfit dhe u shoqërua nga 12 poetë.

Dy milion persona asistuan në ceremoninë e lamtumirës. Franca dhe bota mbarë do të ishte dëshmitare e një prej akteve më solemne të mirënjohjes, e denjë për zotër dhe etër.

Ai ishte ati i shpirtrave të shërbyer prej njerëzores. Nga çdo cep i Francës kishin ardhur atë ditë për tu ndarë me zërin e zemrave të tyre.

Ajo ishte dhe mbeti për shumë kohë një nga ceremonitë e lamtumirës më madhështorja që njerëzimi kishte parë.

Viktor Hygoi iku për të mbetur jo vetëm në bibliotekë, në mendje dhe në përjetime, por edhe në të tashmen, si i gjithkohëshëm.

Të 50.000 frangat që kishte kapital ai e la me amanet për të varfëritë.

I tillë ishte ai. E tillë, pikëlluese dhe e pazëvendësueshme ishte humbja e tij.

Me ikjen ai la kryeveprën monumentale, la personazhet, Zhan Valzhanin, Anzholrasin, Gavroshin, Mirielin, Guinplenin, Kazimodon, Esmeraldën, të cilët gjallojnë në frymimin e përgjithmonshëm të penës së tij humaniste, shpirtit të tij të madh, zemrës që troket atëditë e sot në kalldrëmet e fateve të krisura, që zvarget hekakeqe edhe tash mbas 135 vitesh në baltën që përlyen ndërgjegjen e kohërave, për të qenë përherë një zë denoncues, një ndëshkim, një fshikull, një akuzë. /AlbertVataj

ObserverKult


falim aq sa dashurojme hygo

Lexo edhe:

VIKTOR HYGO: MOS FYENI KURRË NJË GRUA!

Poezi nga Viktor Hygo

Oh! Mos fyeni kurrë një grua të rrënuar!
Kush e di se ç’barrë shpirti i ka përballuar!
Kush e di se sa ditë me urinë ka luftuar!
Kur era e fatkeqësisë virtytin ka tunduar.

E kush s’i ka parë këto gra të shkatërruara,
Që kapen fort përherë me duart e dëmtuara!
Si një pikë shiu që shkëlqen e xixëllon,
Tek cepi i një dege kur dielli ndriçon.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult