reklamë

“Cante Jondo”, poezi nga Marsel Lela

marsel lela

Siç do thoshte Beniamin Prado (i pastë dritë shpirti):
Sot do të të shkruaja poezinë e vjetër
që ta kam borxh.

Do të shkruaja për kohën e pashtershme
me të cilën ti di të duash,
të tashmen e pafundme
ku ti je gjithmonë e pranishme.

Do të të shkruaja që
mes mijëra shtëpive
ku në asnjërën nuk përkasim,
ti je shtëpi për mua.

Do të të shkruaja për heshtjen
që rri pranë teje
si një kafshëz e butë,
e nuk trembet
as nga nata,
as nga rropama e kësaj bote.

Do të thosha
se fytyra jote nuk përndritet,
por ia mëson dritës
si të bjerë mbi gjërat e zakonshme:
mbi një filxhan kafeje të lënë përgjysmë,
mbi një libër të hapur,
mbi pluhurin që vallëzon
në dritaren e pasdites.

Kam dashur gjithmonë
ta gjej fjalën e saktë për ty,
por çdo fjalë,
sapo bën të lëshohet prej harkut të buzëve,
humbet dhe bëhet frymë.

Oh, dështimet e bukura të poetëve
që mendojnë se mund ta lidhin dashurinë
brenda një vargu,
ndërsa ajo zgjedh të jetojë
në hapësirën mes dy fjalëve.

Poezitë nuk u shkruakan me bojë,
siç pandehim,
por me hijen që lënë zogjtë
kur kalojnë mbi grurin e pjekur.

Dhe emri yt
mbetet si një shegë e çarë në muzg,
me farat e kuqe
që askush nuk guxon t’i mbledhë.

Ndoshta një ditë
era do ta gjejë poezinë që nuk ta shkrova,
do ta shpjerë nëpër luginat e hënës
e do ta varë në degën më të vetmuar të ullirit.

Prandaj sonte
nuk do të të shkruaj asgjë.
Do ta lë hënën
të mbështesë fytyrën mbi dritaren tënde
dhe ullinjtë
të pëshpërisin emrin tënd
me gjuhën e erës.

Nëse e dëgjon një kalë
që kalon ngadalë nëpër ëndrrën tënde,
mos u tremb.
Është poezia ime,
me shalë prej pluhuri
dhe fre prej yjesh,
që ende nuk gjeti
guximin të trokasë.

Sepse ca dashuri
nuk i nxëka dot letra.
Ato ecin zbathur
mbi gurët e natës,
përhanshëm.

Kur të agojë,
nuk do të mbetet asnjë varg.
Vetëm një petal i gjaktë
mbi pragun tënd
dhe heshtja,
ajo që gjithmonë
e ka ditur përmendësh
poezinë
që unë
nuk munda
ta shkruaj.

20 korrik, 2026

ObserverKult


Lexo edhe:

Marsel Lela: Liria