reklamë

Tri poezi nga Afrim Demiri: Asnjë gjurmë e imja

Ju ftojmë t’i lexoni tri poezi nga Afrim Demiri:

Në cafenë Çaplin

Në cafenë Çaplin
i mbatha këpucët
e tij
Hapat filluan
të bëjnë tetëshe
Udhë e pa udhë

Nuk vonoi
më njohën që nuk isha
Zoti i tyre
Mora n’thua
në fjalët që s’thuhen

M’u ngjit një e qeshur
sa më fluturuan këpucët
Si sorra krahëthyer

Mbeta i zbathur
si një kaçubet

Kufisja e cafesë
I vetmi zë që dëgjohej
Ndjeja si po shndërrohesha
në fëmijë të humbur

Çaplini m’u rrotullua para syve
pantomima e tij më tha
paske mbetë ende fëmijë

Dola pa paguar
Udhëve ishte shtrirë
Shiriti filmik

Kur çmenden pasqyrat

Janë çmendur pasqyrat
asnjëra nuk e shfaqë
Shëmbëlltyrën time
njësoj

Më shpërfytyrojnë
çorodisin fytyrën time
Herë m’i zvogëlojnë sytë
si të miut
E herë m’i zgurdullojnë
si të ciklopit

Janë zhvendosë fokuset
po mbetem fosil
i pa portret

Kohë e pasqyrave të çmendura
Hedhi guralec të mllefit mbi to
i thyej
Për të kapërcyer mbi
përthyerjen e rrejshme
të dritës.

Asnjë gjurmë e imja

Pamja ime është bërë një
me retë e rëna për tokë

Fjalët e mia i ka marrë era
e zemërimit të kohrave
Zëri im është shurdhuar
honeve të dëshpërimit

Hapat e mi janë sharruar
në baltën e turpit të hipokrizive
Shikimi im po perëndon
bashkë me purpurin e muzgut

Mos më kërkoni askund

Emri im është fshi nga shiu
i marrëzisë

E vetmja gjë që mund t’ju dëfton
për mua është mungesa ime

ObserverKult


Lexo edhe:

Afrim Demiri: Pema e Beckettit