
Nga Mark Pashku Lucgjonaj
T’ue mu marrë fryma, ecsha pas bab’s i cilli hapat i kite t’letë si krah zogut. Isha i g’zuem sa ma s’ka, se po shkojsha ni vën çi s’kisha kën kurrë ma parë. Sapo kalueme pyllin e livadet, aty te Tri Shelqet, en vaun e Dalishanit, ishte sulja jonë, ziftorja e babs, e g’jatë e thellë, me i fun t’gushtë. U ula n’ maje t’sules, kurse baba me rrëm në dorë, i dha sules t’shtymë e nisi perpara. Prej xhepit e xjerri shishen e vogel prej xhamit e piu pak raki, ma shumë për me shpla fytin. Me i pedanti t’lakmueshme dhezi i duhan e ju shtrengua rrëmit. Nëpër Vijën e Dalishanit gjarpnueshem rrëshqitëm përmes Synit të Dalishanit, dolëm ni shteg tjetër. Ky ishte vëti ma i largët çi kisha shkua en liqë. Sapo deshta me e dvetë, pra taman sa i busha mushnik frymë e mënjen guxim per me i fole babs, ai filloi me fole e mua fryma mu nal en boç t’fytit, e për mos me ndërpre, po çlirohesha kadalë kadalë.
Ky, – ia nisi baba, – e ka ëmnin prevozi i krajanve ose shtegu i krajanve. Deri k’tu ata vishin me vela. S’ka ma mjeshtra velash se krajant, – tha baba. Kallmat çi delshin permi ujë, më dukej sikurë takonin yjet atje nalt. Kurë kqyrsha ujin, më dukej se yjet kishin ra poshtë. I ndjenjë mrrekulluese, sikurë kishim hi në botën e çudinave. Sulja po ecte me i shpejt’si marramënse, e baba nuk lodhej. Baba mi kallxonte tan ëmnat e vëse. Në njanën anë e lame Kodakun e Mujit e na k’putme nëpër Vijat e Zeza. Baba, ktu te Vijat e Zeza, e la rremin per disa sekonda e m’kallxou diçka çi nuk e kisha di. Jektu birë, m’asht pyt vllau tetemdhet vjeç, Dak Breci. Kurë Liqeni krihej akull, na delshim shpesh ktej te hallat tona. Pas ktyne fjalve, baba e mori rremin e vazhdou përpara. Drita kishte nisë me dalë, e para nesh, u shfaq nji oaz i gjelbert në mes të liqenit, nji ishull fantastik.
K’saj tokë këtu i thonë Koraqica. Verës këtu vin krajan’t me familje, me gja të gjallë e me çka kanë. Këtu ka kullosa, zhevar e bollëk për kafshët. Burrat merren edhe me peshkim. Aty, në ato livade, kurë na bjen me fjet, pushkt e malësorëve dhe pushkët e krajanve rrin pshtetun njana per tjetrës. Matanë, asht Kamica. Kaq kisha arrit me ndie prej babës, se më kishte këputë gjumi.
Dora e babës më shkuni disa herë, dhe sapo hapa sytë, mrrekullia vazhdonte. Laj faqet aty te ai burim, se jem në Vanin e Arbneshit, – m’tha baba. Ky asht i va ku po e lamë na sulën. Dikurë baba ëm suelne e çonte te i va tjetër, e delshim në Qyrjan se aty kishte pas nji shok të vetin. Por, ai ka vdekë e tanë familja e kanë lëshua vendin. Për të parën herë fola, e e dveta babën se ku po shkojshim.
Po shkojmë me marrë do kshtëja, do mjaltë e do harbaçike edhe me la i borxh birë e me çua në vend i amanet, – mu përgjigj baba. Veç per kshtëja e per mjalt e harbaçike e mora vesh, se për kto tjerat, gja prej gjajet nuk kuptova, por bana sikur gjiçka mora vesh. Rrugës kah ec’sha mbrapa babës, veç i shijoja ato mrrekulli. Baba e gjyshi gjithmonë në mramje folshin per trimnitë e Krajanve. Folshin edhe per largimin e tyne masiv per në Zarë. Gjyshi thoshte, se deri vonë kishte pas veç dy Kraja: jara n’Krajë e tjetra n’Kroaci. Tash, janë ba tri, heu me det. Kraja e tretë asht en Amerikë.
Ater gjyshja kurë flitte per Krajen, thoshte se s’ka si kshtëjat e Krajs. Besa, i kanë harbeçiket me i hager thatë, pasha bukën. Paj ajo tokë e bëkueme, more plakë por fatzez na si popull, – thonte gjyshi e nuk vazhdonte ma tej.
Babë, babë! E thirra, por nuk mu pergjigj edhe pse ishte vetëm disa hapa para mejet.
O Stak Breci! – i thirra t’nalt.
Baba u kthye kah unë i mrrolun.
Çka pom thrret në ëmën, he dreq?
Paj, babë smë ndjeve. Deshta me t’ dvetë a asht nana e Rexhit prej Krajës?
Po besa. Bash prej ksaj toke asht Xhevahirja.
Ajo m’ka pas kallxua babë per Ublat e Krajës.
Tash ke me i pa, birë, edhe ublat,- tha baba i cili kishte ndal e po ndizte edhe i duhan.
Xhevahirja më kishte kallxue se aty te Ublat e Boulejve, çi ishin dymdhetë sosh, kishte raste kur shiheshin zanat. Gjyshja i kishte kallxue asaj se , nji herë i kishte pa dymdhetë zana bashkë tue vallezue. Ajo m’kishte thanë me pi ujin e ublave se ishte ujë dermanit. Aq marak kite ajo per Krajen, sa shpesh me merrte me veti veç me shkua me i la faqet te liqeni. Ka pshihej, bate me gisht atej poshtë, e m’thote, jatje asht Kraja ëme.
A muni me pi ujë te Ublat e Boulejve babë? – i thaç vet pa pritë. Baba mu kthye e m’kqyri habitun, ater foli – poti edhe ëmnat ua dike ublave. Kam mënua se je burralec por don mem dalë isoj burrit, – tha baba tue u qeshë, ater vazhdou,- tash e dvesim Beqon, veç ki pak durim birë.
Pas disa muntash, ushtoi nji za perkrye krahit: oooo heee heeej, aaaa jeeeee Maalsiiiiaaaa moreeeee heeej. Baba sa e ndjeu zanin hipi ni koder e vuni doren pas veshit e ia ktheu: ooo heee heeej, qe Beeesaaaa poooo more heeeejj.
Ngute pak hapin, – tha baba,- se Beqa ka dalë e po na pret.
Ecme e ecme nëpër ato livade e, mejherë na doli para i burrë i g’jatë e i thatë, me flokë të zi katram, me vetulla t’vizatueme e me i buzeqeshje rrezatuese.
Baba u pershendet me Beqon e i pjeken kryeçat dy herë, e ater u perqafuen.
E paske marr edhe djalin, mirë paske ba, – tha Beqoja.
Baba e Beqa folshin njani me tjetrit. U dveten per çdo gja. Tue ecë, Beqa m’i kallxonte livadet. Pa prite, dolën para syve mi ato, ublat e famshme per t’cillat me kishte kallxua Xhevahirja.
Babë, em fal por vet dua me pi ujë, – i thaç e nuk u durova pa me folë.
Ah, Beqo, na duhet me i dhanë Markut ujë se Xhevahirja i ka thanë se ky ujë ban mrekulli. Marku ka problem me fyt, ftofet shpejt. Ky beson se me ba me pi ujë te kto ubla, shnoshet.
Qe besa, ke me pi ujë ti prej t’dymdhet ublave, se tash e çoj vet Boren, vajzën tëme e ta sjell ujin.
Unë, i gezuem eca pas tyne. Me zi pritsha me provua at ujë.
Te shpia, na priten e tanë familja, burra, gra e fëmi. Tanë e pershendetshin baben e i thoshin axhë. Sofra e shtrueme me tana t’mirat na priti. Unë hagra shpejt e shpejt. Sa e kreva buken, Beqa em pa e mejhere e thirri Boren dhe i tha diçka en vesh. Bora ishte nji vajzë e rritun, ndoshta 17 vjeçe. Ajo më mori per dore, e bashkë me vllaun e vogel të saj, me nji si çantë në shpinë, shkueme te ublat. Paj mët se disa ubla kishin ëmna grashë, se burrat e tyne i kishin hap ato ubla për ti kujtua gratë e veta. Bora, prej ublës në ubël, nxori ujë me kovë, dhe me nji tas merrte nga pak dhe e hidhte në një enë të veçantë. Ena u mbush me ujin e të 12 ublave, nja pës litra ujë.
Qe tash, pije ujin, e shplaje gojen dymdhetë herë sot e kështu ke me ba për dymdhetë ditë, – tha Bora.
Ujin e ublave e piva me lezet por edhe me pak frikë. Me vinte marre me dvetë Boren se pse i thoshin uj dermanit. Nuk e hapa gojën, por Bora me kallxou se ky ujë bante mrekulli vetëm te njerzit çi besoshin te fuqia e ublave.
Po zanat,- e dveta Boren?
Ato vinë prej Rumisë nalt, atje jetojnë ato. Disa thonë se gratë te cilave u janë kushtua k’to ubla, janë bashkua me to. Disa thonë se vine here pas heret edhe hedhin valle. Por kohen e funit janë idhnua shumë se populli ka ik. Bile, ktyne ublave ka fillua me u mungua uji, krejt shkaku se banort po i braktisin. Gjyshi ëm, Ahmeti na thotë se kto ubla, përveç se i kan Zanat e veta, kan edhe shpirt,- me kallxou Bora.
Atë natë, na fjetme te Beqa. Baba e Beqa na moren mua dhe djalin e Beqos e na i prenë gishtat ka i fije, e gjakun na e qiten ne nji gotë t’ vogel me pak ujë. Te dy pime sa me lagë buzt e na thanë se prej ati momentit na ishim vllazën. Kjo i bite se Bora ishte motra ëme. Vet e Sefa, k’shtu e kishte ëmnin vllau ëm, fjetme bashkë atë natë.
Në nesërme, maj mën vetëm kur më doli gjumi, dhe paç babën ka i nepte rrëmit me tan takat. Qiella ishte vra, por bregu nuk ite larg. Në sule kishte mjalt, k’shtëja e thasë me qepë. Baba bante tregti, dhe kësaj here kishte pru shumë mall. Atej, pas shpines së babës, ishte Kraja, dymdhetë ublat e jetës dhe atje tashma kisha edhe nji vlla. Me zi pritsha me dalë en breg e me shkua me i kallxua Xhevahires se jam kë en Krajë, se kam pi ujë prej dymdhetë ublave dhe se vëllau ëm en Krajë e ka ëmnin Sefedin.
ObserverKult
Lexo edhe:
Mark Pashku Lucgjonaj, fitues i çmimit “Shtigjeve të Besës” në Panairin e Librit në Tuz





