A. S. Pushkin: Ah, kur isha me ty…

A. Pushkin:
Alexander Sergeyevich Pushkin

Jo, dëshira të harbuara unë nuk ushqej,
Apo marrëzi të tilla, si hazdisje pa fre,
Ajo hidhej, ulurinte, sa ma ngrinte gjakun,
Gjarpër spërdridhej, si virgjëresh’e Bakut,
Si në jerm, papushim, puthje të nxehta më ngjiste
Me ngutje, me rrënqethje, të thuash se po vdiste!

Ah, kur isha me ty, e ëmbla, zemërbuta moj!
Sa i lumtur paskam qënë, rri me trishtim kujtoj,
Kur pata shpresë veç në lutjet, përunjësisht,
Ti e tëra m’u dhe, s’deshe t’ia dish, ëmbëlsisht.

Tani e ftohtë, e drojtur je, o gëzimi im
Nuk di ç’ke, veshin s’ma ve, përgjigjesh me përtim
Ta jetojmë sërish ç’kaluam, të lutem tani,
Zjarrin që kam me ty ta ndaj, do apo s’do ti!

© shqipëroi Maksim Rakipaj

“Titulli i origjinalit: “Ah, kur isha me ty, e ëmbla, zemërbuta moj!”

LEXO EDHE: Pushkini: Tatjanë, e ëmbëla Tatjanë!