Agim Bajrami: Duhet të harroja gjithçka tënden…

Poezi nga Agim Bajrami

Do flasim prapë, më the ngadalë
Dhe lëshove lehtë një psherëtimë
Por unë e kuptova se këto fjalë
Ti m’i thoje thjesht për ngushëllim

Ndaj përkula kokën i menduar
Ç’mund të bëja tjetër veç kësaj
Kishte ardhur çasti për të shkuar
Dhe unë s’kisha forcë më, të të mbaj

Qiellit dy tre re qëndronin pezull
Duke parë drejt meje me mërzi
Si për të na thënë, se kish ardh vjeshta
Dhe tashmë po pritej vetëm shi

Duhet të harroja gjithçka tënden
Puthjet, zënkat dhe gjithka mes nesh
Unë di ti lexoj shenjat ne qiell
Aq më shumë një vjeshtë që s’di të qeshë

Do flasim prapë, shqiptove butë
Dhe mbas teje dera u përplas
Era ngrinte pluhur nëpër rrugë
Shiu natyrisht pritej…. më pas.

*Titulli i origjinalit: “Do të flasim prapë!”

ObserverKult

——————

Lexo edhe:

FESTË KULTURORE NË PRISHTINË/ NGA 6-8 SHKURT FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS JU MIRËPRET ME PROGRAM TË PASUR ARTISTIK!