Agim Spahiu: O, ç’paske qenë ti, moj dashuria ime!

… Jam i vogël, sapo kam nisur të nxjerr tinguj,
të qesh, të zgjas faqen për puthje te të mëdhenjtë.
S’di ç’është ajri, uji, zjarri, e prek e digjem. Qaj
e prapë drejt teje nisem… Tetëmbëdhjetë jam,
i dashuruar në krehrin e pasqyrën,
gjithë vetulla, sy e forma të derdhura shtati,
përqafuar me dëshirën, më e hirshmja në botë – fytyra,
këngëtar i madh që di vetëm këngë me emrin tënd,
djalosh i zjarrtë, qengj i butë, të gjithë ma shohin
dashurinë, s’kam aspak frikë: e shpall para të gjithëve
mrekullinë që ndodhi në mua, i magjeps rrugët, pemët.
gurët, prej tyre magjepsem, i marr para me frymë.
Pesëdhjetë. Njëqind. Njëmijë vjeç qenkam, më lulojnë
lulet e bardha mbi krye, dhjetë herë qenkam kthyer
për ty në botën e të gjallëve pa pyetur për fyerje
dhe sharje… E prapë digjem e sillem në moshën
e shpirtit: një dhe tetëmbëdhjetë, një dhe tetëmbëdhjetë.
O, ç’paske qenë ti, moj dashuria ime!