Paridi nuk e rrëmbeu Helenën!
Unë e rrëmbeva, mes natës
duke e tërhequr prej krahu.
Lajmi mori dhenë…
e këmba-këmbës,
si nata-ditën na ndoqi Menelau.
Nuk na kapi dot kurrë,
megjithëse na ndoqi
ndër shekuj e mijëvjeçarë,
dhe kur bota i tha: Ti s’je burrë!!!
U nis drejt Trojës, gjoja Helenën
për të marrë.
Shpiku një kalë, një dreq,
dhe u fsheh si një mi brenda saj,
Natën i hapi dyert pa të keq.
Dhe Troja u mbyt në lot e në vaj…
Për një Helenë u dogj Troja,
nën këmbët e Menelaut që psherëtinte,
Unë ja rrëmbeva Helenën
si thelën nga goja,
Në një natë kur qielli vetëtinte.
Dhe ikëm pastaj. Të fshehur qëndruam,
me vite, me shekuj, me mijëvjeçarë,
se mos Menelau dinak diku na shquan,
dhe vjen të dyve në gjumë për t’na vrarë.
Dogji ai një Trojë të tërë,
Re zie la mbi faqet e kohës,
e bëri që bota mend të zërë,
Të zënë mend gjithë gratë që ikin
mes shiut dhe llohës.
E bëri të trembte mua çapkënin,
Kusarin e zemrave, hajdutin, dinakun,
dhe kur e pa që s’kishin ç’t’më bënin,
Vrau Priamin plak, e gjoja mori hakun.
Unë jam shkaktari i vdekjes së Trojës!
Dashuria ime helm-çmenduri,
m’i mori mendtë dhe mua
dreqi tundonjës
Atë natë kur shiu mbi ne binte me furi…
Mbi vithet e kalit e hodha Helenën,
dhe ngraha mes territ,
mes natës e viteve.
Dhe erdha këtu, dhe mora penën
T’ju them se më të kohrave vërtitem.
Unë e rrëmbeva atë natë Helenën!
Jo! Paridi qullash, nëpër natë
nuk ngrahu…
Lajmi mori dhenë,
e këmba-këmbës
si dita-natën, më ndoqi Menelau…
unë me vrap kali,
ai me vrap kau…
ObserverKult
Lexo edhe: