Albana Beqiri: Dashunia s’thuhet me fjalë, dashunia veç dashunon…

albana beqiri

Poezi nga Albana Beqiri

Unë s’ta kam thanë ende se s’të paskam dashtë sa duhet
ende s’ta kam thanë se duhej me të dashtë edhe ma tepër
paskam harrue me të thanë se dashunia me fjalë s’thuhet
se dashunia veç dashunon; ajo nuk flet veçse me zemër
paskam harrue me t’i thanë të gjitha këto
dhe se… të due ende..

Por, Ti besoj e di se dashtë të kam ma shumë sesa ta thashë me fjalë
të kam dashtë në muzg dhe agim, njisoj në dimën dhe në verë
të kam dashtë në andërr kur ma trazoje gjumin e randë
dashtë të kam shumë e më shumë, e të kam dashtë përherë,
të due ende.

Aq e madhe dashunia sa fjala para saj mbeti pa fjalë
se të kam dashtë shumë fjala s’ta tha dot, ishte memece
por unë të kam dashtë me zemër, dashuni si oqean i paanë
të kam dashtë gjithmonë e ma shumë, gjithmonë e ma tepër.
të due ende.

Tash po ta them që të kam dashtë siç duhet dashunia
ashtu si duhet ajri, fryma shpirti… një dashuni që as kërkon,
as nuk thotë pse
të kam dashtë njisoj dhe çdo herë, shumë e ma shumë
përherë e përherë..
e të due ende

Dashunia asht ajër. Frymë asht dashunia. Shpërndarë në kozmos
fal dashni, jep dhe vetëm jep.
Zog asht dashnia. Skaj qiellit fluturon shtegtimeve të largëta
aromë luleje asht dashunia, aromë dehëse përhap e sjell
Dashuni asht dashunia, nektar blete e pelte
e unë të due ende

ObserverKult

Lexo edhe:

ALBANA BEQIRI: JE LOT QË N’CEP TË SYNIT M’KE MBETË…