Albana Beqiri: Je lot që n’cep të synit m’ke mbetë…

albana beqiri

Poezi nga Albana Beqiri

Je këtu, edhe nuk je.
I afërt e i largët, andërr që e humb kuptimin
sa herë m’zan gjumi.
I shpërndamë je kudo, ajrit t’shoh si fluturon
mbi nji re
n’ujë kthehesh, fshehtas m’ikën
e gjarpnon rrjedhës së nji lumi.
Je zilja e derës që nuk ra asnjiherë,
shtëpia pa mysafirë e mbetun shkretë,
drithnim i ambël, idhnim që m’bluen shpirtin
e zemrës mbetet vjerrë
lot i athët trishtimi që n’cep të synit
m’ke mbetë.
Ajo dhimta që ther n’veti sa herë kthehet
n’mall,
ngjan n’ty e, edhe ma tepër ma thyn shpirtin
e trazuem
je gjelbnimi i pranverës që m’ban me u ndie
gjallë
vesa je, që bjen mbi at kopsht dashnije gufuem.
Rranja je e egzistencës sime, ngulun thellë
n’zemër
toka e butë e dëshirave që të harbueme çirren,
klithin
barka që m’çon nga nji andërr në nji tjetër
poezia je, vet shkruhesh andrrash si fllad
që ma qetëson shpirtin.
Letër je, letër që s’më mbërriti kurrë, as kur e prisja
me padurimin e nji fmije
ngatërruem dyerve t’huja ka mbrritë n’tjetër destinacion
dëshirë je e fshehun aty ndër nji hije
krejt vullkanet e dashnisë veç me nji prekje i zgjon

Je këtu edhe nuk je
i afërt dhe i largët, fanar i shuem shprese
që n’mue prapë ndriçon

ObserverKult

Lexo edhe:

ALBANA BEQIRI: DONTE TË FLINTE PËR TA HARRUAR…