Albert Vataj: Më mjaftojnë pak gjëra për të qenë i lumtur…

Albert Vataj

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Albert Vataj

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Duhet të kem domosdoshmërish një ide për këtë?! Po, me sa shoh më duhet të kem dhe e kam! Lumturia e përkryer në pamjen e parë të krijon një papajtueshmëri me mënyrën se si dy koncepte abstrakte i kundërvihen njëra-tjetrës për të krijuar një ide. Se si një përplasje rreket të krijojë diçka.
Po, jam për këtë përplasje. Ndoshta nëse nuk do të ishte ajo përplasje, asgjë e jona nuk do të mund të ishte aq inteligjente, sa ta vendoste veten në një identitet real në univers. Ndoshta do të ishim ende grimca që vërtitemi në hapësirë, në kërkim të një arsyeje për të krijuar një ide nga një përplasje. Rrjedhimisht ideja e një lumturie të përkryer më çon atje ku nuk mund të kthehem pas, madje as për t’iu përgjigjur ndershmërisht testit të Prustit.

Cila është frika juaj më e madhe?


Braktisja është nja nga frikërat e mia më ngjethëse. Të gjitha trajtat e braktisjes janë mizore, që nga braktisja e njerëzve, e dëshirës për të ëndërruar, e pasioneve për të përjetuar, e fëmijërisë për të parë pastërtish dhe përjetuar ashtu shpengueshëm, deri te braktisa e mundësive për të qenë vetja, për t’iu shprehur falënderues shansit për mëkim mirësie si formë lartësimi të humanitetit. Braktisja, vetë si fjalë bart një lloj trazimi dhe gjithçka që ajo vjen të marrë e shoh me frikë. Mënyra se si e kem lidhur veten më gjëra dhe gjendje, është e tillë e shpirtshme dhe vendosmërisht refuzuese për tu dakordësuar me asnjë lëshim. Do të doja që të shuheshin njëheresh me mua edhe ato që s’jam kurrë gati t’i jap braktisjes.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Është pikërisht ai që urrej më së shumti, vetja. Nuk ka kurrfarë lidhje me Narcizin. Jo! Por, admirimi ndaj personave të gjallë është gjithmonë i diskutueshëm, kjo ndoshta për faktin se vetëm kur të jenë të vdekur, ata janë të tillë, që të mos paraqesin rrezik kur guxon të shprehësh një lloj admirimi për ta. Megjithatë më pëlqen vetja më shumë se askush tjetër, por nuk ka asnjë Eco në jetën time që ka vuajtur nga mallkimi i vetëkënaqësisë së Narcizit te unë, edhe pse mes dashurisë dhe urrejtjes, vetja ime pretendon të kumtojë diçka prej një Uni, të cilit i përulem me përkorjen e një dinjiteti solemn.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Jezu Krishti! Ai është një prej figurave më të jashtëzakonshme të historisë së njerëzimit. Lidhja me të nuk vjen nga fakti i përkatësisë time religjioze. Jo!

Sepse unë i përkas atyre që shohin te besimi nevojën për të besuar, se ti ke një pikë referimi në një hapësirë të papërmasshme, ku qenia juaj rrezikon të vërtitet si një trup pa orbitë. Jezu Krishti është një emblemë e besimi te e përsosura, ose një mënyrë për të patur një shembull, të cilin edhe pse nuk do ta arrish kurrë, nuk e shpërdoron ngulmimin tënd me gjera veguese.

Jezu Krishti është shembulli më domethënës që na tregon se sa pak e meritojmë ne të drejtën, bujarinë e vetë krijuesit, begatinë e atij prehri përuljesh dhe lartësimi shpirtëror. Tek Ai, te mënyra se si në zgjodhëm të amnistojmë mes Tij dhe Bajrabës, një hajdut dhe kriminel, dhe ishte kjo zgjedhje që ju bë zgjedhë e çdo shpresë për dritë, e çdo adhurimi për shpëtim. Ishte ajo drejtësi romane e Pons Pilatit dhe ajo Golgotë e gjatë e mundimeve dhe martirizimit, që na akuzon, një gisht që ka mbi dy mijëvjeçarë që ther ndërgjegjen tonë, një akuzë që na ndëshkon të meritojmë këtë botë, e cila noton në gjak dhe shtresëzohet mbi varre, këtë të tashme ku gjithçka armiqësore që ndërton marrëdhënien tonë moderne, fshihet pas maskës së pështirë të modernitetit, falsitetit dhe virtualitetit. Çdo figurë tjetër e historisë, shqiptare dhe joshqiptare krekoset pas një madhështie të rreme dhe përpëlitet në purtekun hekakeq të një të vërtete thelbësisht të diskutueshme, kësisoj nuk jam i denjë për asnjërin prej tyre.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Sinqeriteti është tipari më armiqësor i karakterit tim. Gjithnjë kam rreth meje miq mizorë, shumica e të cilëve kanë një arsye për ta shpërdoruar këtë sinqeritet, duke hamendësuar se kjo do tu shërbejë për të arritur te qëllimet e tyre. Edhe pse ndihem fajtor se jam i sinqertë, sërish nuk ka asnjë brejtje në ndërgjegje, apo pendesë të jem bartës i këtij virtyti. Unë e mbajë sinqeritetin si një pishtar në natën e rrugëtimit, për të përmbushur dhe purifikuar njeriun brenda meje. Shpesh të tjerëve drita u prish rehatinë e shikimit, ose planet. Por unë jam gati t’i kërkoj ndjesë cilitdo që drita ime i ka lënduar, apo i ka bërë të dalë nga vetja, duke e keqkuptuar dhe keqtrajtuar atë që kam më të shtrenjtë, të qenin tmerrësisht i tejdukshëm.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Fodullëku! Zakonisht njerëzit me aftësi të kufizuar diapazoni intelektual, përdorin kapardisjen, unin e tyre dominues, fyerjen, mospërfilljen, përbuzjen, nënçmimin, cinizmin, për tu përfshirë në një luftë mospranimi, e pse jo, për të shpëtuar gërmadhat e vetes së tyre me këtë armatim të rëndë vesi.

Pak a shumë për të instaluar në orbitimin e tyre një lloj diktati që i imponohet të tjerëve. Ata bëjnë gjithçka për të rënë në sy dhe janë gati të mos ndalohen para asgjëje, që autoriteti i tyre të mbetet i koracuar nga një lloj llumi dhe balte kudërbuese, të cilin ata e hamendësojnë se është dritim brerori. Kapardisja, mendjemadhësia, mospërfillja, përçmimi, e çmostjetër, ata i bëjnë më të urryer në sytë e të tjerëve, por mjerisht më të suksesshëm. Është kjo përkatësi toksike që i identifikon përgjithësisht shefat, drejtuesit, ata që kanë në dorë gjithçka me përjashtim të vetes së tyre të pretenduar. A do të shpëtojmë nga kjo rrezik kancerogjen? Këtë do ua tregojnë më me saktësi mjekët dhe statistikat!

Në cilat gjëra e teproni?

Në gjykimin me drejtësi të gjithçkaje, edhe atëherë kur s’kam të drejtë dhe çdo drejtësi keqkuptohet dhe keqpërdorohet. E teproj!

Ndoshta ajo që gjykoj unë se është e drejtë, dhe shpesh jam gati të sakrifikohem për të, mund të mos jetë si e tillë, për ata të cilët duan të kenë gjithmonë të drejtë, edhe pse janë pikërisht ata që kurrë nuk kanë të drejtë dhe gjithnjë ju legjitimohet kjo e drejtë.

Unë kam bërë kompromise në jetë, për shkaqe rrethanore, por pa cënuar atë që është një copëz e identitetit tim. Pavarësisht se drejtësia është e diskutueshme, ajo është tek unë pjesë e humanitetit. Fatmirësisht nuk pyetëm askund, e aq më pak të jem pjesëmarrës për të zgjidhur ndonjë Nyjë Gordiane dreqosjesh njerëzore.

Jo pak e teproj edhe me përkushtimin për të përmbushur një detyrim çfarëdo, pavarësisht rëndësisë. Jepem me mish e me shpirt që gjërave që kanë të shtrenjtën shenjtëri të kohës sime, ta lartësojnë përulësinë në një altar. 

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Do të isha gati të gënjeja për gjithçka, e cila nuk cenon thellësisht integritetin e dikujt tjetër, por më mungon predispozita e domosdoshme për t’i ofruar kaq shumë nga vetja ime një vesi. Nuk më pëlqen gënjeshtra as si një lojë.

Edhe pse nuk e dliri totalisht veten nga nevojë e gënjeshtreës, nuk jam i sofistikuar dhe aq në përpilimin e një gënjeshtre, sa të sfidojë edhe tiparet e mia, të cilat ua shuajnë çdo dyshim që dikush mund të ketë. Askush nga ato që më njohin nuk janë të sigurt se unë kam ndonjë aftësi për të qenë virtuoz në zejen e gënjeshtrës. Jam ai që ua shuaj çdo dyshim gjithkujt dhe është pikërisht kjo që shpesh më bën fajtor edhe për gënjeshtrat që në tërësinë e tyre janë thjesht teka, sepse unë kësisoj tradhtoj karakteristikat e mia shprehëse, personalitetin tim, gjithçka timen, të cilën e kam ngritur me shumë mund dhe shumë sakrifica.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Do të veçoja rrugëtimin e dinjitetit për të arritur te qëllimet e mira. Përpiqem me mish e me shpirt, për të arritur në përmbushjen e ëndrrave të mia, pa cenuar asnjë liri apo përkatësi identiteti të dikujt tjetër. Deri më sot mund të kem bërë ndonjë gabim, shumë madje, por gjithnjë kam patur kurajën të kërkoj përulësisht ndjesë dhe të reflektoj me gjithë thellësinë e qenies sime. Ndoshta kjo meritë nuk më takon vetëm mua, dhe për këtë nuk duhet të mbaj unë kurorën e lavdisë. Kjo është ajo që prindërit e mi zgjodhën që unë të jem. Mirë apo keq, kjo mbetet gjithnjë e diskutueshme. Megjithatë përpiqem çdo ditë dhe me çdo mjet për të latuar me delikatesë dhe pagabueshmëri statujën time.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

“Nuk mund të besoni në Zot nëse e keni të pamundur të besoni në veten tuaj.” Nuk kam dijeni se ky përkufizim është i dikujt, por e kam shkruar dhe injektuar brenda vetes. E pëshpërit sa herë me veten time dhe jam përpjekur, madje edhe duke qenë fajtorë prej pagadishmërisë së ndokujt për të dëgjuar një këshillë të urtë nga një i çmendur, që me durim dhe urtësi përpiqet të jetë dhe të bëjë atë që thotë, atë që ka postulat, dhe që përzemërsisht kërkon ta ndajë edhe me të tjerët. Njerëzit, përgjithësisht, kanë hequr dorë nga përulësia dhe përkorja, si prej diçkaje që e parehaton komoditetin e tyre në një tashmëri kaotike dhe konfuze.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Kam bërë maksimumin për ata që nuk e kanë merituar. Megjithëse pësimet kurrë nuk i bëra mësime, sërish jap sa kam dhe bëj sa mundem, për cilindo që ka mirësinë të më tregojë se vepra ime e përkushtimit ka një vlerë për të. Edhe pse shpesh i shpërblyer me mosmirënjohje, sërish e bëj, i bindur se ata që më përdorin nuk janë aq të shpërblyer sa të jenë të këqij, janë thjeshtë fatkeq. Dhe është pikërisht kjo që thirrjeve të mia të shpirtshme për të bërë mirë, i përgjigjem me devotshmëri dhe përkushtim, kurrë për një kundërvleftë, edhe pse gjithmonë më trazon ai urthi i mosmirënjohjes dhe vlerësimit, jo si vlerë por si akt.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Libri, krijimtaria, pasioni i të shkruarit. Pavarësisht se jeta ime është e lidhur me frymorë, jo gjithmonë kam qenë i denjë për ta dhe rrjedhimisht nuk është se i kam humbur, por kam mbetur rob i marrëdhënies me ta, duke qenë i nënshtruar i një hyjnie të lartë që më ka ndihmuar të vetëkurohem, të vetëvetësohem. Dashurive të mia sublime; libri, krijimtaria, pasioni i të shkruarit, unë jam i gjithi vetja i blatuar, me orar të plotë dhe pa kondita. Ndoshta është një lloj besimi i verbër, tek i cili kam gjetur veten dhe vetja më ka gjetur mua. Përmes këtyre vargonjve, robërimi im ka ditur t’i japë një kuptim të ri lirisë, madje edhe asaj me njerëzit që më rrethojnë. Leximi, shkrimi, krijimi, meditimi, mbushin një pjesë të konsiderueshme të veprimtarisë sime jetësore, aq sa një ditë kam kuptuar se unë jam një viktimë e pasioneve të mia. Shpesh jam përpjekur që ky lloj kërcënimi të mos cenojë jetën e atyre që kanë zgjedhur të jenë pjesë e jetës sime.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Shpesh është një rrëmujë. Ose më saktë, nuk kam dijeni se cila është hera e fundit që unë kam mundur të kemi një evidentim logjik të gjithë asaj gjendjeje dhe reflektimi mendues. Një intenstitet i lartë i veprimtarisë jetësore dhe krijuese, nuk më ka lënë shumë mundësi ta imagjinoj gjendjen time mendore, përveçse si një ekuilibër në bashin e një anijeje që përpëlitet në dallgë. Megjithatë anija ime gjithnjë më jep mundësi të dal në breg, edhe pse i dërmuar nga gjunjët.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Secili nga ne ka diçka për të ndryshuar në jetë. Më së shumti kërkojmë të ndryshojmë fatin, atë që jemi. Papajtueshmëria me shumë gjëra, shpesh e atypëratyshme dhe kalimtare, na bëjnë nervoz dhe gjykatore të fatit tonë, asaj që dikush tjetër kishte të drejtë të vendoste për ne. Por jo, mendoj se çdo përpjekje për të ndryshuar apo për ti ribërë gjërat, veçse do t’i bënte më keq ato. Pra, edhe pse shpesh i kam rënë murit me kokë, dhe gjithmonë ai që ka fituar ka qenë muri, kam vendosur që pajtohem më panevojën por dhe pamundësinë kokëfortë për të ndryshuar diçka.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Arritja ime më e madhe është guximi për të qenë vetja, vetja në një të tashme që përpiqet në maksimum të të ndryshojë. Mund të kem pafund gjëra, me të cilat të tjerët nuk ndihen komod, por jam vetja, ajo që është e pagabueshme në atë që bën, pavarësisht se si konverton në marrëdhënie më të tjerët. Ata nuk mund të duan me çdo kush se çfarë duhet të jem unë. Edhe vetë natyra e kërkon dhe e bën këtë, por ama në një proces të gjatë evoluimi.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Të përmbushja ëndrrën time të bëhesha piktor, një ëndërr e vrarë padrejtësisht në fëmijëri nga im at. Fatmirësisht mu vra kjo ëndërr atëherë kur nuk kisha asnjë ide apo mundësi të ndihesha i vrarë. Kujtesa më kthen pas sa për të më rrëmuar plagën që më dhemb, por jo për të më kthyer çfarë më ishte mohuar. Sa herë që kërkoj të bëj me faj fatin apo një person të përvetshëm, si shkaktarë të asaj çfarë unë nuk u bëra, ndihem në pendim për mendimet apo fjalët gjykatuese. Megjithatë, sot, e ndjej deri diku të plotësuar këtë ëndërr, pasi jam shumë i lidhur me pikturën dhe materialet e mia vëzhguese apo mëtuese, por edhe krijimtaria, veçanërisht ajo poetike, janë shprehje e penelatave të mia të shpirtshme. Mu mohua mbajtja e një peneli dhe një kavaleti, por shpirti dhe fjala u bënë tablo e kumtimit tim krijues.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Do të preferoja të isha një hartë thesari. Më ka grishur gjithnjë misteri dhe aventurat, ai shpirt i paepur ngulmëtarësh, por përmbi krejt këto, ai shpengim i jashtëzakonshëm i shkrimtarëve për të fshehur thesaret dhe ballafaqur botën më atë shpirt sfidues njerëzish, jo dhe aq për tu bërë të pasur, se sa për të provuar, se deri në çfarë skaji të botës i shpie njerëzit pasioni, zjarri për të madhërishmen që shpërthen në vezullimin verbues të sendeve me vlerë dhe diellin e përmbushjes së ëndrrës.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Familja është gjëja më e shtrenjtë. Nuk mund të ishte e plotësuar vetvetja ime pa të. Është pikërisht ajo që i behet potencial energjish synimeve dhe pasioneve të mia. Dedikimi ndaj saj është plot përkushtim dhe përgjegjësi, edhe pse jo pak herë ndihem në pendim për ndonjë pamjaftueshmëri të prezencës. Gjithsesi teprimet e mia kanë gjetur një lloj toleromi tek të shtrenjtit e mi, të cilëve ua kam zhvatur atë pranim, shpesh edhe me ndonjë hatërmbetje apo trazim. Nuk është e lehtë në një familje të gjendet një akomodim i rehatshëm për një të çmendur, jeta e të cilit janë fjalët,  dhe gjithçka prej letre.

 Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Injoranca është mjerimi më i madh. Nuk ka të keqe tjetër që mund ta rivalizojë atë. Ajo i bëhet qëllim i çdo të keqeje dhe arritje e çdo synimi të lig. Shpesh injorancën e konsideroj si një pushtet që disa të ditur e përdorin për të ruajtur të paprekur lavdinë e Olimpit të tyre. Nuk është vetëm varfëria fatura e vetme që paguan injoranti, por edhe gjithçka tjetër, e cila i’a vështirëson të tashmen dhe i’a pamundëson të ardhmen. Përpjekjet për t’u çliruar nga këto vargonj, dukshëm paraqitet jo mjaftueshëm, me qasjet kah një nevojë yshtur nga kohshmëria. Shpesh injoranca injoron çdo demarsh për të rrokur një matshmëri më të thellë drite, me bindjen e verbër të mjaftueshmërisë.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Dëshira ime do të ishte të jetoja në një vend vetmitar, i rrethuar nga heshtja dhe natyra. Më mjaftojnë pak gjëra për të qenë i lumtur, por dua pak, fare pak zhurmë, pak, fare pak njerëz më mjaftojnë për të pranuar veten si pjesë të realitetit. Ndihem si i zënë në grackë nga jeta metropolitane, nga zhurmat, nga përditshmëria e vërshimtë, nga moderniteti me gjithë gjasshmëritë e shprehjeve të saja dhunuese. Natyra dhe qetësia janë dashuritë e mia të madh. Në gjirin e tyre do të ndihesha në paqe me veten dhe me botën. Lus Zotin të mos vdes pa e përmbushur këtë ëndërr, edhe pse gjithnjë e më e pamundur më shpërfaqet në vetëdijësimin e racionales. Le të shpresoj te mrekullitë.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Vullneti. Për sa e njoh veten, shquhem për një vullnet të fortë, kuptuar si mundësi për të administruar mjaftueshëm mirë veten. Një jetë e vështirë me shumë privacione, me fare pak ose aspak mbështetje për të sfiduar, ka zgjuar tek unë atë lëndë të fortë qëndrese për t’iu kundërvënë gjithçkaje me çdo çmim. Shumë prej arritjeve të deritashme i’a dedikoj këtij potenciali. Fatmirësisht kam patur dhe kam gjithnjë rreth vetes njerëz që janë ndjerë të kërcënuar nga ai çfarë isha, ai që jam, dhe ajo çfarë bëj. Kurrë nuk mu bë prezente vlerësimi dhe admirimi, ndoshta nga frika se uni im cenonte territoret e ambicieve të tyre, edhe pse nuk më ka plasur farë për zgjerime zotërimi. Më ka mjaftuar ajo kafshatë e botës që kam pranuar si shpërblim.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Një familjar të përkushtuar dhe një bashkëshort i devotshëm, një mik i mirë dhe një bashkëpunëtor i ndershëm dhe besnik. Patjetër dhe një qytetar model, i thjeshtë, i edukuar, i vendosur në përmbushjen e atyre që janë obligime për të. Ndoshta do të vlerësoja te ky burrë sa më pak nga ajo që na la barrë dhe brengë mendësia e të shkuarës. Ky burrë duhet të tregojë me dinjitet se meriton atë që është, edhe pse jo pak herë atij i është dashur të heq dorë nga shumë krenari për të marrë çfarë e pretendon si të tijën.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Te një grua do të vlerësoja sinqeritetin. Një bashkëshorte e devotshme dhe e përkushtuar, aq sa është e mundur të ofrohet prej sa në lidhje me të qenin e pranishme në veprimtarinë jetësore. Por po kaq e rëndësishme tek ajo është misioni i nënës. Një nënë është një shenjtore dhe si e tillë ajo duhet të blatojë shumëçka nga vetja për ta merituar altarin e nënës. Çdo ditë e më shumë të sotmen po e mjeron prezenca e kësaj gruaje. Ne i përkasim fatkeqësisht atij brezi që patëm si idhull të dashurisë dhe përkushtimit, devotshmërisë dhe ndershmërisë, thjeshtësisë dhe përulësisë, nënën. Kjo grua është në papajtueshmëria dhe papërputhshmërie me modelin që i ka detyruar e tashmja dhe e ka pranuar ajo me një gjithëpranueshmëri të shumëdëshiruar. Ajo, gruaja, më në fund është e lirë të jetë grua, por pa mundur ta meritojë nënën; të jetë bashkëshorte, por pa mundur të jetë mjaftueshmërisht e pranishme në përmbushjen e obligimit që ka ajo; të jetë sipërmarrëse e suksesshme, por pa arritur të sakrifikojë aq sa i kërkohet. Megjithatë ajo sot është e lirë dhe ka lirinë dhe gjithçka tjetër që meriton, madje edhe atë liri që i jep asaj lirisht të drejtën të zgjedh se çfarë dëshiron të jetë dhe si të ndeshet për të fituar ndaj çdo kërcënimi.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Do të ishte një gomarllëk të guxoja kaq shumë, të tregoja me nominim, se cili është shkrimtari i preferuar. Ata janë kaq të shumtë dhe veçoritë e tyre admiruese kanë lidhje me specifikat e secilit. Do ta kisha sa të vështirë aq dhe të pamundur që mes gjithë asaj begatie të botës së dijes dhe dritës, shpirtjes dhe krijimit, të përzgjidhja, se cili prej vezullimeve në zemrën time ngroh më shumë dhe shndrit më thellë. Jo, nuk do të mund ta bëja, jo i druajtur se do të ngrihen nga prehja e përjetësisë të më vështronin vëngër, për fjalët që s’thashë për ta, dhe qiellin që i’a mohova lavdisë së tyre. Natyrisht ka prej tyre që janë aq gjakftohtë dhe të vendosur për të vënë në sinorë gjithësinë. Unë e kam të pamundur.  

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Heronjt e mi të vërtetë janë ata që përpiqen me mish e me shpirt për të arritur synimet që ata kanë në jetë. Pavarësish përkatësisë dhe statusit social që kanë, pavarësisht se çfarë kanë zgjedhur të bëjnë dhe me çfarë të përfaqësohen. Shumë prej tyre lindin dhe vdesin në anonimat, por vepra e tyre e qytetarisë ka qenë dhe mbetet më dinjitoze, se sa e të gjithë atyre që janë gozhduar në ekranet e televizionit me mikrofon në gojë, apo asaj krijese që zhagitet në baltovinën e lavdisë fars të virtualitetit.

Heronjtë e mij e sfiduan jetën me kryelartësi pa u fyer nga shumë pamundësi dhe jeta modeste që bëjnë. Ata hanë bukë e djersë. Ata gjithnjë i gjen në skalionin e parë të luftës për të drejtë, edhe pse ata janë viktima e vetme e të gjitha betejave të dinjitetit. Gjithnjë më ka befasur vullneti me të cilin ata përpiqen, vendosmëria dhe besimi, me të cilin ata luftojnë. Edhe pse atyre u bie gjithnjë të rrëzohen, janë të vetmit të mbetur në këmbë. 

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Do të dëshiroja të kisha talentin e mashtruesit, atij rrufjanit të paskrupullt dhe dallaveraxhiut mendjeerrët, keqbërësit gjakftohtë dhe servilit të neveritshëm. Në një farë mënyre do të doja atë talent që më mungon, atë i cili ka bërë të mundur, që shumë të arrijnë përmes një shtegu të ngushtë dhe rrugë të shkurtër, të shkojnë aq larg dhe të ngjiten aq lart, sa të bëhen të zotët e vetes dhe zotër të fatit tonë.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Realisht nuk kam kurrfarë dëshirë të vdes, por meqë duhet të kem një dëshirë për të vdekur do të dëshiroja të vdisja duke shkruar ose duke lexuar.

Cila është motoja juaj?

Beso te ëndrrat tuaja dhe është pikërisht besimi ai që do të bëjë të mundur përmbushjen e ëndrrës. Utopike ngjet, por unë besoj se çdo realitet mahnitjesh ka ardhur në jetë nga pasioni dhe besimi në ëndrra.

ObserverKult

Lexo edhe:

AFRIM DEMIRI: KAM FRIKË, NGA NJERIU QË KA FRIKË…