Alisa Velaj: Kuartet për një burrë vjeshte

alisa velaj

~1~

BURRË VJESHTE


Burri i vjeshtës shpërthen në zemëratë gjethesh.
Zemërate e kuqërremte.
Me zemër dhe gjak në kapilarë.
Gjethe të heshtura gjithandej.
Mbeshtetur në shpatullat e tij, i ndjej erën e shiut nëpër flokë.
Vjeshtohem dhe më.

Një orkestër e largët nxeh gjethet rrotull trungjeve dhe ato të marrat, hovin përpjetë.
Nëpër sytë e tu më pak vjeshtë tani.
Zërat e muzgut të flenë në iris të syrit.
Si dy zjarre të vegjël, të vegjël irisët. Xixellonja nëpër mbrëmjet e shpatullave të tua.

Do vjeshtohem për ty, për mbrëmjet, për gjethet e marra dhe për vete.
Patjetër nëse do të mundem, patjetër …

~2~

SOLEMN SI TETORI



Burri i vjeshtës më rrëfen se është tetor.
Tetor solemn i qiejve dhe i tingujve:
“Edhe për pak do të kemi kaq shumë qiell”, më shpall me zërin e përgjumur mbi nënkresë.
“Duhet të përtypim sa më shumë qiell, apo jo?”.
Ai buzëqesh si ag i porsaçelur mbi liqen dhe heshtohet befas.

Është bir fjalësh burri i vjeshtës dhe paqtohet si ujërat pasi rrëfen diçka.
Qenka tetor dhe ai do që unë ta di këtë.
Unë e di, po dua të ma thotë ai medoemos.
Sa herë tetori vjen dhe sa herë tetori del.

Burri i vjeshtës sime kërkon prej meje tinguj.
Prandaj i trembet tetorit. Shtegtimit të së kaltrës ndaj i zemërohet.
Unë, unë mbledh tinguj për vete dhe për ne.

Burri im i vjeshtës është më solemn se nëntori.
Ashtu është ai kur ka kumtuar diçka.
Diçka të trembur si qiejt e tetorit.


~3~

GËZOHEN DHE QIEJT


Më vjen përherë pranë shpendëve ky burrë vjeshte.
Është kushëri i afërt me flamingot ai.
Ato brofin mbi liqen sa e pikasin për së largu.

Flamingoja flamingon e ndjek në vallëzim që gëzimi i liqenit të mos ketë mbarim.
Sa herë e pikasin për së largu atë, sa herë…

Liqen pa flatra të përflakura s’mund të ketë.
As burrë vjeshte pa vallëzim flamingosh.
Përmbi qiparisa, gëzohen dhe qiejt…

Ah burri im i vjeshtës, plot hymne gëzimi!

~4~

SHTËPIA DO KËNGË

Këndoje një hymn në mbrëmje, burrë vjeshte!
Shtëpia do këngë të mbahet në këmbë.

Mes drurësh, mes drurësh gjethet prush të vjeshtës,
ca tinguj të zjarrtë e dimri u trëmb.
Shtëpia të mbahet në këmbë do këngë.

Foshnjë që gugat e brof në krahë dashurie,
at i dehur me fryt hardhie e lëng vjeshte,
është shtëpia prej kulmeve në kopshtije.
Mes drurëve shtatlartë nē ahishte.

Shtëpia është nënë, është stinë e këngë,
trup i gurtë, i butë që harrimi s’e prek.
Mes ahesh rrëshira trishtimet i tret.

Burrë vjeshte, këndoje një hymn në themele!
Shtëpia të ngrihet në këmbe do këngë!

ObserverKult

Lexo edhe:

ALISA VELAJ: QIPARIS QIELLI E ARKITRAU
ALISA VELAJ: MOS I LEXO MUZGJET, I DASHUR