Altin Basha: Në teatër është zbehur fryma e Kujtim Spahivoglit, duhet kërkim

Fryma e Kujtim Spahivoglit në Teatrin Kombëtar Eksperimental është zbehur”. Kështu shprehet drejtori i ri i TKEKS, Altin Basha, i cili prej pak ditësh ka nisur detyrën e re, duke zëvendësuar ish-drejtorin Kiço Londo, i cili qëndroi në këtë pozicion për 6 vjet rresht.

Thirrjes për pjesëmarrje në konkurs për postin e drejtorit, nga ana e Ministrisë së Kulturës iu përgjigj drejtori, deri atëherë në detyrë, dhe regjisori Altin Basha. Ky i fundit gjeti aprovimin e komisionit, ministres së Kulturës, Elva Margariti, e cila e propozoi pranë qeverisë dhe firmën e kësaj të fundit. Drejtori i ri u prezantua ditën e martë nga ministrja Margariti në ambientet e ArTurbinës, ku është strehuar përkohësisht. I pranishëm ishte edhe ish-drejtori Londo, i cili nuk e fshehu keqardhjen që po linte atë që ai e quajti “shtëpia e tij”, por u shpreh se do të ngrejë një tjetër teatër, por jo në Tiranë.

Gjatë kësaj ceremonie, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Basha u shpreh se eksperimenti dhe kërkimi artistik do jenë në themel të këtij teatri. Ai ndau me gazetarët edhe platformën, me të cilën garoi për postin e drejtorit.

EKSPERIMENTI

“Mendoj se prej kohësh TKEKS ka ekzistuar mbi një paradoks. Ai është shkurtimi i emrit nga TKEKS në TKE. Natyra eksperimentale dhe më keq se kaq, fryma e Kujtim Spahivoglit, janë zbehur. Për më tepër, vitet e fundit produksionet e TKEKS nuk kanë asnjë ndryshim nga teatrot e zakonshme të ndonjë province. Teatri shqiptar në tërësi ka humbur kërkimin artistik. Kemi shumë pak kërkime të mirëfillta regjisoriale, dramaturgjike, aktoreske apo skenografike”, shprehet Basha.

Sipas tij, TKEKS ka nevojë urgjente të ripozicionohet në hartën e institucioneve të teatrit në Shqipëri. Për këtë qëllim, Basha synon hapjen e TKEKS ndaj regjisorëve pararojë mbarëshqiptarë dhe atyre bashkëkohorë rajonalë, krijimin e kushteve për një laborator të regjisë bashkëkohore, hapjen e TKEKS ndaj bashkëprodhimit të projekteve me sipërmarrje pararojë europiane, zgjerimin e prodhimit me disiplina të reja teatrore. Altin Basha ndalet edhe te drama shqipe, që prej kohësh është bërë objekt debatesh. Sipas tij, ajo duhet të jetë patjetër pjesë e kalendarëve, por edhe e nismave për nxitjen e saj.

“Asnjëherë nuk e kam kuptuar se cila ka qenë arsyeja e mungesës së dukshme të dramës shqipe në skenën e TKEKS. Së pari si detyrim dhe më pas si hapësirë kërkimi, drama shqipe ka munguar pa arsye në repertorin e TKEKS. Ekziston një brez i ri dramaturgësh shqiptarë, të cilët shkruajnë drama cilësore dhe moderne, por ata nuk kanë pasur vëmendjen e duhur për t’u promovuar. Dramaturgu, ashtu si artistët e tjerë teatrorë, rritet bashkë me projektin. Duhet ndjekur e gjithë tradita e teatrit elisabetian dhe klasik francez në rimëkëmbjen dhe kultivimin e dramës shqipe. Drama duhet shkruar në skenë jo vetëm nga dramaturgu, por nga e gjithë trupa teatrore. Në këtë drejtim mendoj se disa hapa mund të ishin: Laboratori i dramës për fëmijë, adoleshentë, të rinj dhe të rritur; Takimi vjetor i dramaturgëve të rinj; Drama dokumentare ose drama e kujtesës; Botimi i një antologjie të dramës moderne shqiptare”.

PUBLIKU

Një vend të veçantë në platformën e tij, Basha i ka kushtuar publikut, duke nënvizuar se një institucion kombëtar që nuk mendon për publikun, është i destinuar të dështojë.

“Ka një debat në vazhdim mbi rëndësinë e publikut në institucionet e prodhimit të artit. Kush e përcakton shijen e publikut? Është institucioni ai që drejton shijen e publikut apo është publiku ai që përcakton shijen dhe natyrën e produksioneve? Të dyja qëndrimet meritojnë vëmendje, por një gjë është e sigurt, asnjëherë në institucionet e teatrit nuk është ndërtuar një marrëdhënie dialogu mes publikut dhe institucionit”, shprehet Basha.

“Vendosja e një dialogu të qëndrueshëm dhe zhvillues mes TKEKS dhe publikut duhet të jetë baza e një menaxhimi koherent. Njohja e shijeve të atij për të cilin punon, do na krijojë mundësinë që të projektojnë në mënyrë vizionare repertorin dhe prodhimin në TKEKS. Mendoj se në këtë drejtim duhen ndërmarrë disa hapa”, thekson drejtori Basha.

Sipas tij, duhet krijuar një bazë të dhënash të publikut të TKEKS, duhen ndërtuar pyetësorë ku të adresohen disa çështje thelbësore mbi nivelin dhe natyrën e produksioneve që ata pëlqejnë, duke krijuar dialog të vazhdueshëm me publikun mbi risitë dhe projektet e ardhshme të TKEKS.

Po ashtu, për Bashën është i rëndësishëm krijimi i kulturës së diskutimit, kritikës dhe debatit mbi shfaqjen teatrore. Nëpërmjet dialogut me publikun, thotë ai, të përcaktohen sukseset e vitit dhe promovimi i artistëve të preferuar.

Basha propozon ndarje në fasha moshore dhe për rrjedhim adresimi më i mirë i shfaqjeve dhe natyrës së produksioneve.