Ambra Hysa: Dëgjoje baladen teme të bardhë…

Dëgjoje baladen teme të bardhë,
nji ditë pranvere,
kur mendon se të kam harru.
Pikërisht atëherë,
kur nji aparat ndjesish të pazakonta,
ke vu në vend të shpirtit,
e freskia e pranisë teme,
të vjen përmes kujtesës së tingullit.

Dëgjoje baladën teme të bardhë,
pikërisht atëherë,
kur mendon se më ke harru,
ajo e pafajshme tek ti ka me ardhë,
si mysafir që nuk e ke ftu.

Dëgjoje baladën tonë,
kur nuk e ke mendjen,
je në makinë apo në rrugë,
kur stresi i ditëve të ka nxanë,
kur të mos kesh kohë as me e dëgju.

Dëgjoje baladën e bardhë,
dhe pyet: “Prej cilit qiell ra”?
Dëgjoje,
dhe ndize llampën e zemrës,
kushedi,
mos ke me më pa.

Të shpërndahet aromë e saj,
dhe ti dëgjoje,
si depërton në gjak,
si ti njeh skutat e zemrës,
si puth si ëngjëll,
si nuk merr hak.

Dëgjoje baladën tone,
në stinën e mallit,
si ti zbut ditët,
si me flokët e nostalgjisë,
ia harrnon vetmisë vitet.

Dëgjoje,
dëgjoje si refren,
pa u zgju dita,
pa ardh hala nata,
kur qerpikët janë të lodhun,
kur përkundesh nëpër andrra.

Dëgjoje baladën tonë,
rastësisht dhe qëllimisht,
e nëse je burrë,
mos ki turp të qash,
qaj dhe unë pafundësisht.