Dikur fjalëpak dhe e tërhequr, sot, aktorja Anisa Ismaili është sinonim i gruas së fortë, plot vullnet, mirësi dhe dashuri. Ndjeshmëria, mirësia dhe humanizmi, janë veçoritë thelbësore që e karakterizojnë Anisën. Dhe, jo rastësisht ajo këtë bisedë e pëfundon me: “Me dashuri nga unë – Anisa!”
Intervistoi Vlora Ademi
Anisë, kur e ke kuptuar që ti je e lindur për aktirim? Kur i ke thënë vetes me plot siguri “Ti duhet të bëhesh aktore!”
Sa pyetje e mirë që është. Kah viti i dytë i shkollës së mesme e kuptova që dua ta studioj aktrimin, por natyrisht që as shoqeve e as familjarëve nuk ju thashë asgjë. Mendoja se po që se e tregoj dëshirën për aktrim, nuk do të realizohet. Kështu e shtyva dy vjet derisa më erdh viti i fundit i shkollës së mesme. Fillova të flas pak për aktrim, por prap thoja “jo, as vetë se di, ndoshta do t’a studioj gjuhën angleze”. Mendoj se më së vështiri e kam pasë kur ju tregova prindërve të mi. Babi im, i ndjerë tashmë, tepër tepër u gëzu “çika jeme aktore, çika jeme…”, përderisa mami im ishte më pak etuziaste, për shkak të natyrës sime tejet të butë, të tërhequr, fjalë pak… Ja kështu ishte atëherë Anisa 17 vjeçare. Hahahaha…
“Respektoje veten që të respektojnë të tjerët”, ma tha mami. Këtë thënje, ende e mendoj shpesh.
Pse aktrimi, e jo një profesion tjetër?
…nuk e di. Them, mendoj, ndoshta po t’a nisja nga e para, ose të isha ende një çikë 17 vjeçare që duhet të vendos vet për jetën time, nuk besoj që do e zgjidhja këtë profesion. Është mjaft i vështirë dhe aspak jo falenderues, as nga ata që të ofrojnë role, e as nga vetë njerëzit. I vështirë si profesion! Shumë kërkues, e në anën tjetër jo edhe aq profitabil. Përkundër që tanimë janë zgjeruar edhe punët për aktorë, me reklama, me produksione etj…
Eksperienca jote e parë në skenë?
Isha në vitin e parë të fakultetit, semestri i dytë dhe neve vajzave të klasës, na u ofrua një rol me një shfaqje, që të ishim pjesë e një “ëndrre” me një shfaqje diplomë… O Zot i maaaaaaadh!, ajo për ne ishte një ëndërr e realizuar, do të mernim pjesë në teatrin Dodona. Paraqitja jonë zgjaste vetëm 2 minuta në skenë, plus ajo paraqitje mbulohej edhe me tym skenik, që do të thotë, ne as që vëreheshim që ishim aty, por kjo nuk na pengonte… juhuuu! do të dilnim në dërrasat e teatrit. Në fund të shfaqjes ne përshëndeteshim, e publiku na duartrokiste me mendjen se kah dolën këto çika se…. hahahahah…
Ende e ruaj trëndafilin e parë skenik që e mora atë natë.
Po ajo e fundit, deri tani që po e realizojmë këtë intervistë?
Sa filluam një shfaqje që titullohet “Vanja, Masha, Sonja dhe të tjerët” nga Cristopher Durang, në 2021, e menduam ta punojmë diku në ndonjërin nga teatrot tona, si produksion të jashtëm, fatkeqësisht nuk na “pranoi” asnjë menaxhment dhe në fund vendosëm që ta japim vetëm si lexim skenik, të punuar bukur shumë. Atë e dhamë vetëm një herë në TKK, në skenën e vogël. Kalova tepër tepër mirë me ekipën në tërësi, shumë mirë ama, sepse gjatë asaj kohe shpesh mbanim edhe prova online.
A ka ndryshime gjatë kësaj periudhe?
Mendoj që ndryshimi është i madh. Tani ka teatro më shumë, pastaj punohet në më shumë fusha artistike, performanca në rrugë, tani ka festival edhe të teatrove, edhe të filmit, seriale të ndryshme. Pra, pothuajse çdo muaj këtu kemi gjëra të ndryshme dhe aktorët kanë hapërisa më shumë.
Cila është gjëja e parë që bën para se t’i qasesh një roli që të ofrohet?
Ulem në qetësi dhe e lexoj me shumë kujdes tekstin, sepse ashtu duke e lexuar në kokë e krijoj pak një vijë të karakterit. Ashtu na ka dhënë një mësim profesori Faruk, i cili na thoshte se qysh në lexim të parë arrin ta krijosh rolin. E unë ashtu e vazhdoj ende. Dhe natyrisht, pastaj pjesa kryesore është puna e shumtë në skenë….
E përmbushur me rolin e Tanjës dhe Silvias
Cilin nga rolet e kishe veçuar dhe pse?
Ëëëë… mendoj që do të ishte roli i Tanjës në shfaqjen “Motra e Katërt”, të cilën e kam punu shumë e shumë, dhe të them të drejtën kam marë shumë komlpimente nga kolegët e mi. Dhe gjithashtu roli i Silvias në shfaqjen e diplomës “Dashuritë e Xhorxh Washingtonit”. Hej, kemi edhe role tjera hahahahaa… .
Po nga regjisorët?
Natyrisht që kisha fat të punoj me shumë regjisor të ndryshëm, më të vjetër e më të rinj, nuk do të veçoja ndonjë emër, por e kam një fat që ata ose ato ndahen të kënaqur me mua. Më thërrasin të jem pjesë e ndonjë projekti përsëri….ose qe besa disa nuk më kanë thirrë më… diçka nuk qenka në rregull, nuk ju paskam “pëlqyer” edhe aq shumë. Hahahahaha.
Krahas aktrimit dhe emisionit “Aventurat tona”, Anisën e ke angazhuar edhe me vullnetarizëm. Na e përshkruaj edhe këtë eksperiencë. Nismën, motivin…
Aktrimi dashuri e parë në jetë.
“Aventurat Tona” një dëshirë dhe një ëndërr e realizuar. E kam pasion dhe dashuri gjithashtu punën me fëmijë. Tekstualisht shkrihem e tëra gjatë punës dhe realizimit të emisionit. E adhuroj. Pas çdo xhirimi, pyetjen e parë që ju bëj fëmijëve është – “a u kënaqët edhe ju si unë? “. Sepse në fund të ditës aty dua të jetë edhe qëllimi i këtij emisioni, që fëmijët të ndihen mirë, të aktrojnë paksa gjatë xhirimit dhe tu mbetet një kujtesë e bukur nga unë.
Vullnetarizmi… e kam dashni të lindur brenda meje. Shumë shpesh jam pjesë e aksioneve të ndryshme vullnetare, qoftë për pastrim, qoftë për ndihmesë për ndonjë familje.
Tash e 10 vjet kur e festoj ditëlindjen (dhe asaj i gëzohem si fëmijë), mbledhi fonde për një nanë vetushqyese dhe në fund të ditës asaj ia dhuroj ato. Përveç që asaj gruaje, silado qoftë që ka nevojë ia shtoj një gëzim në fytyrë, unë edhe veten time e pasuroj me uratat që marr prej saj dhe fëmijëve të shtëpisë. E si të mos bësh edhe më shumë punë vullnetare pas kësak ndjesie.
Për mbledhje të fondeve gjithmonë, ama gjithmonë më ndihmojnë familja ime dhe shoqëria ime. Pa ta nuk do arrija të siguroj asnjë cent. Andaj edhe këtu i falenderoj shumë!
Ti dhe proza?
E dua shkrimin. Shkruaj prozë sepse e mendoj që ndonjëherë unë jam vetë prozë. Kur rrjedhi unë, me punë, me momente, me erengji që kam, me dashni ndaj natyrës e njerëzve. Pra vet proza. Shpesh shkruaj në mendej e mandej ngutem me e qitë në letër se mos po e humbi mendimin dhe prozën.
Dhe për fund, cilat janë tre gjëra që Anisa do t’i kishte ndryshuar po që se do t’i binte në dorë një shkop magjik?
Ah, sa do të doja të kisha një shkop, por të vërtetë. Do ti ndalja këto luftëra të poshtra në botë.
Do ta zhdukja varfërinë një herë e përgjithmonë e të mos shohim lypsarë dhe të dëgjojmë se sot kaq njerëz vdiqën prej urisë. Kjo është shumë e dhimshme.
…dhe natyrisht me një klik( qiriba qiribu) të shkopit magjik ,do të gjindesha herë pas herë në Amerikë, për vizitë tek Melisa në San Diego dhe tek Dalmati në River Side.
Nuk po kërkoj shumë?!
Me dashuri nga unë – Anisa!
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
FILMI “NË KËRKIM TË VENERËS” FITON ÇMIMIN SPECIAL NË ROTERDAM