
Jeta ime që s’të zhyta
Në llum e në baltë,
Por as dot nuk të gostita
Me llokum e mjaltë.
Jeta ime. Të dy ecëm
Si dy të harbuar.
Diku ramë e diku ngecëm,
Po prapë jemi çuar.
Jeta ime, jeta ime
Qilim dot s’të shtrova,
Nëpër mjegull e gjëmime
Si i marri shkova.
Pak na mburrën, pak na deshën
Sa shumë që na shanë.
Ne të sharat i përqeshëm
Kokën hiç s’e çamë.
Jeta ime, jeta ime
S’të bëra nallane
Po të vesha me blerime
Në shi e tufane.
Nuk të fsheha në një strofull,
S’të blova në mokër
Dhe pse kishim rreth e rrotull
Mijëra mediokër.
Le të ecim, kohë s’kemi
Që t’ia fusim gjumit,
Le të ndezim, sa të jemi
Një dritëz mes llumit!…
ObserverKult
Lexo edhe:
ROBERT SHVARC: TI MOS MË PYET GJITHMONË NËSE TË DUA SHUMË

Ti mos më pyet gjithmonë
nëse të dua shumë-
sikur kjo lidhja jonë
që qenkej erë a shkumë!
Ti mos më pyet asgjë,
por shihmë veç në sy –
aty do të gjesh Ti Një,
që të shëmbëllen veç TY.
ObserverKult