
T’i njof tana ngjyrat, hanë,
po apet dal me t’i pa,
me i pa edhe ato ngjyra
që m’vjen mendja se i fsheh prej meje.
Hanë,
sonte je e kuqe,
ama s’je ti,
asht reflektimi jem
mbi botën e përçudnueme.
Unë jam e kuqe n’hesapet e mia,
n’të netët pa hanë,
t’u i numru t’metat
e vërtetat
që i mbaj.
Hanë, pse s’munesh me qenë
ma shumë e kuqe,
që unë me u ba ma shumë ajo -
ajo e andrrave, e mendjes së pafiltrueme,
ajo që sheh përtej kornizave t’jetës,
e kuqja e rrallë e hanës,
e
jo veç n’andrrat e mia.
E zakonshme jam ditëve me diell,
e ti je hanë e kaltër,
herë e bardhë,
herë e artë por gjithmonë ti,
n’qiellin tem t’natës.
ObserverKult
Lexo edhe:






