Arta Agani: Asgjë nuk ka mundur të ndalë punën time

Intervistë me Arta Aganin, ish-drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Intervistoi: Zamira Rexhepaj

Jeni ndër dizajneret e para në Kosovë. Si filloi ky rrugëtim i juaji?

– Jam magjistër i dizajnit grafik, ai është pasioni im i parë. Nuk e di a jam ndër të parat por e di se në atë kohë rrallë kush kishte interesim për këtë profesion, sidomos vajzat. Dizajni grafik në vitet e ’90-ta ishte diçka e re, diçka e bukur, që printohej, vizualisht komunikonte ide dhe ngjarje dhe kjo ishte fascinante për mua në një kohë të zymtë si ajo periudhë.

Në asnjë moment nuk kam konsideruar se mund të jem në ndonjë profesion tjetër. Besoj se njeriu nuk e zgjedh të jetë pjesë e botës kreative, thjesht je aty.

Përveç magjistraturës kam dhe diplomën nga Universiteti Donau në Krems të Austrisë për programin e certifikuar “Menaxhim dhe Dizajn Ekspozitash” – një profesion që në Kosovë nuk konsiderohet ende.

Pos kësaj, dizajni është art dhe arti është dizajn. Nuk ka mënyrë që këto dyja të mos funksionojnë së bashku. Çdo dizajner është edhe artist sepse është vizualisht i ndjeshëm dhe problematikat i shtjellon në formë vizuale. Pavarësisht që mjetet e realizimit janë të ndryshme… Mendoj se edhe profesorët e mi si Xhafa, Nimani, Salihu, Krasniqi, Vokshi etj., arritën të kultivojnë disa kualitete të larta aq sa ishte mundësia tek gjenerata jonë e sistemit paralel, si gjatë studimeve në vitet e ’90-ta. Si rezultat unë krahas me dizajn i kam dhënë rëndësi edhe artit, në mos më shumë. Kam përcjellur dy shtigje në jetën time profesionale e ajo e dizajnit më ka bërë të gjej veten si mësimdhënëse e lëndës Tipografi në Akademinë Evolucion, me kolegë dhe studentë të mrekullueshëm ku tanimë po hyj në vitin e 15-të të punës.

Për mua, mbi të gjitha është me rëndësi të jem në një proces kreativ dhe më sjell lumturi çdo veprimtari kreative, qoftë ajo dizajn, art, kurim apo tekst për artin.

Cilat janë punët e juaja artistike me të cilat do të dëshironit të identifikoheshit?

– Unë jam marrë me art jo konstant por me faza, dhe besoj se do t’i kthehem prapë. Në vitet 2001-2012 kam krijuar një numër pikturash, vizatimesh, pesë video arte, katër instalacione. Është video arti “Bioritmi” në të cilin paraqes tri fazat e shtatzënisë sime me vajzën në vitin 2004, pamje në ultrazë. Pastaj e kam për zemër edhe videon Balkan Paradise që trajton temën e ndërtesës ilegale-kishës në kampusin e Universitetit në Prishtinë. Video tjetër ’42 trajton temën e lëvizjes së lirë dhe izolimit tonë bashkëkohor. Periudha që pasoi ishte një periudhë e transferuar më shumë në menaxhim në organizatën ku punoja dhe pastaj në Galeri kështu që nuk kam pasur kohë të merrem me art. Interesimi im është zhvilluar drejt bërjes së ekspozitave dhe hulumtimit të përmbajtjes së veprave të artit si dhe narrativat që i prodhojnë veprat e artit në relacion mes veti. Kurimi dhe shkrimi për art është fusha në të cilën kohëve të fundit jam më aktive dhe po ndihem mirë me këtë. Kam dëshirë të bashkëpunoj me artistë të cilët punën e tyre e realizojnë pas një hulumtimi të elaboruar të ndonjë femonemi që iu intereson. I tillë mendoj se është i pranueshëm arti sot, si fuqi lëvizëse drejt një shoqërie më të mirë.

Si ka ndryshuar perceptimi ndaj dizajnit përgjatë viteve?

– Definitivisht ka filluar të konsiderohet si profesion i rëndësishëm botërisht meqë marketingu dhe relacioni me publikun janë bërë pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së çdo biznesi e korporate, kështu që ato nuk mund të mbijetojnë pa dizajn komunikimi në një realitet të ri ku paraqitja digjitale është çdo gjë. Dizajni si disiplinë ka evoluar shumë. Kur ne mësonim për dizajn ai quhej grafik meqë ne mësonim për të dizajnuar gjëra që përfundojnë në shtyp. Ndërsa sot, shtypi është një pjesë e vogël në zhdukje e sipër, e procesit të krijimit të brendeve e reklamave të ndryshme, pra po, sepse bota është digjitalizuar. Falë aplikacioneve të ndryshme tani dizajn mund të bëjë çdokush. Normalisht dizajneri i shkolluar di se si të përdorë elementet e dizajnit më mirë se të tjerët, derisa ata ende paguhen shumë pak nga kompanitë ku punojnë, për një punë që kërkon para së gjithash talent por edhe shumë punë dhe durim. Megjithatë profesioni perceptohet shumë më pozitivisht sesa që është perceptuar në vitet e ’90-ta kur ende ishte i panjohur si profesion dhe nuk vlerësohej mjaft as nga klientët as nga rrethi i gjerë. Ka raste kur ende, më referohen si “piktore, po di me punu edhe me kompjuter” .

Keni qenë drejtoreshë e Galerisë Kombëtare e Kosovës, cilat ishin shtysat që ju bënë të merrni vendimin që të aplikonit për këtë pozicion?

– Në GKK kam filluar punën krejt rastësisht në vitin 2005, kur u angazhova nga drejtori i atëhershëm Luan Mulliqi për të kryer punën e “Koordinatores për bashkëpunim me jashtë”, (ashtu quhej pozita atëherë) dhe puna ime ishte si personi i vetëm që dinte anglisht aty, të mbaja korrespondencë me organizatat ndërkombëtare, të shkruaja projekte anglisht, të përktheja, të organizoja prej fillimit deri në fund ekspozitat që kishin prezencë ndërkombëtare si Artistët e së Nesërmes, etj. Deri atëherë nuk më kishte tërhequr fare puna e menaxhimit të artit por fillova të hyj në këto ujëra duke bashkëpunuar me artistët e rinj që atëbotë kishin nevojë për ndihmë dhe udhëheqje. Tani këta artistë kanë arritur larg dhe disa prej tyre janë të suksesshëm në karrierat ndërkombëtare. Sidoqoftë, e doja punën në galeri shumë mirëpo nuk arrita të marr një kontratë të mirëfilltë, sepse edhe atëherë proceset byrokratike mbytnin çdo proces pozitiv e kreativ. U largova pas 5 vitesh me përvojë shumë të mirë pune. Pas një periudhe ku punova në kompaninë për arkitekturë dhe dizajn PO Group+Abd dhe pastaj në KUSA, ku nuk pata shumë kontakt me botën e artit, vendosa që të konkurroja në vitin 2016 sepse artin dhe menaxhimin e artit e kisha thirrje dhe për mua ishte e pamundur të qëndroja larg për një kohë të gjatë. Pas katër tentimeve dhe anulimeve të konkurseve, fillova punën në GKK dhe e pashë shumë të dobishme edhe punën në KUSA që më mësoi shumë për menaxhim. Të tjerat i dini, janë histori.

Me çfarë mburreni përgjatë udhëheqjes suaj me këtë institucion?

– Secili projekt, prej ditës së parë, më ka ofruar kënaqësi sepse e dua këtë punë; jo të qenit drejtoreshë, po krijimi i ekspozitave të artit është puna që e dua unë, thjesht. Për mua të veçanta, më duhet të them se kanë qenë ekspozitat e artistëve të cilët i kam ftuar vetë. Pra ato janë ekspozita e artistit me famë botërore Thomas Hirschhorn dhe kuratorit Dirk Snauwaert; Leunora Salihu, Gani Llalloshi, Max Vezgishi, Driant Zeneli, dhe Jakup Ferri; pastaj janë ekspozitat që i realizoja në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare si IFA e Gjermanisë, me ekspozitat e Rosemarie Trockel dhe Bauhaus Imaginista; British Council me artistin e mrekullueshëm Grayson Perryn dhe pastaj Perceptimet; e shumë tjera. Te Perceptimet dua të ndalem pak sepse e kam shumë për zemër meqë ka qenë një projekt regjional shumë i suksesshëm brenda të cilit unë isha kuratore e ekspozitës për Kosovë dhe e quajta Perceptime: Burrneshat. Ekspozita trajtoi temën e ndieshme e grave artiste, rolit të tyre në shoqëri dhe në skenën e artit. Ne vetëm sa e filluam një diskurs, që pritet të vazhdohet. Projekti u tregua i suksesshëm aq sa ne 5 kuratorët nga Ballkani u ftuam si mysafirë në konferencën ndërkombëtare në ICOM, në Kyoto në vitin 2019 për ta prezantuar bashkëpunimin tonë.

Puna shumëvjeçare në një institucion si Galeria Kombëtare e Kosovës ju ka bërë t’i njihni me siguri edhe problematikat të cilat i ka institucioni, a mund të flisni rreth tyre?

– Meqenëse gjatë karrierës sime tanimë 29-vjeçare, kam ndërruar disa vende të punës, njëri nga ta ka qenë në Galerinë Kombëtare për pesë vite, (2005-2010) ku u riktheva si drejtoreshë në vitin 2016. Kjo do të thotë se Galerinë e konsideroja si vend të njohur dhe të afërt si dhe të gjithë kolegët aty i njihja. Prandaj fillimi ka qenë shumë i mirë dhe i lehtë për mua. Sfidat u shtuan në vazhdim, kur Institucionet e Kulturës gradualisht u privuan nga qasja në buxhetin e tyre dhe rrjedhimisht edhe nga autonomia vendimmarëse për menaxhimin e projekteve. Centralizimi sa vinte e rritej derisa në media insistohej se po punohet në pavarësimin e institucioneve. Deri sot askush nuk ka ndërmarrë diçka konkrete që vërtetë të pavarësohen institucionet.

Vështirësitë pra,  i shkaktonte sistemi disfunksional byrokratik brenda MKRS-së e pasojat ndiheshin edhe në GKK…

Pos problemeve që i përmenda më lart, problemi madhor i GKK-së si institucion është mungesa e pavarësisë institucionale. Që duhet ta ketë një institucion i themeluar nga Kuvendi i Kosovës. Tjetër problem është ndërtesa e GKK-së e cila vetëm sa i përmbush kushtet bazike për një institucion. Ajo është ndërtuar në vitet e ‘30-ta të shekullit të kaluar dhe vetëm falë vjetërsisë është futur në listën e mbrojtjes së monumenteve. Asgjë tjetër në këtë ndërtesë nuk ka vlerë pos moshës. Tavanet janë të thërrmuara dhe nuk ka mundësi të varet asgjë nga to; nuk ka ndriçim adekuat as natyror as artificial; e as ventilim. Tubat e ventilimit janë aq të vjetra saqë më shumë bëjnë zhurmë sesa që e ajrosin hapësirën. Nuk ka mjaft  hapësirë ekspozuese, ajo është e ulët dhe nuk i plotëson standardet ndërkombëtare të ekspozimit. Edhe koleksioni i GKK-së ruhet në hapësirë të vogël dhe nuk ka ku të ekspozohet. Këtu më duhet të uroj stafin e GKK-së për ruajtjen e Koleksionit në gjendje të mirë me përkushim të madh përkundër kushteve të vështira.

GKK nuk ka staf të mjaftueshëm: Nuk ka departament të konservimit e restaurimit përkundër faktit që ruan 1000 e ca vepra arti, të vetmin koleksion publik në Kosovë. Nuk ka arkivist, as jurist; e as staf të shtuar profesional për menaxhim të projekteve dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Thjesht – ka shumë punë e pak njerëz dhe pak mundësi.

Duke marrë parasysh numrin e vizitorëve, cilat janë ekspozitat me më së shumti interes për publikun?

– Misioni më i veshtirë për një drejtor galerie është të identifikojë dhe të sjellë sa më shumë publik. Sa i përket numrave të vizitorëve, ekspozita që kemi organizuar gjatë mandatit tim më e vizituara ka qenë ajo e Jakup Ferrit, pasuar nga Burrneshat dhe ekspozita e Sislej Xhafës. Të vizitura kanë qenë edhe ekspozitat kolektive dhe Bienalet. Në përgjithësi jam e kënaqur me numrat e vizitorëve. Kjo është sepse kemi investuar shumë energji që t’i afrohemi publikut përmes mediave sociale dhe atyre elektronike. Jemi munduar që të lëmë një impakt afatgjatë te krijimi i publikut të ri dhe artdshësve të së ardhmes përmes programit të edukimit.

Mund të konstatoj se vizitorët e ekspozitave në Kosovë e dojnë artin pak provokues, pak kontravers dhe më shumë të bukur.

Sa keni arritur të sillni ekspozita të artistëve të huaj në Kosovë dhe si ishte pritja nga publiku?

– Si institucion kulturor më i lartë për art vizual, Galeria ka disa misione të cilat duhet plotësuar brenda një hapësire të vogël. Duhet gjetur proporcionin e saktë të ekspozitave vendore, individuale, kolektive , dhe ato të artistëve ndërkombëtarë. Ne jemi munduar të arrijmë këtë proporcion, duke pasur parasysh të gjitha aspektet. Kemi pasur artistë dhe kuratorë të cilët janë në kulmin e karrierës në botë por në Kosovë nuk njihen aq; Ata janë ftuar ose drejtpërdrejt ose përmes organizatave ndërkombëtare. Këta janë pritur më së miri nga komuniteti artistik dhe artdashësit që rregullisht vizitojnë galerinë, ndërsa për studentët e artit të cilët nuk kanë mundësi tjera të vizitojnë ekspozita ndërkombëtare, këto kanë qenë tejet të mirëseardhura. Në anën tjetër publiku i gjerë ende mbizotëron më shumë tek ekspozitat lokale meqë në Kosovë ende nuk është zhvilluar shumë kultura e vizitës së galerive dhe Muzeve për hir të pasurimit intelektual.

A mendoni se ka bashkëpunim të mjaftueshëm ndërmjet vendeve shqipfolëse në fushën e kulturës dhe artit?

– Mendoj se ne jemi një, dhe të flasësh për bashkëpunim apo të vendosësh që artificialisht të instalosh “kalendare të përbashkëta” është pak e tepruar dhe e panevojshme sepse bashkëpunimi mes artistëve të dy anëvëe të kufirit rrjedh natyrshëm. Bashkëpunimi vjen natyrshëm, artistët lëvizin përtej kufirit, njihen mes veti, bëjnë projekte të përbashkëta, dhe kjo po zhvillohet çdo ditë më shumë. Gjatë mandatit tim, artistë nga Shqipëria dhe Maqedonia Veriore, janë ftuar, kanë marrë pjesë nëpër Bienale, pa u cekur fare prejardhja e tyre dhe pa u cekur se ne po u hapim derën atyre se nuk janë nga këtu, po janë nga atje. Pra këtë duhet lënë të rrjedhë natyrshëm duke ndjekur shembullin tonë të qasjes së hapur dhe do të jetë shumë mirë. Poashtu mendoj se duhet të rinforcohen bashkëpunimet e natyrës së shkëmbimit të ekspertëve të fushave të ndryshme të kulturës si ligjërues të artit, restaurues, konservatorë, hulumtues, kuratorë.

Ndonëse Covid-19 ka prekur çdo sferë të jetës, sa ka ndikuar pandemia në punën tuaj dhe të Galerisë Kombëtare të Kosovës?

– Një periudhë e vështirë që sfidon shëndetin fizik dhe mendor, e cila ende nuk ka përfunduar dhe thjesht duhet ta pranojmë si një realitet të ri. Në fillimin e pandemisë, ishte edhe fundi i mandatit tim, u mbyllëm, menduam se çka mund të bëjmë nëse nuk mund të kemi vizitorë në ndërtesën fizike? Atëherë vendosëm t’i aktivizojmë maksimalisht mediat sociale. Startuam projektet virtuale  ku postonim vepra të artistëve që i krijonin gjatë izolimit; pastaj postonim vepra nga koleksioni bashkë me tekst të shkurtër nga kuratorinë “Muzeun Virtual”; dhe kjo përvojë na mësoi shumë gjëra edhe neve edhe publikun. Na mësoi se Institucioni i Galerisë nuk është vetëm një ndërtesë ku duhet të hysh që të përjetosh artin; ajo është shumë më shumë. Bazuar në këtë përvojë duhet të kemi parasysh , në realitetin e ri, që arti duhet të tejkalojë muret fizike si dhe ato sociale për të arritur te publiku.

Çfarë u ka mbetur peng që s’keni mundur të realizoni gjatë udhëheqjes suaj?

– Projekti i Strehimores. Strehimorja, si hapësirë është me lokacion para banesës sime – dmth. unë çdo ditë e shoh atë. Po e them për ta sqaruar se është totalisht ide e imja, që kjo strehimore të shndërrohet në hapësirë ekspozuese. Gjithmonë e kam vëzhguar si një hapësirë me potencial. Atëherë,  gjatë mandatit kisha bashkëpunim të mirë me Yllin (Rugova) derisa ishte drejtor për kulturë në Komunën e Prishtinës , i propozova që ta bëjmë një projekt të përbashkët dhe ta ekspozojmë një pjesë të koleksionit të Galerisë Kombëtare aty. Hasa në mirëkuptim dhe filluam punën… komuna mori përsipër renovimet të cilat ishin të domosdoshme, meqë, duhej eliminuar lagështia, si kusht kryesor, si dhe gjëra tjera. Yllit në vijim i përfundoi puna më Komunë, derisa renovimi u zhagit deri në pikën kur mua më përfundoi mandati. Gjatë kësaj vere kam parë tendenca të vazhdimit të renovimit ndërsa në media sociale kam parë që Strehimorja i është dhuruar për ta përdorur një OJQ-je. Këto “përvetësimet” e projekteve dhe ideve, ndodhin tek ne shpesh, andaj nuk është aspak për t’u habitur, pse unë, si ideatore ose të paktën Galeria Kombëtare  si partnere, jemi anashkaluar plotësisht në këtë proces.

Peng më ka mbetur edhe krijimi i kushteve më të mira të ekspozimit, hapësira shtesë, veçanërisht ndriçimi, ventilimi dhe hapësira e koleksionit, për të cilën i pata dërguar shumë kërkesa me rradhë, por kurrë nuk u mundësuan nga MKRS.

Pos tjerash ishit një ndër gratë e pakëta tek ne në krye të një institucioni të rëndësishëm. A keni patur vështirësi më shumë në raport me udhëheqësit e mëparshëm, shkaku i kontekstit dhe mentalitetit jodashamirës ende për gratë në udhëheqje tek ne?

– Një përqindje e vogël e grave në Kosovë të cilave kam fatin t’u takoj, nuk ka pasur rast të ndihet shumë e diskriminuar. Por, pak jemi të diskriminuara secila nga ne. Pabarazia gjinore është fenomen i shoqërisë sonë patriarkale, dhe është aq prezente saqë nuk e vërejmë më. Edhe te unë si te çdo grua, gjatë ushtrimit të profesionit ndodh shumë shpesh që pa një arsye gjinia mashkullore ndien nevojë se duhet t’i sqarojë gjërat sepse niset nga fakti që ti si grua nuk i kupton. “Mansplaining” ndodhte edhe nëpër takime të ndryshme ose kur unë si e vetmja drejtoreshë e institucionit, në atë kohë, në takimet e rralla me drejtorë tjerë ( burra), merrja guximin të propozoja diçka ndonjë bashkëpunim, ose projekt të përbashkët- dhe thesht propozimi im nuk përfillej. Problematik është edhe raporti me punëtorë të cilët duhet të marrin urdhëra nga një drejtoreshë grua, e të cilët si burra nuk dinë se si të bëjnë atë. Jam shumë e lumtur se shumica e punonjësve në galeri kanë qenë shumë mendjehapur. E pranoj se ka pasur edhe persona të pamenaxhueshëm që nuk pranonin urdhëra, të cilët besoj se po të kisha qenë burrë, do të silleshin ndryshe. Unë i menaxhoja këto situata duke toleruar dhe tejkaluar sepse qasja ime ndaj menaxhimit është paqësore dhe jo agresive. Ka të tillë që nuk e kuptojnë mënyrën e civilizuar të menaxhimit, dhe jo autokratike, si dhe të tillë që e keqpërdorin. Përfundimisht, asgjë nuk ka mundur të ndalë punën time.

Konkursi për udhëheqës të GKK – së tashmë është anuluar, pse ka ngecur ky proces dhe a do të jeni pjesë e konkursit përsëri?

– Pyetjen se pse ka ngecur procesi duhet ta drejtoni në MKRS, meqë nga ana ime unë kam konkurruar në formë të rregullt në konkursin ku i plotësoj, madje i tejkaloj larg me kualifikime ato që kërkohen; iu kam nënshtruar testit me shkrim dhe jam intervistuar me gojë në zyrën e cila para dy vitesh ishte zyra ime; Këshilli Drejtues ka dhënë pikët dhe sipas informatave të mediave, unë jam kualifikuar si kandidati më i përshtatshëm. Në momentin kur  propozimi ka shkuar në Ministri, aty është ndalur për rrafsh në muaj e gjysmë, derisa në javën e kaluar u anulua për konflikt interesi TË MUNDSHËM. Unë nuk e kuptoj çka do të thotë kjo i mundshëm, nuk ka asnjë përgjigje konkrete , ndërsa ne kandidatët nuk u nderuam as me një email për të na sqaruar situatën.  Unë besoj se më takon edhe një mandat, i cili do të duhej të më vazhdohej menjëherë pas përfundimit të mandatit të parë, gjatë pandemisë, sepse Galeria nuk ishte mirë të mbetej pa drejtor; po ashtu sepse kam punuar shumë dhe vazhdimisht kam kontribuar, prandaj Galerisë i takon një drejtor si unë në dy mandate. Përfundimi ishte i papritur nga unë,  por për këtë vendim është përgjegjes kabineti zyrtar ( dhe këshilltarët jozyrtar) i atëhershëm. Ky është edhe problemi i madh që ka shoqëria jonë, kur përgjegjësitë braktisen kur sistemet ndërrohen, dhe askush nuk jep llogari për veprimet e veta- ndërsa sistemet e reja fillojnë çdo gjë nga zero, duke e kthyer krejt procesin në një rreth vicioz që nuk përfundon kurrë.

Nëse zgjedheni përsëri në krye të Galerisë së arteve, cilat janë planet dhe projektet të cilat mendoni t’i realizoni në vazhdimësi?

– Unë nuk do të zbuloj asgjë të re, por kam ca plane, gjithmonë të realizueshme dhe jo ëndrra, që do të mundësojnë funksionimin më të mirë të GKK-së. Derisa në mandatin e parë jam përqëndruar shumë në programin e ekspozitave, mendoj të përqëndrohem në programet tjera pak më shumë, si programin e edukimit, hulumtimit dhe publikimeve; Koleksioni kërkon veprim urgjent drejt zgjidhjes së problemit që e ka: pamundësinë e ekspozimit. Në këtë drejtim dua të mendoj prapë jashtë mureve fizike dhe të kërkohen lokacione shtesë për të plotësuar nevojat e galerisë. E tëra kjo mund të bëhet e mundur vetëm atëherë kur rregullohet statusi i pavarur i institucionit dhe problemet tjera që i ka ajo.

ObserverKult

______________________

Lexo edhe:

SHKODRAN TOLAJ, NJË UDHËHEQËS QË I JEP JETË ANSAMBLIT SHTETËROR TË KËNGËVE DHE VALLEVE