Nga Uvil Zajmi
Përpara viteve ’90, jo vetëm ushqimet shitesh me tollon, por edhe bojërat për piktorët. Asokohe nuk kishte dyqane ku mund të shkoje kur të doje e të blije sa të doje. Gjithçka ishte e centralizuar. Në një mënyre ishte shteti që vendoste se sa do të krijoje.
Ndonëse në një moshë të shtyrë, por e mbajtur dhe me një kujtesë brilante, Milika Nini, shitësja e njohur e sallonit të artit në Tiranë, një grua fisnike e sjellshme edhe sot, ruan, kujton gjithçka nga vitet kur punonte në dyqanin e famshëm ku shiteshin veprat e artit. Madje, duke rrëfyer me detaje deri edhe mënyrën kur me një listë në dorë furnizonte me bojëra artistët e kohës.
“Nga Piktorët e Popullit, të Merituar, tek ata më të rinj, skulptorë të njohur, tek unë i merrnin materialet që vinin nga Italia, Franca etj.
Një herë në vit, para ekspozitave kryesisht, sipas një listë-shpërndarje të hartuar nga Lidhja e Shkrimtarëve”. Një formë absurde duket sot, por kështu ka funksionuar në ato vite, kur ata njoftoheshin se te “Dyqani i Milikës”, (ashtu njihej më shumë ai salon-arti), kishin ardhur bojërat.
Mjaftonte një faturë fletëdalje, një firmë e tij, për të marrë “Materialet me kredit”, nga bojërat, kanavacën, vajrat deri penelat e caktuara për secilin. “Kishte piktorë që mbeteshin debitorë”, tha kohë më parë Milika për “Panorama”. Ajo tregon për periudhën e krizës, çka i shkoi në vesh edhe Enver Hoxhës, i cili kërkoi menjëherë zgjidhje.
Znj. Milika, ju kujtohet si e nisët punën në atë dyqan arti?
Ka qenë fundi i viteve ’60, nuk isha as 30 vjeç. Ishte Zyra Kepi, një ish-punonjëse finance, që më propozoi atë vend pune, duke qenë se kërkohej një punonjëse për të shërbyer si shitëse në atë dyqan-atelie-arti. Rreth viteve ‘50-‘60, dyqani i Veprave të Artit ka qenë ngjitur me kafe “Tirana”.
Atje punoja unë dhe përgjegjësi i dyqanit, Llazar Myzeqari, një piktor beratas. Kur u prishën ndërtesat, dyqani u transferua te Pallati me kolona, tek ish-Rruga e Postës. Dyqani i parë, në katin e parë, sipër ishte Drejtoria e Ndërmarrjes FrutaPerime. Aty qëndroi për një kohë të shkurtër, pasi u mbyll, për t’u transferuar pas Muzeut dhe pastaj te Ndërmarrja e Derdhjeve në Bronz, afër Teknologjikut.
Çfarë shitej në atë dyqan, vetëm bazë material apo edhe vepra arti?
Një i tillë ishte vetëm në Tiranë. Dyqani sallon mbante dhe shiste vepra arti vetëm të autorëve shqiptarë dhe varej nga Mjetet Mësimore, pastaj nga QRVA (Qendra e Riprodhimit të Veprave të Artit), që kishte magazinat e saj.
Veprat e artit për shitje, vinin aty nga një komision i përbërë nga piktorë të njohur, që i përzgjidhte tablotë e realizuara nga piktorë të ndryshëm, që i dërgonin për t’u ekspozuar e shitur në dyqan.
Më pas një komision i tillë funksiononte pranë Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Por, jo vetëm piktura, aty janë shitur edhe skulptura, grafikë, qeramikë etj. Vetëm aty se siç ju thashë, në qytetet e tjera nuk kishte një të tillë për artet figurative. Ai dyqan ka shërbyer edhe për materiale pune për piktorët e skulptorët.
Milika, ku i gjenin ose si i merrnin bojërat piktorët?
Deri kur marrëdhëniet me rusët ishin të mira, materialet, si bojërat, kanavaca, vinin nga Rusia, ose të prodhuara në vende të demokracive popullore, si Gjermani Lindore, Çekosllovaki etj. Jo perëndimore, se ishin me valutë, kushtonin.
Ishin të një kualiteti të lartë, me të cilat janë realizuar edhe pikturat e asaj periudhe. Pas prishjes me ta, pati një krizë dhe mungesë të theksuar, kishte vështirësi në gjetjen e tyre. Në Ma-Po, shiteshin bojëra kineze, penela.
Po kështu edhe në një dyqan Art-Kulturë, ku bashkë me veglat muzikore tregtoheshin materiale për piktorët, por jo cilësore. Si kanavacë piktorët përdornin thasë, të cilët ata i shqyenin, pastaj i lidhnin, i tërhiqnin, i qepnin, kështu i përgatisnin.
2-3 herë pikturonin mbi atë pëlhurë. Problem ishin edhe kornizat, që piktorët i bënin vetë ose me porosi te marangozë të ndryshëm. E gjithë kjo situatë ishte kthyer në një problem, shqetësim.
Si u zgjidh ky problem?
Kjo situatë shkon në vesh të Enver Hoxhës. Pas një ekspozite në sallën e Klubit të Lidhjes ngjitur me Teatrin, ku bëheshin zakonisht ekspozitat kombëtare në atë periudhë, në një takim të vogël, të shpejtë, sporadik me një grup piktorësh, pasi vlerësoi disa tablo, e pyet Foto Stamon, atëherë Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve, si jeni me bojërat?
Dhe cila ishte përgjigja?
Foto u tregua kurajoz, nuk kemi bojëra i tha. Tregtia i sjell nga jashtë me klering, kryesisht nga vendet e demokracive popullore. Nuk mundemi nga perëndimi, kushtojnë, bile edhe Skënderbeun e Krujës në Hungari e kemi derdhur në bronz, i thotë.
Si reagoi Hoxha?
“Piktorëve duhet t’u sigurojmë bojërat dhe ato të jenë të një cilësie të mirë, që ky art që ata bëjnë të qëndrojë, jetojë sa më gjatë, të mos dëmtohet”, i thotë Hoxha. Dhe ngarkon dy zyrtarë, artistë të artit figurativ të kohës, Kujtim Buzën si dhe Foto Stamon të nisen për në Itali, e të zgjidhin situatën e krijuar.
Dhe vijnë bojëra nga Italia?
Me sa jam informuar, ata shkuan në Milano, te disa firma të njohura bojërash për piktorë, por pa i blerë, vetëm i përcaktuan. Kujtoj se bojërat, materialet nuk erdhën menjëherë.
Pasi u kthyen, ata folën në ministri, ndërhyri shteti, nisi komunikimin me firmën, financieri i njohur H. Sinoimeri shkoi në Itali, duke aprovuar edhe vlerën financiare që nevojitej e që kërkohej nga Drejtoria e Planit në Ministri. Më pas porositeshin direkt nga Tirana dhe mbërrinin me avionin “Al Italia”.
Çfarë cilësie ishin?
Në fillim vinin ato të kualitetit C, për shkollat e piktorët amatorë. Por, ishin italianët që rekomanduan për bojëra cilësore dhe pas viteve ‘70-të ato ishin të markës shumë të njohur e me famë, “Maimeri”.
Kualiteti ishte i mirë, pasi ato prodhoheshin në laboratorë të specializuar profesionalë të firmës. Kujtoj se ato ishin të cilësisë “Germa A”, nga bojërat, penelat, po kështu edhe kanavaca, bashkë me vajrat e ndryshme si vernik, vaj lini, diluent etj.
Në vitet ‘80 filluan të vinin edhe bojëra franceze “Le Franc”, e më pas “Goya”, “Pelican”, “Winsor”, këto të markave angleze dhe ishin me çmime më të lira.
Vinin direkt në dyqan apo magazinoheshin?
Bojërat depozitoheshin në bazën grosiste në Durrës dhe prej aty i sillnin dhe i shkarkonin në dyqan. Angazhoheshin të gjithë, kujtoj drejtorët S. Glina, pas tij S. Turku, të Ndërmarrjes së Veprave të Artit.
Merrja furnizim, i përgatitja 2-3 javë përpara, pastaj i njoftoja piktorët. I mbaja në magazinën në dyqan, i sistemoja në kuti kartoni, që t’i kishin gati kur të vinin. Pasi i merrnin, largoheshin duke i vendosur në një çantë, ose biçikletë, sipas mundësive.
Kanavacën ua mbështillja në një tub. Kështu veproja edhe me piktorët që vinin nga qytetet e tjera e që udhëtonin me tren ose autobusët e linjës. Një racion, si një fushatë, ishte ai proces për mua dhe ata.
Milika, thatë si të ishte një “racion”, si ta kuptojmë?
Një herë në vit, në fund ose në fillim të tij, planifikoheshin vetëm për piktorët, para ekspozitave të rëndësishme, ose në rastet e ekspozitave në përvjetorët jubilarë. Ishte një listë që më vinte e hartuar nga Lidhja e Shkrimtarëve në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit e Kulturës.
Lista përfshinte piktorët në të gjithë Shqipërinë, që detyrimisht duhet të ishin anëtarë të Lidhjes dhe që do të përgatisnin tablo për në ekspozitë.
Kishte shumë kërkesa, pasi në qarkullim ishin rreth 2000 piktorë, duke përfshirë edhe ata që mbaron çdo vit Liceun Artistik “Jordan Misja”, atë të natës, bashkë me studentët e ILA. Lista që më vinte ishte e reduktuar nga 100 deri në 200 piktorë.
Si veprohej të merrje “materiale me kredit”?
Kisha listën dhe me një fletë-faturë bëja veprimet. “Materiale me kredit”, kështu quheshin, sigurisht jo me para në dorë, vetëm me një firmë që piktori hidhte të blloku i daljes, duke vërtetur që kishte tërhequr materialin.
Për të gjithë veprohej njëlloj, seritë e ngjyrave ishin të përcaktuara. Kujtoj se ngjyra e bardhë ishte e para, më e preferuara. Ishin tubete të mëdhenj, zink dhe titan.
Me to edhe 2m kanavacë e gjerë 2.2m që ia prisja në dyqan. Pak më ndryshe me emrat, autoritetin, personalitetin e piktorit dhe angazhimin e tij.
Atyre që ishin në “Profesion të Lirë”, i jepej nga një në dy seri bojëra më shumë. Kjo edhe për piktorët që do të realizonin tablo të mëdha, kishte një diferencim në bojëra dhe kanavacë.
Milika, si i likuidonin piktorët bojërat, apo ato ishin falas për ta?
Dukej sikur jepeshin falas, por askush nuk të falte asgjë. Pas mbylljes së ekspozitës, veprat, pikturat u shiteshin institucioneve, ndërmarrjeve të ndryshme etj., me çmime, të cilat i përcaktonte një Komision i Vlerësimit të Ekspozitës.
Kështu quhej dhe si i tillë funksiononte, gjithmonë në bazë të rregullores të përcaktuar nga VKM, për të drejtat e autorit.
Mua më vinte lista e veprave të shitura dhe çmimet përkrah tyre. I bashkëngjisja faturën me vlerën financiare të materialeve që ai kishte marrë, ia dërgoja zyrës së financës në Ministri. Ato ia zbrisnin nga shuma e vlerësimit të pikturës.
Po për ata piktorë që nuk i shitej vepra, si veprohej?
Ndodhte që mjaft piktorë të mos merrnin pjesë në ekspozitë, nisur nga seleksionimi që u bëhej pikturave para hapjes së saj dhe vepra e tij të mos i pranohej.
Ose kur nuk vlerësohej më pas nga Komisioni për t’u shitur, ose i vendosnin një çmim që nuk arrinte vlerën financiare të materialeve që ai kishte marrë në dyqan.
Unë kisha listën dhe ai mbetej piktor debitor. Keq më vinte, por kështu veprohej dhe ai duhet të priste aktivitetin tjetër për të shlyer detyrimin financiar me dyqanin.
Pëlqeheshin ngjyrat, cilësia e tyre?
Sigurisht, piktorët ishin të kënaqur se i dëgjoja kur i merrnin, bisedoja me ta. Tashmë edhe unë isha bërë specialiste.
Sipas tyre ato rritën gamën e ngjyrave, ishin nga më të mirat e shumë cilësore. Shteti paguante 70 %, ndërsa piktorët vetëm 30%. Edhe për skulptorët disa materiale vinin nga jashtë, si balta, plastelina, dalta, vegla pune etj.
Kishte pretendime nga piktorë?
Më kujtohet kur dy tre prej tyre që nuk ishin nga Tirana, kishin pretendime kur vinin e merrnin bojërat, kërkonin më tepër nga çfarë i takonte nisur nga lista shoqërues e “materialeve me kredit”.
“Milika i trajton më mirë piktorët e Tiranës, se ato nga qytete e tjera thoshin”. Madje, ky pretendim i ngritur prej tyre u bë problem deri në ministri, kur më thirri ministri.
Por, gjithçka u sqarua, pasi asgjë nuk qëndronte, sepse shpërndarja nuk varej nga unë. Unë të gjithë i vlerësoja e i respektoja njësoj.
Milika, po ata që nuk ishin anëtarë të Lidhjes, nuk kishin të drejtë të merrnin asnjë material?
Ngjyrat e mbetura, të papreferuara, ose kur më krijohej mundësia, mundohesha të siguroja, ndaja ndonjë tubet për të ndihmuar piktorët e rinj, ata amatorë, jo anëtarë të Lidhjes, që nuk ishin në listë, të cilëve ua shpërndaja “fshehurazi”.
Thjesht për t’ua plotësuar minimalisht kërkesat, dëshirën. Pak kanavacë, ndonjë tubet, panele, vajra. Liceu Artistik, Instituti i Lartë i Arteve merrte bojëra për studentët e pikturës me planifikim. Bëhej ndonjë shtesë edhe për piktorët kosovarë.
Kush sillte vepra për të shitur në dyqan?
Çdo artist kishte të drejtën të sillte punë në dyqan, deri nga ata më të njohurit, mjafton të ishe anëtar i Lidhjes. Sigurisht, më shumë piktura, më pak skulptura, bashkë me vizatime, akuarele, grafikë.
Unë ia përcillja Komisionit të Vlerësimit, që vendoste për ta ekspozuar ose jo, shoqëruar edhe me çmimin. Atë pikturë autori nuk e merrte më.
Pikturat qëndronin të varura në mur për një kohë, pastaj hiqeshin, i fusja në magazinë, më pas vendoseshin sërish, pra, qarkullonin. Çdo qytetar mund të blinte një vepër arti në dyqan me para në dorë, shoqëruar me një faturë shitjeje.
Sa kushtonte një pikturë në dyqanin e Veprave të Artit?
Peizazhet, natyrat e qeta, kishin çmime të arsyeshme, ndryshe ishte me kompozimet, që kushtonin më shtrenjtë, kujtoj ato të Shijakut, Kodhelit etj. Vinin shumë të huaj, personel i ambasadave kryesisht, ose të huaj që jetonin, punonin në Shqipëri, veçanërisht ata në Tiranë.
Por edhe zyrtarë të huaj që ndodheshin për punë si dhe diplomatë francezë, ish-personeli i ambasadës jugosllave etj. Italianët ishin ata që e frekuentonin më shpesh sallonin. Vepra origjinale arrinte në një vlerë nga 3000 deri në 6000 lekë, një rrogë e mirë mujore.
Turistë, apo vizitorë të huaj, kur futeshin në dyqan qëndronin gjatë, ishin kuriozë, tentonin t’i fotografonin, ndërsa unë përpiqesha të mos i lejoja. Nga frika dhe ideja se mund t’i kopjonin.
Kur një i huaj donte të blinte një pikturë, si veprohej?
Ata i blinin vetëm ndërmjet Hotel “Dajtit”. Unë i bëja një faturë fletë-dalje, të cilën ia përcillja zyrës së financës së hotelit. Aty shkruaja pikturën, çmimin, ata e konvertonin në dollarë dhe ia mbanin lekët në llogarinë personale para se ai të largohej.
Ndërsa unë e paketoja, e hiqja në një anë deri kur të vinte ta merrte, pasi të ishte likuiduar me hotelin. Po kështu veprohej edhe për personelin e ambasadave. Dyqani nuk shiste me para në dorë për të huajt.
Milika, si kanë qenë marrëdhënia juaj me artistët?
Në fillim pata vështirësi se nuk i njihja. Me vite u miqësova, tregohesha dhe isha e kujdesshme në marrëdhëniet me artistët, kurrë të kem shkëmbyer fjalë me ta. Qëllonte që prisnin te dera kur e hapja dhe e mbyllja dyqanin.
Vinin jo vetëm për bojëra, por edhe si një komunikim shpirtëror, pasi mjedisi kishte hapësirë, me neone, xhama të mëdhenj, shumë dritë, qëllimisht për t’i parë mirë veprat e artit të ekspozuara aty.
Shikonin pikturat e varura në mur, komentonin, diskutonin me njeri-tjetrin lidhur me realizimin artistik.
Ju kujtohen cilët vinin më shpesh aty?
Duke qenë në qendër, kujtoj se frekuentohej nga të gjithë, nga Buza, Paskali, Mano, Paço, Madhi, Kodheli, Kaceli, Stamo, Devolli, Zajmi, Shijaku, Kilica, Jukniu, Lulani, Jonuzi, Trebicka, Shoshi, e shumë të tjerë, e kam vështirë t’i kujtoj të gjithë.
Mjaft prej tyre edhe kanë ekspozuar punët e tyre aty. Por, edhe nga qytetet e tjera. Apo edhe shkrimtarë të njohur, nga Dh. Shuteriqi, D. Agolli, P. Marko, këngëtarë, aktorë, kompozitorë, ose të profesioneve të tjera, personalitete të njohura të shkencës, akademikë, arkitektë, mjekë, profesorë, kalonin, qëndronin aty. Kishte raste që edhe blinin.
Milika, deri kur keni punuar në atë dyqan?
Mbi 20 vjet kam punuar aty. Njëzet vjet si njëzet ditë me janë dukur. Shtator i vitit 1991 ka qenë kur dorëzova dyqanin, dola në pension. Me 1 shtator të këtij viti mbush 85 vjeç dhe janë plot 30 vjet që jam ndarë me atë sallon arti, shumë të veçantë për kohën, jetën artistike të Tiranës kryesisht, por edhe për ata që vinin nga qytete të tjera.
Ç’kujtime keni nga ato vite?
Për piktorët, skulptorët, artistët e atyre viteve, sakrifikova shtëpinë, familjen. Dy herë në ditë hapja e mbyllja dyqanin, ai ishte shtëpia ime. Më shumë kohë e kaloja aty se në shtëpi. Vajza e parë m’i ka rritur dy djemtë që lindën pas saj. Ruaj ende sot miqësitë me familjet e piktorëve, fëmijët e tyre, që nuk më kanë harruar. Shoqëronin prindërit kur vinin tek unë. Kam disa piktura që m’i kanë dhuruar, i mbaj si kujtim të çmuar nga Guri Madhi, Foto Stamo, Dhimitraq Trebicka etj. Ndiej erën e bojërave dhe sikur komunikoj ende me ata piktorë dhe brezin e tyre./panorama.com.al
———————-
Lexo edhe:
Enver Hoxha, si ja merrte këngës “Për ty atdhe” pasi vriste shokët e afërt (Video)
ObserverKult