Bardhyl Londo: Dal nga një dhembje, hyj në një tjetër…

Bardhyl Londo itaka
Bardhyl Londo

Dal nga një trishtim, hyj në një tjetër,
Dita mbi dritare si perde tymnxirë.
Ti tund qortueshëm ujvarën e flokëve.
Di, vallë ti, një botë më të mirë?

Dal nga një dhembje, hyj në një tjetër.
Qielli në dritare kallkan i ngrirë.
Ti kapsallit qortueshëm konstelacionin e syve.
Di vallë ti një botë më të mirë?

Dal nga një vdekje, hyj në një tjetër.
Kamzhiku i shiut dritaren rreh pa mëshirë.
Ti duart shtrin dhe lutesh për mua.
Di vallë ti, një Zot më të mirë?

*Titulli i origjinalit: “Kushtim”

ObserverKult


bardhyl londo ti ike dashuritë

Lexo edhe:

KUR BARDHYL LONDO FLISTE PËR HAVZI NELËN: NUK E NJOHIM AKOMA ASHTU SIÇ DUHET TA NJOHIM

Nga Bardhyl Londo

Mirëdita, përshëndetje të gjithëve!
Në fakt nuk isha përgatitur fare për të folur.
E vërteta është kjo, që sot është një datë për të cilën sa krenohemi aq edhe duhet të mendohemi, aq duhet t’i vëmë dhe gishtin kokës, aq duhet të ndiejmë dhe dhimbje të thellë në shpirt.
I ngjan pak 27 janarit që është edhe ditë e Holokaustit dhe ditëlindja e Moxartit. Dhe meqë Preç Zogaj e filloi me polakët, disidentët polakë unë po përmend Sakajevskin dhe ai thotë pikërisht për 27 janarin: Nuk dimë ç’të bëjmë thotë, të gëzohemi apo të hidhërohemi se janë dy data krejt të ndryshme.

Megjithatë unë mendoj që ajo që lënë Havzi Nela, ajo që ka shkruar, ajo që tregoi me jetën, me vargjet e tij, është aq e madhe sa e mbyt gjithçka tjetër. Është diçka e përjetshme, aq tragjike, por edhe historinë e re nuk e kemi më pak të dhimbshme.
Havziu është një shembull që na mëson që t’i besojmë gjithnjë virtytit dhe të mos përkulemi para asgjëje.
Mund të thuhen shumë fjalë për Havziun, por unë mendoj që deri tani pothuajse nuk është thënë asnjë gjë.
Edhe ne që mblidhemi kështu bëjmë mirë, por gjithësesi ne nuk e njohim akoma Havzi Nelën ashtu siç duhet ta njohim.
Unë duhet të falënderoj dhe përshëndes për punën që ka bërë Petrit Palushi nëpërmjet të cilit jemi njohur me portretin deri diku të plotë të Haxziut, por mendoj se është shumë shumë e pakët gjithçka që është bërë deri tani.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult