Besim M. Zymberi: Si s’më deshe pak edhe ti…

Ishte një ditë e bukur dje
Do jetë edhe nesër përsëri
Ndaj i shkujdesur do t’shtrihem të fle’
Siç do të shtrihesh të flesh edhe ti

Mallin për ty gjithnjë e përbij
Mes ëndrrave pa gjetur qetësi
Ashtu mëngjeset e bukura i gdhij
Mu siç i gdhin ato edhe ti

Hëna nga e plotë bëhet hark
Tek zgjatet netëve si litar i zi
Ia fus siluetat radhë në varg
Në secilën patjetër edhe ti…

E sheh sa të përbashkëta kemi
Dhe njëjtë i bëjmë unë dhe ti
Por njëri-tjetrit dot s’ia themi
As unë ty, as mua ti…

Ndoshta ngase n’dy jetët e mia
Dy jetë pra, të t’mos vijë çudi
Në njërën është tërë gjithësia
Ndërsa në tjetrën je vetëm ti

Të parën e prek e e shkel çdo ditë
Gjer n’adhurim, por pa fantazi
E dyta është po aq e vërtetë
Siç je e vërtetë edhe ti

Vetëm ti dhe asnjë tjetër
Dhe s’quhet ndryshe veç dashuri
Ama,nga ndjenja-të bëhet vepër
Si s’më deshe pak edhe ti…