Besnik Mustafaj: Ti erdhe, kur s’të prisja erdhe

Ti erdhe, kur s’të prisja erdhe.

Gjatë mungesës tënde munda të bëhem Eol,
Të gjitha erërat i mblodha në kacek,
i mbylla mirë.
Tani është prill, bota ëndërron gjelbërim.
Pranvera dhe vera dhe shumë vite të ardhme
S’do të kishin më shtrëngata,
Deti do të qe i qetë e i bukur për njerëzit,
Qielli i kaltër dhe tërë vendi me lule,
Vjeshta do të vinte jo me gjethe të verdha,
me çelje sythesh të rinj do të vinte.

Gjatë mungesës tënde, aq e gjatë kjo mungesë,
U bëra Odise, i munda sirenat e tmerrshme
Dhe Çirçen e bukur
E detyrova t’i kthente në njerëz sërish
Të gjithë udhëtarët e mjerë, derra tashmë
Të nisur prej vitesh dhe pa mbërritur kurrë
te gratë e tyre të dashura.

Gjatë mungesës tënde, aq e gjatë kjo mungesë
Unë arrita shumë, veç kryesoren jo:
harrimin për ty.

E pra, me t’u shfaqur ti, unë Eol s’isha më,
Më shpartalluan erërat,
Vërshuan detit, tokës dhe qiellit stuhitë,
I mbetur pa vullnetin e Odisesë,
Isha një pre e lehtë për magjitë e mbrapshta të Çirçes.

Unë, duke fshehur plagët, -nuk doja t’i shihje ti, –
Ti, që tek unë të sjell veç rastësia!
Ndjeva ngrirjen dhe shkrirjen e vrullshme
të gjakut në zemër,
Kuptova…në fakt, nuk kuptova asgjë,
Përsëri nuk kuptova nëse ti je forca ime apo dobësia.

1987

*Titulli i origjinalit: Gjatë mungesës tënde

ObserverKult

————–

Lexo edhe:

BESNIK MUSTAFAJ: KU E DIJA QË S’ISHE, UNË SOT TË KËRKOVA