Për herë të parë në historinë e zhvillimit bibliotekar në Republikën e Kosovës, falë ndihmesës dhe përkrahjes që Ambasada Amerikane në Kosovë (U.S. Embassy Pristina, Kosovo) i ka dhënë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës (Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”), do të implementohet projekti “Biblioteka në shërbim të komunitetit: Themelimi i një programi kombëtar në fushën e arsimimit bibliotekar dhe kulturor”.
Ekspertë amerikanë të fushës së bibliotekarisë dhe shkencave të informacionit do të punojnë gjatë një viti për të ndihmuar bibliotekarët dhe specialistët e informacionit në Kosovë për të themeluar një program kombëtar në fushën e arsimimit bibliotekar dhe kulturor, si një komponent i rëndësishëm i programit mësimor profesional për biblioteka.
Ky program, që duhet të lidhet me seminare dhe kurse trajnimi në nivel kombëtar, do të ndihmojë bibliotekarët dhe specialistët e informacionit në dijet teorike dhe praktike, për të ruajtur kompetencat dhe për të mbajtur në dijeni për çështjet e zhvillimit dhe avancimit të dijeve bibliotekare dhe shkencave të informacionit.
Nisma për hartimin e një programi kombëtar të aftësimit bibliotekar ka filluar në vitin 2018, në kuadër të Javës së Bibliotekës në Kosovë – me temën: “Arsimimi dhe trajnimi bibliotekar”, në të cilën veprimtari ishte i angazhuar edhe dr. Robert Montoya, profesor i Shkencës së Bibliotekarisë dhe Informacionit, i cili, më pas, nëpërmjet programit Fulbright ka punuar edhe për zhvillim të plan-programit për arsimim bibliotekar që do t’i shërbente themelimit të programit studimor të studimeve bachelor në kuadër të Universitetit të Prishtinës.
Arritjet e këtij projekti do të jenë hartimi dhe vënia në zbatim e programit të trajnimit bibliotekar që del nga struktura administrative e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Pra, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, pas realizimit të këtij projekti, përkatësisht themelimit të këtij programi, merr zotimin për përgjegjësitë që i përkasin edhe me Ligjin për bibliotekat, për akreditimin dhe më pas implementimin e programit kombëtar të trajnimit dhe aftësimit profesional të vazhdueshëm, duke organizuar edhe provimin profesional për punëtorët bibliotekarë.
Kjo do të mundësojë që Biblioteka Kombëtare e Kosovës të jetë, gjithashtu, qendër metodike për zbatimin e standardeve dhe të rekomandimeve të institucioneve dhe asociacioneve përkatëse ndërkombëtare në veprimtarinë bibliotekare dhe të informacionit bibliotekar.
Në Kosovë deri më tash nuk ka ekzistuar një infrastrukturë e duhur arsimore dhe trajnuese për të mbështetur shërbimet kryesore të ofruara nga bibliotekat. Si përgjigje ndaj këtij problemi, bibliotekat e Kosovës, të cilat mbështesin komunitetin e përdoruesve e të hulumtuesve të tyre, do të kenë mundësinë të përgatisin dhe të mbajnë të aftësuar një kuadër profesional nëpërmjet një modeli të zbatueshëm dhe të qëndrueshëm të trajnimit bibliotekar që mund të zhvillojë dhe përmirësojë, sipas standardeve të njohura bibliotekare, shërbimet e bibliotekave për qytetarët e Kosovës.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës synon që ky projekt të ketë ndikim afatgjatë në arritjen arsimore dhe aftësimin e bibliotekarëve të Kosovës.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës, përmes këtij projekti, synon krijimin e bazës së përhershme për një program trajnimi të përvitshëm, të qëndrueshëm, të destinuar t’u ofrojë bibliotekarëve të Kosovës aftësi profesionale në përputhje me standardet ndërkombëtare të të nxënit dhe të arritjeve, siç artikulohen nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave dhe Institucioneve të Bibliotekave (IFLA) dhe Shoqata e Bibliotekave Amerikane (ALA).
Projekti do të realizohet me ekspertët amerikanë: Dr. Robert Montoya, Dr. Sean Pessin dhe Dr. Gregory Leazer – profesorë në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxheles, ShBA./ObserverKult