Bislim Ahmetaj: Zemra rreh veç për dashurinë

bislim ahmetaj

Zemra rreh veç për dashurinë.

Unë e pashë.
Po, po e pashë vajzën,
Që ja shkruaja dikur emrin
Me gurë lumi të lëmuar si vezë pëllumbash të egër,
Në rudinën ku ajo kulloste delet e saj të pakta në numër.

Po, po mu kujtua,
Unë e gdhendja emrin e saj
Mbi barin e njomur që e kish kap lagshta,
Mbrëmjeve vonë kur dielli kish pushuar me kohë pas kreshtave.

Po, po e mbaj mend kur,
Ajo çohej më herët se gjithë njerëzia,
Hala pa dalë drita mirë e i turrej teposhtë rudinës,
Dhe gurët e bardhë si vezë pëllumbash të egër i rreknente drejt lumit.

Po, po e kujtoj mirë,
Vetën time fshehur mbas gardhieve,
Duke marrë frymë thellë gati me e shkye këmishën e vetme,
E, ajo, duke i gjuajtë gurët- shkronja  pamëshirshëm kah hiç-i, kah mos-i .

Po, po s’mund ta harroj,
Mbrëmjen pasuese kur unë ju qepa bregut të lumit,
Dhe mblodha rishtaz gurë të bardhë, si vezë pëllumbash të egër.
E në vend të emrit të saj vizatova mbi rudinë një zemër që e shponin dy shigjeta.

E si mund ta harroj atë,
Natë vjeshte, kur roje i bëja zemrës së gurit,
Shpuar pamëshirshëm prej ushtave me majë të stralltë.
Me sytë lidhur për dorezën e shpisë së saj, derisa ajo u shfaq 
Ashtu imcake, e hajshme, e lehtë, si një re e bardhë, 
Dhe me gurët që unë kisha vizatuar shigjetat ,
Një zemër të vogël vizatoj brenda saj.

Po, po unë e pashë,
Vajzën që më ka mësuar të vuaj,
Vajzën që më ka mësuar të shkruaj,
Vajzën që më ka grisur këmishën e vetme.
Ishte ajo, 
vajza që më mësoj se;
zemra rreh veç për dashurinë.

Valbonë, me  5 shtator 2015

ObserverKult


bislim ahmetaj

Lexo edhe:

BISLIM AHMETAJ: TIRANËS JU KANË THARË PUTHJET

Dalë dhe ec
çdo mëngjes, çdo drekë dhe darkë
Dhe sa pak njerëz shoh duke u puthur në Tiranë.

Çdo ditë kaloj nëpër
Rrugë, rrugica dhe parqe
Dhe sa pak njerëz shoh duke u puthur në Tiranë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult