Blerim Grubi: Më detyruan të hiqja dorë nga violina…

Blerim Grubi, violinisti i njohur nga Shkupi, i rritur në një familje ku gjeneratë pas gjenerate e kishin pasion muzikën nuk kishte si të ndiqte rrugë tjetër.

Nisi studimet për violinën, por pas përfundimit të shkollës së mesme, e detyruan të merrej me violë. Ai ka disa vite që është profesor në Fakultetin e Arteve në Prishtinë dhe po ashtu në Tetovë

Intervistoi Lindita Canolli-Fejzullahi

Kur e vërejtët pasionin për violinën? A kishte pasur dikush të njëjtin pëlqim për këtë instrument apo ndonjë instrument tjetër muzikorë në familjen e juaj?

Blerim Grubi: Po si zakonisht si fëmijë nuk e ke idenë se çfarë do të thotë të mësosh ndonjë instrument ose të këndosh pa u udhëzuar nga dikush. Këtë më së miri tek fëmija e përcjell prindi. Mua më ka udhëzuar babai im, pasi që ai kishte shumë dëshirë që unë të merrem profesionalisht me muzikë. Ai ka qenë këngëtar i muzikës popullore dhe dëshira e tij ishte shumë e flaktë për muzikën dhe artin. Kurse dua të theksoj se tek familja ime dihet që stërgjyshja ka luajtur në harmonikë, gjyshi im ka qenë gjithashtu i lidhur me defin ose dajren e tij. Pastaj babai im këngëtar. Unë gjenerata e katërt por kjo vazhdoi edhe te fëmijët e mij.

Sa ishte i vështirë mësimi i violinës? Kush ua mësoi hapat e parë?

Blerim Grubi: Ishte shumë interesante për mua kur fillova të mësoj notat e muzikës, ishte diçka e re. Sidomos si fillestar fillon me solfexho dhe besoni se sa interesant është kur ti mundohesh të zbërthesh dhe zbulon ndonjë vijë melodike. Por, pastaj fillojnë fillet e para në njohjen time me instrumentin.

Vitet e ‘70, siç e dimë në atë kohë ne as që kemi pasë kuadër për mësues violine dhe kështu që mësuesit e parë kanë qenë sllavë dhe kemi komunikuar në gjuhën sllave.

Po shfaqja e parë në publik, ju kujtohet. Emocionet, frika, duartrokitjet?

Blerim Grubi: Shfaqja e parë me kujtohet dhe për fat të mirë edhe e kam gjetur videon kur në moshën 8-vjeçare interpretova në violinë dhe atë përmendesh ‘Oda e gëzimit’ nga Betoveni dhe një pjesë nga Mozarti.

Te shfaqja e parë emocionet kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha pasi që për herë të parë kisha një kontakt të drejtpërdrejt me publikun.

Disa vite më vonë e ‘tradhtuat’ për violën. A mund të na tregoni se çka ndodhi konkretisht?

Blerim Grubi: E këtu kur më pyesin ndjej shumë dhembje për të kaluarën. Kanë qenë momente shumë të vështira psikike nga pedagogët sllav në vitin ’83. Atëherë unë mbarova shkollën e mesme në violinë dhe pastaj duhej të vazhdoja edhe në fakultet, por ndodhi një e papritur nga disa nacionalist–shovinist sllav.

Ata më detyruan ose të vazhdoj në violë ose nuk mund të vazhdoja studimet. Kjo ka qenë një skenar mirë i përgatitur nga ata që të bëjnë çmos që unë të lë edhe studimet për muzikën.

Kjo pasi që ata ishin shumë xheloz se unë vetëm se isha më i dalluari në gjithë gjeneratën. Të gjithë ishin të tjerë, ishin joshqiptarë. Pra, nuk kishte mundësi ndryshe të më ndalonin ose shkurt të më pengonin.

Kjo është vështirë të shkruhet me disa fjalë pasi që duhet shumë e shumë detaje tjera të ju tregoj e shkruaj për këtë ngjarje. Por ndoshta një ditë do të bëjë edhe këtë punë në ndonjë autobiografi time të shkruar.

Sa ishte e vështirë? A lindi pastaj po e njëjta dashuri edhe për violën?

Blerim Grubi: Dhe ndodhi mrekullia siç thonë se në fatkeqësi të del ndonjeherë edhe fat. Unë kisha profesor një personalitet të shkëlyer, me kombësi ishte bullgar, prof.Gospodinov. Si me ju thënë ai kishte shumë simpati ndaj shqiptarëve pasi që ai kishte pasur disa shokë ku ka jetuar në Bullgari te një fshat me emër Arbanas që edhe sot ekziston. Ai dinte shumë për historinë dhe vuajtjet e shqiptarëve dhe kishte njohuri për ne. Pastaj ajo lidhja e tij me mua më bëri që unë atij t’i besoj deri në fund dhe ku pastaj edhe u bëra një violist shumë i njohur në ish-Jugosllavi me shumë pjesëmarje të miat në të gjitha qytetet e mëdha. Pastaj vijojnë njohuritë e mia edhe jashtë vendit, pra në shumë shtete me traditë në masterklase. Në Itali dy vite me radhë me një solist ose yll i muzikës prof. Jurij Bashmet.

Nëse e përktheni me fjalë tingullin e violinës, gjegjësisht violës cili do të ishte përkufizimi?

Blerim Grubi: Mes violinës dhe violës kur i sheh kështu si instrument dukjen e kanë njësoj por dallojnë nga madhësia dhe nga tingulli. Viola ka tingull më të thellë dhe është instrument më melankolik që sot veç ka marrë vendin shumë më rëndësi si instrument solistik.

Nëse e përkthejmë me fjalë atëhere tingulli është magjia e secilit instrument, atë vetëm ai di ta bëjë në mënyrën e vet se si e imagjinon. Unë tek të dy instrumentet ndjej një mënyrë të ndryshme të trajtimit e ajo vjen nga brendësia që ti e përshkruan nëpërmjet zërit dhe e transmeton në hapësirë. Violina ka një ngjyrë tjetër krahas violës që si tingull është specifik.

Cilat janë vendet e veçanta por edhe shfaqjet ku keni performuar?

Blerim Grubi: Të shumta janë shtetet-vendet që kam pasur koncerte duke filluar nga Tokio deri te Nju-Jorku. Gati se në të gjitha vendet evropiane dhe ballkanike. Dua të theksoj se nga të gjitha këto vende kam marrë eksperienca të ndryshme duke u njohur me shumë miq muzicient, duke këmbyer shumë përvoja. Kjo edhe më ka formuar si një instrumentist me njohuri të bollshme sa i takon jetës time artistike.

Kush është muza juaj? Po violinisti i preferuar?

Blerim Grubi: Muzat ishin vajzat e Zeusit. Ne si popull gjeografikisht i takojmë këtyre vendbanimeve, kemi jetuar në këto hapësira. Gjuha jonë thjesht është edhe e lidhur dhe me kuptimplotë me fjalitë tona në artefaktet e malit të njohur Olimp. Muza si mit mua më jep një dritë që është e përqendruar në pakufi.

Kurse sa i takon instrumentistit të preferuar, mendoj se nuk mund të dalloj dhe të veçoj. Të gjithë ata që janë emra botërorë kanë specifika të veta të ndryshme sa i takon interpretimeve të tyre të ndryshme dhe përsosmërinë si artist që kanë lënë gjurmë në jetën e tyre artistike muzikore. Të gjthë kanë diçka që nuk janë të njëjtë dhe të gjithë janë ‘shkollë në vete’.

Cilat vepra, ose kompozitorë i luani më me qejf, pse?

Visar Grubi: Nuk mund t’i ndaj kompozitorët. Duke u nisur qysh nga periudha e Barokut e deri tek koha e jonë, kemi shumë e shumë që e gjejmë veten dhe zbërthejmë magjinë e interpretimit të secilit komozitor veç e veç. Ne e japim fantazinë e idesë dhe mendimin e secilit autor. Këtu qëndron definicioni i secilit instrumentist që duhet të përmbush dhe hipnotizoj në çdo moment publikun që është prezent në sallë.

Çmimet në karrierën e juaj, vlera dhe pesha e tyre për ju. Cili është më i veçanti?

Blerim Grubi: Janë shumë ngjarje në gara kur isha si fëmijë dhe i ri. Pastaj edhe shumë mirënjohje nga individ dhe institucione të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Më i veçanti është është mirënjohja nga presidenca e Kosovës për punën e bërë në kulturë dhe arsim. Pra kontributin e dhënë për shtetin tonë.

Jeni ligjërues në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, po ashtu jeni të angazhuar në edukimin e studentëve në Universitetin e Tetovës. Sa po mund t’ia dilni dhe sa shumë kërkon angazhim dhe kohë kjo nga ju, pasi që kërkon edhe lëvizje nga një shtet në tjetrin.

Blerim Grubi: Unë tani jam profesor i rregullt në Fakultetin e Arteve në Prishtinë qysh nga viti 1994 dhe atë tani e disa vite e mbaj si punë primare pasi që para decenieve ne kishim mungesë të kuadrove dhe normal që duhej të kryhet punë dhe të hargjohet energji dhe të punohej me të madhe sa i takon rifillimit të jetës artistike në kohën e pasluftës në Kosovë dhe Maqedoni.

Tani e gati 10 vite jam në Filharmoninë e Kosovës, isha njëri nga themeluesit. Me kënaqësi i shoh gjeneratat e reja– studentët e mi që në fakt kryejnë me sukses detyrën profesionale po në atë institucion. Si punë tjetër, jam i angazhuar në edukimin e studentëve në Universitetin e Tetovës ku me kënaqësi mund të them se veç po vijnë edhe aty gjenerata të reja ku besoj se për një kohë të shkurtër edhe aty do të kryej misionin sa i takon artit kombëtar. Pres që me ardhjen e kuadrit të ri do të vjen edhe kualiteti në përmbushjen e nevojave tona si komb-shtet. Pra tani kam më shumë kohë për tu përkushtuar që të rritet numri i gjenerateve .

Përgjatë rrugëtimit deri sot në karrierën e juaj, a mund të na thoni mendimin e juaj se çfarë zhvillimi ka pasur në muzikën klasike. Pra, në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri? Çfarë niveli ka, çfarë i mungon, çfarë duhet shtuar?

Blerim Grubi: Nuk kisha folur direkt për zhvillimin e muzikës klasike përgjatë këtyre viteve. Por së pari isha ndalur pak tek kushtet tona si shqiptarë që kemi pasur dhe jetuar në shtetin sllavë. Në gati 100 vite, mund të them se një popull kur nuk ka liri nuk mund të ketë as zhvillim arsimor, kulturor, ekonomik, sport dhe shumë pore tjera të jetës.

Me konstituimin e institucioneve të kulturës në Kosovë dhe Maqedoni mendoj se shumë më lehtë e kemi ngritjen dhe ruajtjen e identitetit dhe kulturës kombëtare. Por tani duhet të kemi kujdes në ngritjen e cilësisë dhe të angazhojmë njerëz që kanë përgatitje dhe janë punëtorë – talent që ata të kryejnë misionin që u takon. Pra, ngritjes ditë për ditë të nivelit tonë artistik. Tash për fat të keq po e shohim se sa probleme kemi si shoqëri sa i takon kësaj problematike që janë shumë të rëndësishme për funksionimin e institucioneve dhe shtetit në tërësi.

A ka kënaqshëm publik në koncertet ku performoni në Kosovë, apo edhe në Maqedoni, atje prej nga vini, Shqipëri…?

Blerim Grubi: Shikoni…është interesant se si publiku ynë është ndryshe. Pra, ndryshe në tri qendrat tona, Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Më i interesuar është publiku i Prishtinës. Më vjen mirë që në sallë vijnë në shumicë të rinjët. Madje këtë na e thonë shumë instrumentist të huaj që vijnë në festivalet tona, kurse në Shkup dua të theksoj se ka shumë probleme sa i takon artit dhe muzikës. Atje arsyet janë specifike por mendoj se me kalimin e kohës do të punohet më shumë për të bërë më tepër që qytetari shqiptar -shkupjan të kthehet në rrugën kombëtare dhe të ngritet sikurse në Tiranë dhe Prishtinë.

Jeni penduar që e keni zgjedhur këtë profesion?

Blerim Grubi: Jo, nuk jam penduar, nga natyra jam shume entuziast. Bile ndonjeherë edhe i tepruar!

A ka pasur ndonjë moment kur nuk jeni ndjerë mirë përgjatë karrierës suaj?

Blerim Grubi: Eh kjo pyetje është sikur të thuash se a është e lehtë të ecësh në një sipërfaqe ku ke terren-tokë të minuar dhe që nuk i ke të shënuara vendet me rrezik. Pra jeta është shumë interesante dhe me shumë sfida.

A presim në një të ardhme të afërt ndonjë instrumentist të ri në familjen e juaj…?

Blerim Grubi: Po. Nita vajza ime tani merret me muzikë, gjegjësisht është duke u thelluar më shumë në jetën e saj të kosmosit muzikor. Ajo është pianiste, kurse djali Leka tani ka mbaruar studimet për violinë. Tani do të vendos për karrierën e tij.

Për fund, a jeni duke punuar në ndonjë projekt të ri së fundmi. A mund t’i ndani me lexuesit tanë detajet?

Blerim Grubi: Po projekte ka shumë. Në muajt e ardhshëm kam shumë ftesa për koncerte dhe masterklas –seminare jasht vendit.

Pastaj me kolegen time Sihana Badivuku kemi si zakonisht kohën e mbajtjeve të festivaleve në Prishtinë dhe Shkup, ‘Kamerfest’ pastaj garat ‘ArsKosova’ me instrumentistë të rinjë dhe disa koncerte që do të organizohen me studentët e mi në shumë vende të regjionit dhe po ashtu në Evropë./ObserverKult


Lexo edhe:

VEPRAT E KOMPOZITORIT VALTON BEQIRI BOTOHEN NË SHKUP

Në sallën e Qendrës Kulturore Informative në Shkup, u promovua botimi i miniaturave për flaut dhe piano nga kompozitori ynë i mirënjohur Valton Beqiri.

Sipas recensentes të këtij botimi dhe njëkohësisht solistes së mirënjohur prof. Venera Mehmetagaj-Kajtazi, këto miniatura ofrojnë mundësinë e përzgjedhjes së veprave. Pra nga njëra prej tyre e gjerë të kombinimi apo realizimi i tyre në tërësi.

Ajo tha se veprat do të jenë pjesë e shpeshtë e repertorit koncertal. Kjo, jo vetëm në suaza kombëtare por edhe ndërkombëtare.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult