Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish të Riza Brahollit.
Një grua
Vjeshtë, shi.
Mërzi e pangopur.
Një grua me ombrellë.
Iu prish. E flaku.
Vetëm ajo e shiu i dreqit…
Qielli, i gjithi përsipër.
Nuk shihte ku shkelte.
Shoku im
– Kthe sytë këtej, – tha,
– sytë e saj kanë një varkë të mbytur;
ombrella jote është e vogël për dy.
Te Deum
Të gjitha ujërat ku ajo pa fytyrën e saj
e morën me vete.
Të gjitha gjethet, ku ajo shkruante ëndrrat,
i mori era.
Edhe zogjtë që këndonin për të,
ata që imitonin fluturimet e zemrës së saj,
e morën nëpër shtegtime e s’mbeti tjetër
veç korit të drurëve të zhveshur,
Te Deum-it të fundmë mbi kalldrëmin e lagur.
Por unë do të kthehem në gur.
Me durimin e tij do ta pres
gjer të mbaroja koha;
edhe paskoha.
Si të gjitha gjërat e pavdekshme, një ditë
do t’ulet nga qielli
do ngrihet si mjegull nga dheu, nga detet
si zëth, si gjeth, si dritë do të vijë
si çdo gjë e përjetshme,
Nëna.
Nënë
… rrimë tek porta?
Të dy,
me dorën tënde në timen;
heshtim, flasim,
si të duash.
Mbaj vesh
po bien këmborët e muzgut…
Tani veç përshpirtje dëgjohen
dhe shpirtin ia dorëzojmë tjetërkujt…
Unë, e kam zgjedhur:
ta besoj ty,
vetëm ty…
Po ti s’je;
ke shkuar lirishtave të mbrëmjes
të korrësh mallet e purpurt apo
të ndezësh qirinjtë e dhembjes.
16/03/2022, Tiranë
Nëna dhe jargavanët
Një jargavan, diku, pas një porte,
lëkundej nga era e luante si motit
n’oborrin tim me kangjella Korçe;
dhe malli, që mpiksej në syrin e lotit,
mëshirë nuk paska, më tretërka sonte!
E shtyva kanatën pa dert e pa zor;
u bëra i vogël, i prapë si njëherë,
kur tufa me vile këputja n’oborr
për çupkat që desha t’i dehja me erë,
t’u ngjallja habi dhe vlim dashuror.
Por dorën sa zgjata më erdhi një zë
– O bir, po mjaft, e rrope të gjorin…! –
e gjunjët m’u prenë e s’mundesha më
e s’di nëse era e majit ma solli,
por kryet e ktheva sa s’thirra për të,
kërkova për sytë e ballin e ndritur.
“O nënë, o nënë!” me therje rënkova
siç bën një i vogël me zemrën zhuritur,
në sy pikëllim e dhimbje i mblodha
dhe doja të qaja siç qan një i mitur.
Atëherë i shkova pulqerët mbi fletë
e ika, e ika nga këmbët më nganë,
të gjeja një vend, një qoshe të fshehtë,
e barkun ta ngopja me lot e të qarë…
O maji i nënës me mallin e blertë
ma sill edhe nënën kur sjell jargavanët!
24/04/2022, Tiranë
Periferi
U vyshk dhe kjo ditë me gjethet,
i tërë horizonti u vyshk
dhe hijet filluan të treten,
dhe zërat të shuhen, të mbeten
tej kodrash të ngjyera në ndryshk.
M’i ngrysur u rrasa dhe sot,
m’i thinjur në këndin pas zjarrit.
Prej eshtrash i shtrydhur një lot
pikon e s’e mbakёrkam dot
si plumbin në dorë i vrari.
Anëfund e kurrkund është e tëra
Kjo botë që nga lindja për mua;
e ç’dita, e ç’ndjeva, e ç’bëra
dhe ç’desha, ç’gatova me ëndrra,
me sy papërfilljesh m’u shua.
Më duhet ta fsheh atë lot,
të bëj sikur qesh, sikur luaj,
sikur lumturi mbushur plot
gëzohem e marr kot më kot
ta fsheh veten time tek vuaj.
T’u fshihem të mive kaq dua,
se dhimbjet e mia janë helm
dhe sytë e tyre në mua
më mihin si krimbi në ftua
dhe unë nuk di më ç’t’u them.
T’u fshihem atyre dhe vetes
më duhet që çartjet t’i fsheh…
O terr që në mua po rrekesh
o lënde e palëndë ekzistence
ç’të rrojë një i mbushur vrer,
eja merrmë e degdismë në terr!
18/02/2022, Tiranë
Mё urre!
Nuk di ç’tё bëj akoma, tё më urresh edhe mё,
tё ndizesh, shkrepëtish rrufe mes rresh,
tё përplasesh ndёr qiej, siç di vetëm ti,
deri sa fuqi të mos kesh,
deri sa urrejtja tё t’kthejë në shi
e tё zvargesh mbi xhama,…
Më urre deri në nxjerrjen e syve,
a mbase në prerjen e buzëve;
deri në nguljen e një kame në gjoks,
në nxjerrjen e zemrës prej zgavrës dhe
hakërrimin ndaj saj, që të bëri pre
e të rrëmbeu prej vetes si një adoleshente…
Më urre!
Ktheje këtë natë
në një trup që në zemër ka hakërrimin…;
mbase, kështu, të urrej edhe unë.
20/09/2018, Tiranё
Një ditë
… ti do ikësh prej meje.
S’e di pse,
s’e di qysh, por do të ikësh.
Gjërat e vërteta vetëm i ndjejmë;
s’i mendojmë dot dhe mua
një gjë më dridhet në gjoks,
një si fërfërimë flete
kur i vjen çasti të bjerë.
Nuk di si ta them ndryshe, ndodh
si ditën e një feste: mbaron
e shtëpia mbetet zbrazët
në duar të pjatave,
e tryezës bosh.
Po, një ditë do ikësh,
e kam bindje…
Po atëherë pse përpiqem,
i them vetes: jo, s’do të ndodhë;
ajo më do.
Më do si zjarrin e dimrit,
si muzgun fëshfëritës,
si freskun e verës më do…” ndërkohë,
së thelli
një buzëqeshje nxjerr kokën,
një mbledhje buzësh i jep rrekjes sime.
Një ditë po, kam frikë, pse ta fsheh,
do të më mbeten në sy vetëm shpina,
flokët që do të hidhen supeve
në lojë me erën.
O zemër, më lër të shpresoj; ajo
akoma më thërret
në lojëra e çudira që i pjell veç një mendje,
një imagjinatë pa fre,
dashuruar si tingulli me Orfeun
e më thërret të dëfrejmë.
O Zot, mos më lër ta besoj;
do të vdisja dy herë.
08/04/2022, Tiranë
Je si bora, e dashur
“Borë, borë” – ngazëllehet me sytë nga qielli
e rruga mbushet me dritë të qeshurash.
Rend pas fjollave.
I bien mbi sy, mbi flokë, mbi supe;
i hap krahët e është gati t’i numërojë të gjitha
një e nga një e qesh
e qesh e bora bëhet edhe më e bardhë.
“ Shiko, shiko si shtrihet,
e paprekur nga asnjë këmbë zogu,
pafundësisht…!”
Por ai u ngjan akujve nën strehë;
në sy nuk e ka atë dritën që ajo do të donte…
Atij,
i vjen t’i thotë: nesër
këtej do kalojnë kafshë, njerëz,
do ta shkelin, ndyjnë, përdhosin dhe qentë;
gjithë kjo bardhësi, do qullet, do zgërlaqet
në një llapashitje, por
hesht,
i duket e pashpirt, cinike:
është kaq e pastër, e lumtur, e dëlirë…!
Vonë,
me një zë që i ka shpëtuar ngrirjes:
i flet:
“ti je si bora e dashur, je si bora
e mua, mu për këtë, më vjen të ulërij…”
11/12/2021, Tiranë
Atdheu jam unë, je ti
Njëmijë të zeza lëshon për atdheun, o njeri,
lavde pa fund më thur për atë dheun tjetër,
atë, ku ti i ule baulet dhe ëndrrat një ditë.
I lodhur nga skamja, nga tërë udhët që di,
ikjen, degdisjen gjete shtegun më të lehtë.
Por të lutem, atdheun mos ma shaj, mos ma nxi;
atdheu është gjuha, fjala që hedh rrënjë tek zemra,
është nëna, është ati, motra, vëllai more, je ti,
janë fqinjët, shokët, miqtë; ajo pikëza shi;
që shket mbi xham e ma çon shpirtin te nëna.
Janë këmbët e babait që vijnë në mbrëmje,
vështrimi i rëndë i tij, fshehur nën vetulla,
ajri që hyn me hijen mbështjellë me dhembje
me kollën e thatë të duhanit thithur gjithë ëndje
dhe motra që zbathur rend t’i dalë përpara te dera.
Është këngë; dikush lëshon shpirtin në erë
dhe ti mbushesh me flakë dëshirash, me atdhe
shpirti të merr diell e do të këndosh edhe vetë
muzgu kthehet në zëra e shpirti gufohet m’i gjerë;
e kjo ndodh këtu vëlla, tek këta gurë, tek ky dhe.
E më shumë se kaq more: është varre dhe eshtra
gur nën kokën e të rënëve, gjak që rrjedh lëndinave
betime, këngë e plumba të nxehtë në zemra
në brigje, në shpate e male, ku merr frymë gjineshtra;
është liri, është ëndërr, amanet në buzët e trimave…
E di, mor si s’e di, plagë e kam edhe unë
dita me ditë këtu mbin mizerje, mërzi, varfëri;
këtu s’ka as të hënë, të diel apo të shtunë
e për dy pare na duhet ta shesim djersën, lëkurën,
por a duhet ta falim edhe këtë pak Shqipëri…?
Por gjuhën kafshoj e fjalës tjetër udhë i jap:
udha hajmali të qoftë e të priftë e mbara,
veç shko nga të shkosh, por mos harro, vëlla,
nëse dikur, diku s’të duan, të fyejnë e përbuzin, eja prapë.
Këtu eja, këtu, se veç këtu të gjejnë shërim plagët!
Atdheu jam unë, je ti; mos ma shaj ti motër, vëlla!
05/05/2022, Tiranë
Biografia
Riza Braholli lindi më 1960 në Mborje, Korçë. Ka botuar qysh herët në shtypin letrar dhe atë joletrar. Ka botuar vëllimet me poezi: “Qaj shqip”, “Mallkim virgjërie”, “Prekja e dritës”, “Letra për t’u djegur”, “Rima Dashurie”, “Lirika mëkati”, vëllimin poetik për fëmijë “Vallja e tingujve”, romanet: “Djali i pëllumbave”, “Marina” (me emrin e artit Bertold Vranja), “Midis dy burrave”; libri me tregime: “Nata e bardhë e Anës”.
Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, dega gjuhë-letërsi në Tiranë. Po pranë këtij fakulteti ka mbaruar masterin shkencor me temën: “Tipologjia e poezisë së Frederik Rreshpjes” dhe shkollën doktorale për studime letrare me temë: “Poetika e refuzimit estetiknë poezinë tonë(Zef Zorba dhe Frederik Rreshpja)”
Ka punuar si redaktor letrar në disa shtëpi të ndryshme botuese dhe lektor i jashtëm në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës. Aktualisht punon si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën e mesme profesionale “Hoteleri Turizëm Tiranë”.
ObserverKult
Kliko edhe:
RIZA BRAHOLLI: I JAM DHËNË KOKË E KËMBË SHKRIMËSISË E LEXIMEVE
RIZA BRAHOLLI: KUSH MË PUTH, VDES ME MUA!
POEZI NGA RIZA BRAHOLLI: AJO QË HUMBA
“NËNËS SIME NUK I SHKRUAJ LETËR”, POEZINË E RIZA BRAHOLLIT E LEXON TEUTA SHAQIRAJ
POEZI NGA RIZA BRAHOLLI: TI ZONJË ATJE LARG…
MË IKE EDHE TI, POEZI NGA RIZA BRAHOLLI