Buqetë poetike nga Preç Zogaj: A thua do të vish duke qeshur

pre
Preç Zogaj

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Preç Zogaj, shkëputur nga libri “A thua do të vish duke qeshur”, 1988.

Nganjëherë ëndrra

Nganjëherë ëndrra ime ik nga jeta ime.
I bezdisur prej pluhurit,
duke murmuritur «ndihmë»,
bares në një rrugë të shkretë.
Kurse ëndrra shëtit
pyjeve të Velës,
ku ajri kullohet
në rrjetat e halave.
Dridhet shermasheku rreth trupit të saj,
trumba zogjsh i afrohen me çerdhet në sqepa,
ajo, lozonjare, hap krahët anash,
e përpin hapësira… Por prapë fiton ëndrra.
Asgjë s’e kalon etjen e saj.
Bën sikur s’di, bën sikur dehet,
keq e ka punën sapo të kthehet!
Pikë mëshirë për të s’do të kem,
veshët në dorë kam për t’ia dhënë,
sepse vetëm unë, vetëm unë e pësoj
që ëndrra ime ik nga jeta ime.

E bukura ime më e mirë se unë

Janar, shkurt, mars. U ngjalla!
Në trupin tim kërcitën fara lulesh,
ty të kujtova dhe qava.

U zgjidh fjala e dashurisë!
Të kyçurat gojë do t’i çelë,
në mos na i hodhi trupat në erë.
A ka kuptim të vuaj për një fjalë të pathënë?
A ka kuptim të iki në një qytet tjetër?
Të vishem keq, të prishem, të shëmtohem?
Erdhi pranvera, vallë më dëgjon,
o e bukura ime, më e mirë se unë!
Fjala «të dua» e mbushi ajrin rrotull gojës sime,
në bilbila i ktheu dhjetë gishtërinjtë e mi,
gishtërinjtë e mi që sikur ikin prej meje,
unë që sikur iki prej lëkurës sime,
drejt teje, drejt teje, drejt teje.


Sot e diel


Sot gjithë ditën zemra ime e vogël,
zemra ime e fshehur nuk ishte mirë!
Asgjë, pra, asgjë nuk ndodhi.
Rrija në shtëpi. Ditë higjiene.
Dalim, më thoshte im bir, dalim!
Të shkojmë në punë, në mbledhje, në këshill,
në treg, në spital, në Manati…

Dhe zemra ime kërcente djathtas.

Asgjë, pra, asgjë nuk ndodhi
sot gjithë ditën!
Në orën dhjetë dëgjuam këshilla praktike
me temë: Arti i gatimit dhe kultura e ngrënies.
Kujtova me turp se shpesh ha në këmbë si
duke ikur.

Dhe zemra ime kërcente majtas.

Asgjë, pra, asgjë nuk ndodhi.
Telat u mbushën me tesha të lara,
u duk se ballkonet pikonin lot,
E diela u la e u tha dhe uli qepallat,
në barkun e mbrëmjes java fërgëlloi si zog.
Dhe zemra ime kërcente djathtas.
Shokët e mi kishin ikur në jug, në veri,
e hëna vononte – sa shumë! – pas yjesh të mitur;
po më trembte zemra ime e lajthitur,
atëherë shkrova urgjent këtë vjershë
dhe u shërova!


A thua do të vish duke qeshur


Endet një muzg përzier me brymë
dhe vetmia lind përsëri,
shkon çalë-çalë nëpër rrugë.
Përse më ke thënë harromë?!
Fillikat tani, më mbyt bukuria.
Diç dua të them e nuk mund ta them.
Mëkat të flasësh
kur fjalën e saktë
nuk e gjen.

Do të kisha harruar, por s’mund të të harroj,
se endet ky muzg, ngaherë do të endet ky muzg.
Vjen një mëngjes, ngaherë vjen një mëngjes,
Ose bie shi, bie shi me litarë
dhe vetmia lind përsëri,
dhe ndarja jonë ka një moshë,
për shembull një vit, dy ditë, tri orë …

Rritet moj, rritet, ndarja jonë.
Këtu kemi qenë, kemi shkuar kaq pranë.
Na kanë ndarë mure, xhama, pemë,
na ka ndarë syri ynë!
Por endet një muzg përzier me brymë,
jam krejt i sigurt tani dhe kam frikë
se një ditë do të vish duke qeshur.
Jam krejt i sigurt se do qajmë
nën sytë e qeshur.

O e bukura More

Me duar të padukshme
era e detit shkopsit
këmishën time.
Një dallgë e bardhë në largësi
thërret eja.
Nga trupi nuk e heq dot lëkurën.
Sillem, përpëlitem,
digjem, mbytem.
E unë ik nga Moreja,
Moreja ik nga Arbëria.

Sot më zu idhnimi
i varreve shpërndarë
në dhera të huaj.
Grushtet e mi të fortë
kallot i kanë nën lëkurë,
gjurmët në mur.
E unë ik nga Moreja,
Moreja ik nga Arbëria.

Afrohu, orë e lumtur e poetit


Shtëpia fle e shpirti vuan gjatë:
një mijë zëra përqark, asnjë fytyrë,
një mijë fjalë si bletë dhe asnjë varg,
një mijë thirrje në xham, asnjë pasqyrë.
Afrohu, orë e lumtur e poetit!

Duhet të shkruaj patjetër,
po deri te letra e bardhë
zverdhon një tufë flakësh.
Si të kalosh pa u djegur?
Si ta shtypësh kalemin
kur engjëlli i pazbutur
dridhet nëpër gishta?
Ka disa kohë që shkrimi i poezisë
më shkakton vuajtjen dhe dehjen
e dhurimit të gjakut.

Afrohu, orë e lumtur e poetit!

ObserverKult

Kliko edhe poezi të tjera nga Preç Zogaj:

PËRSE, MAMA, TI DËSHIRON TË VDESËSH?
KUR KUJTOJ SA TË KAM DASHUR
VDIQ KJO DASHURI…
NGADO MË SHTYN KJO NATË, KY MALL
PO PËRGATITEM PËR PUTHJEN TËNDE
SI DO T’JA BËJMË NE ME DASHURINË TONË?