Charles Bukowski: Flakja e orës me zile

Poezi nga Charles Bukowski

babai im gjithmonë thoshte: “kush fle e
ngrihet me pula do të bëhet njeri i shëndetshëm, kamës
dhe i mençur”.

në shtëpinë tonë qysh në ora tetë fikeshin dritat
e zgjoheshim në agim me aromë të
kafesë, proshutës së pjekur dhe vezeve të
skuqura.

babai e ndoqi këtë rutinë të përgjithshme
gjithë jetën e lume dhe vdiq i ri, pa një dysh në xhep,
dhe, kujtoj, jo edhe aq i
mençur.

duke i kushtuar vëmendje, këshillën e tij e ktheva mbrapshtë dhe ajo
u shndërrua, për mua, sa më vonë në shtrat e
për t’u ngritur po ashtu.

tash, nuk po dua të them se e kam pushtuar
botën, ama u jam shmangur
bllokimeve të hershme të trafikut, i kam kapërcyer do
kurthe të zakonshme
dhe kam takuar do njerëz të çuditshëm dhe të
mrekullueshëm

një prej tyre
isha
unë – dikë që babai im kurrë s’e
ka
njohur.

Përktheu: Fadil Bajraj

Charles Bukowski

Lexo edhe:

CHARLES BUKOWSKI: POROSIA

rri në dhomë me orë të tëra
duke shtypur në makinë, dhe
duke pirë
verë të zezë.
mendoja se jam
i vetëm këtu.
dyert janë të mbyllura
edhe dritarja.
e tashti miza e madhe e trashë
e shëmtuar dhe e zezë
rri në buzën e
gotës sime të verës.
nga ka ardhur
ajo?

Poezinë e plotë e gjeni KËTU