Cikël me poezi të Radmila Lazić: Oh, qysh s’dita kurrë me mbajt gojën mshel!

radmila lazic

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Radmila Lazić , përkthyer nga Vlora Konushevci.

Çift i qijshëm

Ta zamë,
Që unë e ti jena çift i qijshëm.
Ti, burrë i qijshëm, e unë, grue e qijshme.
Që jena tuj e vozitë nji Chevrolet kabriolet,
N’rrugë t’braktisuna,
Tuj kalue përmes botës pa njoftë asnji, pa ndalë kurrkund,
Sikur jena tuj ikë prej fundit t’botës.
Veç nata që lulëzon si plagë.

Ta zamë,
Që ti e mban timonin me njanën dorë,
E tjetra t’rrëshqet përfundi fundit tem,
E sigurisht, aty poshtë s’kam veshë gja.
Unë i çoj duert nalt, fluturoj si nji zog.
Mbi neve, hana – e verdhë si petull,
E ngjitun për tavani t’qiellit.

Ta zamë,
Që jena heronj të ndonji filmi t’vjetër,
Diçka si “Të Egër n’Zemër”.
Muzika shpërthen e rrotat çmenden,
Ajri na e pret ftyrën si thikë e mprehtë.

Ta zamë,
Që dalim prej rrugës.
Ty t’hyn timoni n’gjoks,
Sikur ajo fjalia:
“Nuk t’due ma.”
Dhe unë thehem n’midis,
Si kallami i misrit kur lakohet n’stuhi,
Dhe si dikush që sapo e ka kuptue,
Që e ke tradhtue me nji tjetër.

E ambël kish me qenë deka mbi buzët tona,
Atë çast, a s’asht ashtu?

Dy yje kishin me ra,
Hana kish me rrëshqitë tatëpjetë,
E gjithçka kish me marr fund.


Doroti Parker bluz

E Padashtun. E Papërkdhelun moti.
E harrueme, si rrobë e varun n’tel.
As e çmendun, as shkollovane.
Nji copë mishi e kalbun, e qethun si mos ma keq
Ty t’du sot.
Ty, që hala s’t’kam takue.

I veshi brektë e zeza,
i mbuloj shkurret e egra.

I lyej buzët, i dredhi flokët,
hipi n’taka.
Jam gati për ty.
Veç m’duhet me vesh fustanin e ngushtë
me t’ba me t’u ndalë fryma,
me t’u marr kambët,
kur t’më sheh ashtu.

Kemi me u takue rastësisht – qëllimisht
atje ku veç aty mundem me qenë,
atje ku zakonisht s’vijnë ata si ti.
E bash nji si ti m’duhet mue,
që më merr me veti pa u mendue,
por që e di mirë pse e ban.

S’më duhen llafe koti,
a ke lexue këta apo at’ tjetrin?
A e ndigjon Bahun a Jagger-in?
Jam ngi me to,
si me lajmet për motin dhe orën e saktë.

Jo, prandej po i bie shkurt:
Po t’dha vizë
për trupin tem – atdheun tem.
Dikur ka qenë copë e mirë,
as tash s’asht me u hedhë.
Lëkura jem së brendshmi asht kadife,
si zambak i egër.
Merri erë. Provoje.
Menjiherë si te mbyllësh derën,
përplasu n’ te,
nisja me puth,
poshtë, ma poshtë.
E nëse s’e ban ti, e baj unë.
Trupi jem deri para pak orësh dimën,
tash u ba shkurre e mbushun me bleta t’egra.

Humba shumëçka.
Por tash di çka di:
Ora asht dymbëdhjetë, ka nis me m’zanë tuta

Shpejt erdhën vjetët,
Ngarkue me lloj lloj bagazhi.
Edhe nji romancë a dy, e ndoj flirt,
Mandej n’vjetërsina, a n’antikitet.

Ti m’duhesh shpirt,
po t’jap nji shancë.
Zhduke, fshije!

Fshije si shkumësin prej dërrasës së zezë,
hiqi ditët e ngrysuna, ditët e zbrazta.
Ku e kam vnu pikën,
vno çka duhet.
Çlirom aty ku isha e kyçun.

S’po du pije,
as muzikë, as bla-bla-bla.
Ajo që due asht nji shkundje e mirë.
Dritë a terr, krejt njisoj m’vjen.
Po e shkruj jetën tem orë për orë.
S’ma ndjen për tregime, citime, refrene…
Kam qef me grabit e me grrith,
si ajo macja mbi çatinë prej llamarine
e djegun epshi.

Oh, qysh s’dita kurrë me mbajt gojën mshel,
foli shumë, lehi, për punë t’mia.

Fajtore jam

S’jam kallë,
S’jam djegë si dru Buzmi.
S’jam shembë,
S’kam dekë krejt papritë,
S’jam ligë prej ndoj sëmundje t’pashërueshme.
S’e kam vra Presidentin.
S’kam ba asgja radikale,
Asgja vendimtare,
Asgja për ballina,
As për me u kujtue ndër breza.
Miqtë s’mi rrahin supet,
S’më shprehin keqardhje as të njohun as të panjohun.
As më lidhin kunora dafine,
As më gozhdojnë në kryq –
Tanët a të huejt.
Mbi shpinë teme s’ka ra bombë,
As asht futë dikush i panjohun.
S’kam paketu e çpaketu valixhe,
S’kam pritë në radhë për vizë,
As kam kalu netë e ditë në bodrum.
S’kam ndejtë në kampe,
As në ikje,
S’kam ikë me vrap e pa kthye kryet –
S’pata fat me u ba viktimë.
S’kam marr n’shënjestër,
As më kanë pasë n’shënjestër.
S’kam çlirue, as pushtue qytete e fshatna.
S’kam thanë fjalë të mëdhaja,
S’kam shitë mend,
S’kam shkru lavde patriotike.
S’kam lindë asnji hero.
Hisja jem në histori – kurrëfare!
Në mbrojtje teme, s’kam çka me thanë.

1996

Dollap Antropomorf

S’ka ma vend.
Jena plot si dollapet.
Çka kemi palue varg e vi,
Mbledhë, paketu,
I kemi vnu mbi plagë.

Ato që i kemi varë çengelave,
Radhitë n’tel;
Dëshirat e dimnit, andrrat e verës,
Perëndimet e diellit, majat me borë,
Psherëtimat e tua-të miat –

Tash janë t’shpërndame n’tana anët.
T’harrueme. T’çveshuna me ngut.
T’gjuejtuna qosheve. T’kthyeme mbrapsht.
Ato t’nevojshmet e ato ma pak t’randsishmet
Njana mbi tjetrën, t’hudhuna.
E u shkurtuen. E u ngushtuen. E u qepën simbas masave.
E u zbehën, e u çkyen – aty janë.

Brinji i thyem i Adamit.
Krahu i shkputun i engjëllit.
Lëkura e dashnisë e dashnia me leqe.
Unaza. Krehën. Fantazma. Tenja.
Ma kush këtu s’gjen gja.
Ku mbet? Ktheje! Lëvize!

E humbun. E mandej kthye në përqafim.
Rrjeta e marimangës tundet. Miu përtypet.
Flutra shpalos krahët.

Halë n’sy. Deti kah shterret.
Dita-nata. Do-s’do.
Nxirre-shtine. Jep-merr.
Këta n’pastrim kimik. Këta dreqit.
Këta maxhupes. E këta – kurrqysh!
Pështjellime t’mallit. Zemër e shpërlame.
Mëndafsh lotësh. Fijet e Ariadnës.
Dantella mbi emna. E kryera e thjeshtë.
Fjali-kocka. Luspa fjalësh
Dalin prej fiokave, varen. T’mpime. T’përjetshme.
Pikojnë. Rrjedhin. Lëshojnë lot. Lëshojnë afsh.
Shkrijnë orët. Jetë e bajtun.

*Radmila Lazić asht njana prej poeteve ma t’njohuna serbe sot. Ka botu gjashtëmbëdhjetë vëllime me poezi, dy me ese e nji libër me prozë t’shkurtë. Lazić njihet për trajtimin e temave tabu n’poezinë e saj, me qasje t’drejtëpërdrejt e shpesh me ironi ndaj çashtjeve shoqnore. Asht edhe anëtare themeluese e Lëvizjes Serbe t’Rezistencës Civile dhe e Qendrës Serbe PEN.

ObserverKult