Cikël poetik nga Anila Toto: Një grua në dritare

anila toto

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Anila Toto:

Lulëkuqja

Një lulëkuqe këtë mëngjes
çelet ngadalë e ashtu paqësisht.
I hap petalet lehtë përmbi vesë
derisa shpaloset plotësisht.

Duket sikur ka mbirë nga gjaku
se dashuri më zgjon dhe malle.
Oh, ç’bir i shqipes për së largu
është mishëruar ndër petale?

Vjen nga kohët ashtu i heshtur
në një lulekuqëz, kuq e zi…
Asnjë flamur nga bijtë e vdekur
s’u kthye në lule e prapë të mbijë.

Nga drita e saj nis çelet toka
e zbukurohet gjithë ky vend.
Një lulekuqe e ndryshon bota
ndryshon gjithë jeta në planet.

Tetori rozë

Ti motra ime lart në qiell
Që dhimbja të është lehtësuar
Që natën ti më bëhesh diell
E ditën, hëna e munguar.

Më ndjek nga pas një ndjenjë e butë
Që kohët ty t’i la në mes
Nga toka dhimbja u shkëput
E dritë t’i ktheu lart në qiell.

Një shoqe e kam në dhe të huaj
Lufton çdo ditë aty për jetën,
Por dhimbjet nuk e kanë lënduar
E fati i saj nuk e la vetëm.

Ja edhe një mike vjen nga larg
Pa flokë në kokë dhe e tjetërsuar
Me shumë krenari, por fjalëpak
Tregon se tashmë e ka kaluar…

Kudo në botë ka mijëra gra
Që në emër të jetës, Atit dhe birit
Luftojnë të fitojnë me shkencë e fat
Sëmundjen e kanserit të gjirit.

Ne jemi femra, bija dhe gra
E mbajmë mbi supe jo vetëm jetën
Familjet tona do të vuajnë më pak
Me një kontroll mjekësor të vetëm.

Njerëz të bukur

Kam parë njerëz të bukur
Që falin përditë gëzime.

Dhimbjeve nuk iu përulën
e qeshin edhe ndër dhimbje.

Kam parë njerëz të mirë
Që njohin veç dashuri.

I kthejnë në fat mundimet
e hallet në mirësi.

Kam parë njerëz të thjeshtë
Që duan gjithçka që çel.

Edhe në dimrat më të egër.
mbjellin nga një pranverë.

Një grua në dritare

Në një dritare të vogël në qytet
Një grua e vetmuar flet me yjet.

Gjithë errësira që mbi supe i zbret
Ndriçohet veçse nga drita e syve.

Çudi dhe yjet, pa shih si i binden,
I thurrin kurorë të artë mbi kokë.

Duket se zgjohet gjithë galaktika
Të buzëqeshë një femër në tokë.

Gratë serioze

Gratë serioze mbajnë një dhimbje që i ka plakur
Një dëshirë që vdiq e u ngjit lart në qiell
Një lëndim që kurrë nuk e kanë shfaqur
Edhe kurajon për të mos falur lehtë.

Gratë serioze kanë një forcë të çuditshme
Dedikohen dhe mohojnë gjithçka nga vetja
Mundet të të japin edhe trupin e shpirtin
Edhe prapë të mbeten të shenjta.

Gratë serioze projektojnë gjëra madhore
Rrisin fëmijët dhe luftojnë për ideale
Nuk qajnë e ankohen, vështirë të jenë fajtore
Nuk ndihen kurrë rivale.

Gratë serioze nuk tremben as nga vetja
Nuk lyhen e nuk u ikën kurrë moda
Vishen thjeshtë ose me rroba të shtrenjta,
Por ngrihen të larta si ikona.

Unë

Të kam dashur,
Çmendurisht të kam dashur!

Dhe pse dashuritë thonë
s’rrojnë përjetësisht.

Nuk ndihesha fajtore,
as cipëplasur.
Largohesha
e tërboheshim
vetmisë.

Të kam dashur,
Pabesisht të kam dashur!
Si ndryshe mund t’i thirret
Çmendurisë ?!

ObserverKult

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA ARTI LUSHI: TË KESH NJË ËNDËRR

CIKËL POETIK NGA FATMIR R. GJATA: FTUA MES LËNDINËS