Cikël poetik nga Bislim Ahmetaj: Etyd dashnie

bislim ahmetaj

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Bislim Ahmetaj:

Etyd dashnie

Diellin që e pi
Me sy perëndimeve
E lind me buzë
Për ju mëngjeseve…

Etyd dhimbje

Tokën e ndanë për frymë,
Malin e zunë,
Deti u zaptua,
Një rriskë të hollë qielli
apo një cpirrë rrezje dielli
A thua do të teproj për mua?!?

Etyd larush

Mbrëmjeve
Para gjumit
Lutem
Për jetën,
Për vetën
Për njerëzit që dua
Mëngjeseve shpesh këndoj
Ndërsa mesditave më pëlqen
Të hazdisem, të jetoj pa mure.

Etyd nostalgjie

Anija dhe nata
me të cilën po udhëtoj
po ikën ethshëm prej lindjes
unë dhe breznia ime
si magnet i jemi lidhur vendlindjes.

Etyd shprese

Bash
Kur vetmia
Dhe asgjëja
Deshën të ndërtojnë
Një lapidar të burgtë mbi mua
Mu ul një zog në gjoks
Dhe donte pa kushte
Me ba dashni
Me mua.

Etyd hyjnor

Ideja se duhet me dek i bukur
Se duhet me dek i lumtur
Se duhet me dek i ri
Se duhet me dek
Me patjetër
Asnjiherë
S’mu ka
Hjekë
Sysh.

Thjesht etyd

Preki
ëndrrat
ooo Njeri.
Luaj me to
si një fëmijë.
Duaji me zemër
ëndrrat e tua o Njeri
që ato të jenë të bardha
të kaltra, të mjalta, të lara në flori.

ObserverKult

Lexo edhe:

BISLIM AHMETAJ: JORGOJA I TROPOJËS

BISLIM AHMETAJ: MË DHIMBSEN PEMËT QË PRITEN PËR TË BOTUAR LIBRA TË TRASHË!