Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poetik nga Emrije Krosi:
LIRIA E LUMIT
Liria e ujshme e lumit,
ka qëruar nga të shtatë lëkurat,
zgjatet si cigarja,
që mbështillet,
mes gishtave të djersitur,
si lumi,
kërleshur,
rrokulliset,
theqafës në uturimën e qelqtë.
Ashtu nën vrimat,
e mjegullës,
lexoj retë,
që kujtesës së erës,
zhytet në libra historitë e kalorësve të mesnatës,
me hapa drithërues,
kur folezojnë zogjtë,
që hartave vizatojnë lirinë e tyre,
mbi zhavorin e qullur nga stuhia e breshanës.
Unë preka gjethnajën,
e kufomës së natës, mespërmes lumit,
hapat në (pas)udhët që kam përshkuar, ngareshëm,
tejpërtej ledheve,
të vdekjeve shekullore,
prapë se prapë liria,
me gëzof dimri,
shkund pluhurin e harruar të flakëve të Aleksandrisë.
Nuk janë të gjitha njëlloj liritë,
se liria e lumit është ndryshe,
krejt ndryshe…
A WOMAN’S LIFE…
(kantonima e lirikës së pasmesnatës)
Atje në shtratin e reve,
stinët kanë ngjyer kafshatat,
me burimet erërash të gjelbra,
se rrugët e pranverës,
kanë shtrydhur musht’ ernash të gjethnajave të reja, me eshtra dritash,
si parfume dëshirash,
prej një gruaje të fortë,
që në orën e tokës,
qesh me melodinë e shpirtit të grisur,
(diku në odat e Perëndive),
hijet e lotëve nuk fshijnë kohërat e mugëta të ëndërrave të mia,
ku tingulli i poezisë time,
ka mbushur gotën e buzëqeshjeve me shpresa të dlira,
prej vajzuke rebele shpirtlirë…
CUCA E SALËS
Në katrorë e rrugës kur luaja rrasash,
krejt e vetme,
trastën me libra,
nderja në një hendek në baltë,
hartoja mijëra ëndrra,
në gjeografinë e madhe,
sa bota,
aq të largëta viset e atdheut,
saqë ajo pjatë diell i fshatit tim,
si vezë surbull,
e harruar pas lojës,
e djersitur,
e uritur,
ho- hop- hop,
plot energji,
vetëm, luaja/ luaja,
një, dy, tre,
shpiash
kryefjala/ kallëzuesi/ fjalia/
fizika/ zoologjia,
hidhesha e hidhesha pupthi,
(kur kalimtarët më bërtisnin në rrugën me dhè),
-oj cuca e Salës,
-ç’bën më rrugë,
-po luaj,
-pse nuk shkon në shpi,
-nuk dua, nuk dua,
-ku e ke edukatën,
oj cuca e Salës,
-në çantë,
dhe cuca e Salës hidhej e hidhej,
deri në qiellin e lirë të vajzërisë.
E TASHMJA E PAKRYER
(e klithmës…)
Mjaft më,
o ulërimë e jetës time,
si krismë e thatë shprese,
që hukat kaq beftë,
sythet që sapo buisën gjethedrite,
kur frutet e hidhura “vdekja” ime poqi,
askush nga shoqëria ime universitare nuk i voli,
lukunia e miqve egoistë ikën,
ashtu turravrap,
pakthim në drejtime të ndryshme….
…unë në gropat e vetmisë time,
verbimthmi mbeta një fosile e vjetër,
nëpër rrugët e Tiranës, një zonjë me letra shoqatash,
ID-në më kërkon,
-zhdukuni, nga hija ime o mjeranë,
pa shtyllë kurrizore në vajtime hienash kukurisni paturp,
në kore fishkëllimash,
mes gishtash degët e membranës,
zukatin si mizat jeshile,
-mjaft më, këlthas,
duhet të ikim,
a mund të ikim,
të ikim,
nga inati,
mërzitja,
dashuria,
nga gruaja dhe dashnorja,
nga burri dhe fëmija,
mund të ikësh nga gabimet e tua,
nga përditshmëria dhe thashethemet,
-mjaft më,
mjaft,
o botë budalle
që na përgojon,
o botë lavire,
por, a mund të ikim vallë,
nga vetvetia??!
KOHË E EGËR
Ulërijnë orlat si gjysmë-harpi,
në shkëmbinj leshterikësh,
në botën e çmendur,
kohë mejhanesh të mjera,
të tymta mejton,
shtrattharë lumi kokën tullace,
ngjyrë okër fsheh,
(pa shkulm zemërimi),
se tejvarreve ska gjerdhe,
veç vetmia ngulet,
si gozhdë e vjetër,
në vrimat e mjegullës manare.
O kohë e shqyer,
qe kalavitesh kuajve të verbër,
si hamshorë dembele,
në udhëkryqe pa emra,
pa autografe a kryqthyer,
në gremina të mnershme,
sy(ç)meritur,
pa asnjë gramë dashuri,
këmbëzvarrë vallëzon funebrave
varrftohtë,
se djaj vjell çdo ditë
plënci yt gërdallë,
se kemi harruar të qajmë,
të qeshim,
të duam,
të grindemi,
të kujtojmë,
saora kjo kohë e egër,
(me këmbëjeshile
si fijebari të kalbura nëpër moçale),
të gjitha na i more,
të paktën, (mos)harresën na e lër si hajmali.
Emrije Krosi, ( Emmy), është shkrimtare, studiuese e letërsisë dhe publiciste. Ka mbaruar master shkencor për studime dhe kritrikë letrare, në Universitetin e Tiranës.
Ka botuar :
– “Përmasa e kohës së përjetshme”, studim i thelluar për Jusuf Gervallën, bashkautorësi me Menduh Lekën, Prishtinë, 2000
– “Një statujë e paputhur” poezi, Tiranë, 2000
– “Buzët lyej me ngjyrën e muzgut”, poezi, Ada, Tiranë, 2021
– “Baraka e kampit”, roman, Ada, Tiranë, 2021.
ObserverKult
Lexo edhe:
TANUSHA E EPOSIT DHE SHULAMITA E SOLOMONIT NË RRAFSHIN KRAHASIMTAR