Nga letërkëmbimi Zigmund Frojd-Stefan Cvajg (përktheu Rexhep Hida)
I nderuar Zotëri,
Tani që më në fund ndihem pak më i lirë, gjej rastin t’ju përcjell falenderimet e mia më të thella për librin tuaj të mrekullueshëm *1, që gjeta në tryezën time të punës që kam përlarë me një frymë që prej dy javësh; këtë libër e kam lexuar me një kënaqësi të veçantë, përndryshe, nuk do të kisha ndier nevojën t’ju shkruaja për këtë gjë. Intuita e përsosur e shkrirë me një mjeshtëri e me forcë të rrallë shprehëse, të japin një kënaqësi të jashtëzakonshme.
Më shumë më ka bërë përshtypje përshkallëzimi në rrijte i akumulimit e i përqëndrimit, falë të cilit fraza juaj të bëhet gjithnjë e më e afërt dhe objekti që përshkruani të duket më intim. Kjo i ngjan dendësimit të simboleve të ëndrave, që zbulon gjithnjë e më gjatë atë që është e mbuluar.
Nëse më lejohet ta vlerësoj punën tuaj me një peshore tepër të rreptë, do të thosha se figurat e Balzaque-ut e të Dickens-it i keni arritur plotësisht. Por për këtë nuk duhet të mburreni dhe aq, se ata janë tipa të thjeshtë, katrorë. Ndërsa, përkundrazi, me Rusin *2 puna nuk është e ngatërruar dhe me të nuk kalohet edhe aq lehtë. Kështu, te ai vërehen mangësi dhe enigmat nuk janë zgjidhur plotësisht. Më lejoni t’ju ofroj disa materiale lidhur me të, natyrisht, ashtu siç nuk mund t’i kem përfytyruar unë si amator.
Besoj që psikopatologjia që ka sunduar te Dostojevski , mund të ndihmojë për të ndriçuar mjaft aspekte te ai *3.
Mendoj se keni bërë mirë që nuk i keni kushtuar edhe aq vëmendje epilepsisë së Dostojevskit. Ka shumë pak të ngjarë që ai të ketë qenë epileptik. Epilepsia është afekt organik i trurit, i jashtëm në lidhje me strukturën psikike dhe i lidhur në përgjithësi me atë moment kur aftësitë psikike të njeriut bien e thjeshtëzohen.
Njihet një rast me këtë sëmundje te një njeri i kulturuar, të cilin sëmundja nga gjeni, në kushte normale, e shndërroi në një qënie që nuk njihet në gjendje afektive (Helmholz).
Të gjithë njerëzit e tjerë të mëdhenj, për të cilët thuhet se kanë qenë epileptikë, nuk kanë qenë gjë tjetër veçse histerikë (as fantazisti Lobroso nuk dinte ende ta bënte dallimin).
Ky dallim nuk është aspak një pedantizëm mjekësor, por një element tepër themelor. Histeria i ka rrënjët te vetë përbërja psikike; ajo është shprehje e së njëjtës forcë arkaike të origjinës qe shfaqet edhe te veprimtaria e artistit gjenial. Por, ajo është gjithashtu, simptomë e një konflikti tepër të fuqishëm e të pazgjidhur që zien si zjarr vullkanik midis këtyre premisave të origjinës e që, për pasojë, e ndajnë jetën shpirtërore në dy kampe. Unë mendoj se te Dostojevski gjithçka duhet ta ketë bazën te histeria!
Në biografinë e Dostojevskit kam ndeshur një pasazh ku krijohet një raport interesant midis vuajtjeve të brendshme të djaloshit dhe ndëshkimit që i ati i jep atij në rrethana tepër të vështira-fjala “tragjike” që më vjen së pari në mendje (për mirë apo për keq? ) më duket e zbehtë.
Për arsye “fshehtësie” nuk thuhet qartë asgjë rreth asaj që ka ndodhur. Është pikërisht kjo skenë fëminore-s’është nevoja që për këtë të bind autorin e Përjetimeve të para-që më pas i ka dhënë forcën romantike për t’u përsëritur në trajtën e një krize; e gjithë jeta e Dostojevskit më pas do të sundohet nga një qëndrim i dyfsihtë ndaj të atit (autoritetit): nënshtrim i verbër i mazokistit dhe rebelim i egër i të revoltuarit. Mazokizmi te ai përfshin ndjenjën e fajësisë që kërkon “të ndëshkohet”.
Ajo që ju e quani “dualizëm”, ne e quajmë “ ambivalencë”; kjo ambivalencë e ndjenjave është, gjithashtu , e trashëguar nga jeta psikike e njerëzve primitiv, por që është ruajtur mjaft mirë e që është bërë gati pjesë e vetëdijes së popullit rus që, midis të tjerash, ashtu siç e kam paraqitur edhe herë tjetër, s’ka shumë kohë që po përpiqet të hyjë në jetën e qytetëruar. Ky konflikt përshkruhet më së miri te historia e hollësishme e sëmundjes së një pacienti që s’mund të ishte tjetër veçse fund e krye rus.
Ky predispozicion i fuqishëm ambivalencës mund të ketë ndikuar, bashkë me traumatizmin fëminor, që të lindë dhuna e jashtëzakonshme gjatë sëmundjes histerike. Edhe rusët joneurotikë janë të tërë ambivalentë, ashtu si personazhet e Dostojevskit gati në të gjitha romanet. Pothuajse të gjitha veçoritë e artit të tij, të cilat ju, mjerisht, nuk keni arritur t’i kapni si duhet , lidhen me predispozicionin e tyre psikik që është anormal për ne, por normal për një rus; ose më saktë , ato lidhen me strukturën e tyre seksuale, gjë që duhet zbërthyer me imtësi.
Pikë së pari, le të marrim momentet që lidhen me anën e dhimbshme e pikëlluese. Ato nuk mund të kuptohen pa pskoanalizën, domethënë çdo personazh në vetvete zbërthehet me anë të personazheve të tjera dhe frazave të veta.
Për këtë mjafton të sjellim një shembull: fakti që Vëllëzërit Karamazov trajtojnë pikërisht problemin më personat të Dostojevskit, atvrasjen, dhe marrin për bazë parimin psikoanalitik të ekuivalencës së aktit e të synimit të pavetëdijshëm. Njëkohësisht , veçantia e përfytyrimit të tij mbi dashurinë psikike, që herë është një shtysë instiktive, herë një pasion isublimuar, pamundësia e heronjve të tij për të vendosur nëse dashurojnë apo urrejnë, çfarë duan, çfarë nuk duan etj, të gjitha këto tregojnë se në çfarë terreni tepër të ndërlikuar është zhvilluar psikologjia e tij.
Nuk kam frikë që ju do të mendoni se kjo analizë e asaj që quhet patologji, synon ta zvogëlojë apo ta thjeshtëzojë madhështinë e gjenisë poetike të Dostojevskit, Po e mbyll këtë letër që, për çudi, më doli ca e gjatë, sepse, ndonëse s;kisha ndër mend të zgjerohesha, një sinjal i çuditshëm më ftonte tinëzisht dhe jo fakti që e njihja si duhet gjithë lëndën, duke ju përsëritur falënderimet e mia dhe duke ju përshëndetur përzemërsisht.
Frojd
———————————-
- Është fjala për librin Tre mjeshtra (Drei Meister)-Balzaque, Dickens, Dostojevski botuar në Leipzig , më 1920.
- Është fjala për Dostojevskin.
- Më 1928 Freud-i do të botonte vetë një studim me titull Dostojevski dhe atvrasja
(Shkëputur nga libri “Mbi letërsinë dhe artet” të autorit Zigmund Frojd)
E përgatiti: A.S.- ObserverKult
===========
Lexo edhe: