Nga Paulo Coelho
Ecën kështu në heshtje për më se dy ditë. Alkimisti tregohej më i matur, pasi po i afroheshin zonës ku betejat ishin ndezur keqas. Dhe djaloshi përpiqej të mbante vesh ç’i thosh zemra.
Ç’zemër e pashtruar që ish: më parë s’gjente qetësi derisa të nisej, kurse tani donte me çdo kusht të arrinte. Kohë më kohë, zemra ndalej, orë të tëra, duke rrëfyer ngjarje përmalluese. Herë të tjera prekej kur në shkretëtirë lindte dielli, saqë djaloshit i shkonin lotët faqeve, prandaj dhe fshihej.
Zemra i hidhej edhe më fort në krahëror kur dëgjonte të flitej për thesarin, dhe shtrohej kur vështrimi i tij tretet tej horizontit të paanë të shkretëtirës. Por prapë s’gjente qetësi, edhe kur djaloshi nuk këmbente ndonjë fjalë me Alkimistin.
“E përse u dashka ta dëgjojmë kaq shumë zemrën? “, pyeti djaloshi atë ditë kur u ulën të pushonin.
“Sepse ngado që të të çojë ajo, thesar do të gjesh.”
“Po kjo e shkretë s’po më gjen derman”, tha djaloshi .
“Tani ëndërron, pas pak e zë mallëngjimi, pale, i është pjekur ylli me një vajzë nga shkretëtira. S’di të pushojë së kërkuari, madje edhe natën ma nxjerr gjumin sapo mendja më shkon tek vajza.”
“Shumë mirë, ti paske goxha zemër. Vazhdo t’u mbash vesh atyre që të thotë”.
Në të tri ditët që pasuan, u takuan me disa luftëtarë dhe panë disa të tjerë në horizont. Zemra filloi t’i flasë djaloshit se ç’ishte frika.
Po i rrëfente ndodhi që kishte dëgjuar nga Shpirti i Botës, ndodhi njerëzish të cilët ishin nisur për të gjetur thesarin dhe ishin kthyer duarbosh. Hera-herës zemra e tromakste djaloshin duke i thënë se edhe atij mund t’i ndodhte që të mos e gjente thesarin, apo të vdiste në shkretëtirë. Herë të tjera e nxiste të ndjehej i kënaqur, sepse kishte gjetur dashurinë dhe monedha të florinjta.
“Për nder, kjo zemër do të më ketë tradhëtuar!” i tha djaloshi Alkimistit kur ndaluan që të merrnin frymë kuajt. “As që dua ta dëgjoj më.”
“Kjo është gjë e mirë”, u përgjigj Alkimisti. “Tregon se zemrën e ke gjallë. Kur gjithçka që ke fituar të duket si ëndërr, është e natyrshme frika se mos i humbet të tëra”.
“Atëherë, përse iu dashka vënë veshi zemrës?”
“Sepse ti kurrë s’ke për t’ia mbyllur dot gojën asaj. Sado të hiqesh sikur nuk ia vë veshin, ajo do ta ketë folenë në gjoksin tënd e do të vazhdojë të të thotë se ç’mendim ka për jetën dhe për botën.”
“E në më tradhtoftë?”
“Tradhtia është një shuplakë që s’e pret. Nëse e njeh mirë zemrën tënde, ajo s’ka për të ta hequr me shuplakë, sepse ti sapo të njohësh ëndrrat dhe dëshirat e tua, do të dish t’u bësh ballë. Askush nuk i shpëton dot zemrës. Prandaj i duhet vënë vesh mirë çfarë thotë, kështu s’ke për t’u qarë kurrë”.
(Shkëputur nga romani “Alkimisti” i Paulo Coelho )
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
BORGES: ME KOHË MËSOHET SE DASHNI S’DO ME THANË ME SHKUE N’SHTRAT…
Poezi nga Jorge Luis Borges
Me kohë mësohet edhe ai ndryshim i brishtë
midis marrjes përdore dhe prangimit shpirtnor,
mësohet se dashni s’do me thanë me shkue n’shtrat,
e shoqni s’do me thanë se je i sigurt,
dhe kështu çdonjeni prej nesh nisë me mësue…
Se puthjet s’janë kurrsesi kontrata,
as dhuratat s’janë aspak premtime,
e kushdo nis me i pranue humbjet e veta
kryenaltë e me sy t’hapun mirë, e kushdo mëson me i zbulue
ma mirë shtigjet e veta të s’përditshmes,
pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt tuj thurë andrra…
e të ardhmet kanë me e pasë formën e nji rr’zimi përgjysë.
Me kohë kushdo mëson
n’se asht e tepërt dhe ngroftësia e diellit që djeg.
Prandej, dikush e mbjell kopshtin e vet me e shndritë shpirtin,
në vend që t’presi prej ndokujt mos po i bjen lule;
dikush mëson n’se mundet me u mbajtë mbas dikujt
që vërtet asht i fortë, e n’se tjetri vlen me gjith’ mend
dhe se prej tij mund edhe të mësohet.
Dhe mësohet… përditë mësohet.
Me kohë mësohet se me ndejtë me dikë
pse t’ka ofrue nji t’ardhme ma t’mirë, domethanë herët
a vonë dishron me u kthye në të shkueme.
Me kohë kuptohet se veç kush asht i zoti me dashtë
njashtu edhe me dobësitë e veta, pa u ndryshue,
mundet me ju ofrue lumtuninë që ju dishroni.
Me kohë keni me u kujtue, se tuj i ndejtë sa ma afër
nji njeriu veç me i ba shoqni vetmisë suej,
n’mënyrë të pashmangshme, keni dashtë mos me e pa kurrë ate.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult