Colin Will: E mban mend…

s'mund ta bindesh

E mban mend atë gotën e parë
të verës Vouvray? Atë drithërimë të lehtë?
Pakëz kafshim?
Kopshti im është kështu sot, çdo gjë
e çelur plotësisht. Ka erëmim rritjeje,
teksa ngrohtësia lëshon frymë të vogla
energjie nga çdo kërcell që zgjatet.

Ne do të ecim në shtegun e ngushtë,
që ti të ndiesh format e gjetheve
dhe shkarpave në anën tjetër. Dhe pastaj
lëndina, që ngjeshet dhe shprishet nën hapat e tu.
Po asnjë dëm nuk ka; shpërthen sërish
sapo e kemi lënë nga pas.

Dëgjoje erën që çan përmes
mështeknave, duke rënkuar në tela.
Shiko si nxehtësia e diellit përbiron
kur reja vjen e shkon.
Pastaj ne do të ulemi, nën strehë
dhe do të bisedojmë.
Macja ime në prehrin tënd
ose timin do të jetë,
ndërsa do të përpiqemi
botëve tona të ndara
kuptim t’u japim.

Përktheu: Irena Dono

*Titulli i origjinalit: “Një ftesë”

LEXO EDHE: Octavio Paz: Kur fle je më e madhe se nata…