Dashnia ime je Ti… poezi nga Albana Beqiri

albana beqiri vdekja

Dashnia asht gjithçka kam:
asht fillimi i mbarë që nuk i shihet fundi,
asht andrra që përton me u zgjue
në mëngjes,
asht ma e fortë se loti i dhembjes
së nji burri
dromcë jete asht që veç lind, asnjiherë
nuk vdes
ditar i pashkruem shpresash asht,
shkruhet veç në zemër
fat asht, që ec mes dhembjes e udhën
e gjen për tek unë
jehonë e bukur lumtunie, veshve shungullon
si nji melodi e vjetër
shpërthim i bukur vullkani, me llavë dashnie
që rrjedh si lum
fëmija i palindun asht, më këndon ninulla
t’ambla si mjaltë
flutun asht, m’pshtillet barkut e m’ngjitet
n’gji
edhe mungesë që ther asht, trishtim që veten
me lot e lan
pentagram dëshirash që si ylberë të praruem
digjen në shi…

Dashnia ime je Ti!

ObserverKult

lexo edhe:

ALBANA BEQIRI: TI MË MËSOVE TË JETOJ EDHE KUR DUKET E PAMUNDUR…