
Maria Polidhouri: Dhimbje…dhimbje…
Dhimbje që dhemb. Edhe u shterën lotët,
ofshama nuk shpërthen më, nuk mjafton.
Si zog i çoroditur bredh mendimi, kotet,
rreh flatrat me furi e i thërrmon.
Gjak djers’ e agonisë. U lanë, u ngjyen
tëmthat si shegë e kuqe, ulërimë.
Farmak në deje qarkullojnë e ziejnë,
të fshehtat e një jete plot mundim.
Një rrotë e rëndë kjo vegël e torturës,
po bën xhiron e fundit krakërrimë.
Arsyeja degdisur matanë urës.
Dhe dashuria që vajton pa ngushëllim.
Shqipëroi: Arqile Garo