Një ndër shtëpitë më serioze botuese në Kosovë, pa dyshim është Shtëpia Botuese Dukagjini. Në vazhdë të intervistave me udhëheqës të shtëpive botuese shqiptare, ObserverKult ju sjell intervistën me drejtorin e kësaj Shtëpie Botuese, Blerim Muhaxhiri:
E themeluar më 14 mars të vitit 1994, në kohët e vështira për librin dhe kulturën në Kosovë, me iniciativën e një grupi krijuesish e intelektualësh dhe me përkrahjen e parezervë të Ndërmarrjes Grafike Botuese Librare të atëhershme, Shtëpia botuese “Dukagjini” për një kohë të shkurtër u promovua në njërën nga shtëpitë më të mëdha botuese jo vetëm në Kosovë e ndër shqiptarë, por edhe më gjerë. Me emrin e saj lidhen ide e ndërmarrje të guximshme botuese që u paraqitën në përurime, në panaire e në manifestime të tjera të librit në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Tetovë, Frankfurt, Gjenevë, Paris etj. Në mbështetje të aktiviteteve të saj ishte hapur edhe Libraria Ndërkombëtare në Prishtinë, e para e këtij lloji në Kosovën e pasluftës. Duke filluar me seritë “Fryma” (dijet humane) dhe “Rozafa” (letërsi) e më vonë me “Botimet e veçanta” dhe “Dukagjini Balkan Books” (në gjuhë të huaja), pak vite pas luftës, “Dukagjini” botoi literaturë të mirëfilltë dhe fundamentale për zhvillimet intelektuale të kohës, si dhe bashkëpunoi me autorët dhe profesionistët më të njohur të teksteve shkollore.
Pasi veprimtaria e Shtëpisë Botuese është e gjatë, biseda me z. Muhaxhiri është përqendruar vetëm në aktivitetin tyre gjatë vitit të fundit.
Intervistoi Zamira Rexhepaj:
Me sa libra të botuar mbylli vitin e shkuar “Dukagjini”?
Blerim Muhaxhiri: Shtëpia botuese “Dukagjini”, vetëm për këtë vit që lamë pas, numëron mbi 200 tituj, duke përfshirë edhe ribotime. Ky vit ka qenë fundamental, pasi kemi rifunksionalizuar edhe librin artistik, qoftë për të rritur, qoftë për fëmijë. Po ashtu, duke parë edhe trendet e botimeve të librave në botë, kemi nisur edhe botimin e librave që i përkasin kategorisë së parapsikologjisë.
Në cilat zhanre ka qenë fokusi juaj?
Blerim Muhaxhiri: Për ta ruajtur prestigjin e shtëpisë botuese “Dukagjini”, që më parë është njohur për kolanat “Fryma”, “Rozafa”, “Balkan Books” dhe për ta mbajtur nivelin e lexuesve në rrafshin e letërsisë së mirëfilltë, vëmendjen e kemi përqendruar në librat e autorëve të mirënjohur, për fëmijë dhe për të rritur. Prandaj, vitin e kaluar kemi nisur një kolanë të re, të quajtur “Anima”, që konsiston në botimin e zhanrit të romanit, si zhanër dominues dhe më i preferuar nga lexuesi. Ndërsa për fëmijë kemi nisur serinë e lektyrave shkollore, nga e cila është finalizuar botimi i lektyrave për klasën e parë dhe të dytë.
A janë pikërisht këto zhanre të cilat lexohen më së shumti?
Blerim Muhaxhiri: Nëse u referohemi zhanreve letrare, atëherë, siç e cekëm më lart, zhanri më i parapëlqyer nga lexuesit është romani. Por ka edhe lexues që preferojnë librat biografikë, parapsikologjikë etj.
Cilët libra lexohen më shumë, vendorë apo të huaj?
Blerim Muhaxhiri: Dominojnë librat e huaj të përkthyer në gjuhën shqipe.
Sa mendoni se shiten librat në Kosovë?
Blerim Muhaxhiri: Hipotetikisht, çdo botues apo librar do të dëshironte gjithnjë një numër më të madh lexuesish, por, pavarësisht kësaj, ka shitje.
A mund të bëni një klasifikim të lexuesve, kush blen më shumë sipas jush?
Blerim Muhaxhiri: Besoj që në çdo etapë kanë prevaluar lexuesit fëmijë, por nëse e marrim një të përgjithshme të lexuesve dhe e konvertojmë në moshë, atëherë, do të ishte: 8-30 vjeç.
A është çmimi i librit i pranueshëm për buxhetin e një të riu?
Blerim Muhaxhiri: Parimisht mund të themi se po, por do të ishte më mirë sikur të hiqej TVSh-ja prej 8% që rëndon mbi librin.
Sa shpërndahen librat në biblioteka, që të mund t’i gjejnë ata që nuk mund t’i blejnë?
Blerim Muhaxhiri: Në momentin që një libër pajiset me ISBN, automatikisht katalogohet në BKUK dhe për rrjedhojë dorëzohen disa kopje. Mënyrë tjetër për t’i dërguar nëpër biblioteka të komunave të ndryshme, është përmes blerjeve vjetore që bën MKRS-ja, përmes konkursit që shpall ky institucion një herë në vit, por këtë mund ta bëjnë edhe komunat vetë me agjendat e tyre kulturore.
Sa financoheni institucionalisht në botimin e librave?
Blerim Muhaxhiri: Siç u përmend edhe më lart, viti i kaluar ka qenë një vit plot me botime dhe risi për shtëpinë tonë botuese. Këto botime kanë qenë vetëfinancim. Megjithatë, kemi hartuar edhe projekte për financim, për disa prej të cilave po presim përgjigje në këtë fillimvit. Një përkrahje e vogël është bërë nga Instituti Italian i Kulturës (Shqipëri), dhe, në këtë mënyrë, për herë të parë, një shtëpi botuese nga Kosova bëhet fituese e këtij projekti.
A keni përkrahje tjetër në mënyrë që ta rrisni produksionin letrar?
Blerim Muhaxhiri: Ky vit, me aplikimet që kemi bërë dhe do të bëjmë, do ta dëshmojë nëse do të kemi përkrahje tjetër.
Cilat janë mangësitë e tjera institucionale që pamundësojnë rritjen e produksionit letrar?
Blerim Muhaxhiri: Institucionet e Kosovës, edhe kur financojnë, kanë një buxhet tepër të vogël për botimin e librave letrarë. Kur përkrahja institucionale të jetë më e madhe për botuesit, atëherë edhe botuesit do të mund të mbajnë një standard në botime.
A kemi librari të mjaftueshme?
Blerim Muhaxhiri: Dukagjini, siç është tashmë e ditur, ka librarinë më të madhe në vend, por ky nuk është vendi i vetëm ku shiten librat tanë, pasi ne, si botues, bashkëpunojmë edhe me libraritë e tjera në vend dhe rajon. Një mënyrë tjetër e shitjes së librave tanë, është përmes promovimeve, por, duke qenë veç nismë individuale e shtëpisë botuese “Dukagjini”, nuk është e mundur të organizohet promovim për çdo libër.
A keni kaluar te shitja online?
Blerim Muhaxhiri: Po. Shitja online e librave, një traditë tashmë e njohur prej shumë vjetësh në botë, dy viteve të fundit është bërë më se e pranishme edhe në Kosovë. Edhe pse nisi në një periudhë kur e gjithë bota përjetoi një lockdown total, ajo vazhdon me ritme të kënaqshme edhe sot, pasi nënkupton kursim të kohës për blerjen e librave nga lexuesit.
Dhe për fund, a mendoni se jemi një popull që lexon?
Blerim Muhaxhiri: Ky është debati më i madh që e përndjek shoqërinë në etapa të ndryshme të zhvillimit të saj. Por shoqëria ndryshon dhe, bashkë me të, ndryshojnë edhe mjetet e komunikimit e, për rrjedhojë, edhe prioritetet e saj. Sigurisht, nëse e krahasojmë leximin – dhe këtu u referohem Kosovës dhe Shqipërisë – e tridhjetë viteve më parë, me atë të ditëve të sotme, do të thoshim se numri i kopjeve në të cilat botohet një libër sot, është deficitar ndaj numrit të kopjeve që botoheshin në atë kohë, por, gjithsesi, lexues ka, dhe këtë e dëshmon botimi, përkthimi i librave dhe ekzistenca e librarive. Sigurisht, do të ishte mirë që botuesit dhe politikat kulturore institucionale të ndihmonin më shumë në stimulimin e leximit.
ObserverKult