Kur vdes nana, vdes edhe mëngjesi i parë i ditës pa të,
vdes edhe dëshira për të pasur “o krejt o hiq”.
Kur vdes nana, vdes rahmeti* i duarve te njerëzimit,
vdesin pyetjet e shpeshta “çka po t`hahet nesër, me t`bo nana”
Kur vdes nana, vdes edhe kulmi mbi kokë,
vdesin kujtimet e varura në secilin mur të shtëpise, themeli i shtëpise bashkë me ta.
Kur vdes nana, vdes edhe secila festë që fillon qysh në mëngjes,
vdesin arsyjet që e bashkojnë merhametin* e dashninë në një vend.
Kur vdes nana, vdes edhe era e vërtetë e secilës stinë,
mbi të gjitha vdes liria e brendshme që ta jep pranvera dhe vera.
Kur vdes nana, vdes edhe sekreti i fundit të cilin e ke mbajt me vite pa ia tregu askujt.
Atë ditë, vdes haberdari* i shpresës që e shuante çdo brengë me fjalët “bëhet mirë, kismet”.
Kur vdes nana, vdes edhe rinia dhe fëmijëria jote në të njejtën ditë.
Kur vdes nana, vdes ushqimi i fundit në frigorifer që gjindej aty “për çdo rast”.
Kur vdes nana, vdesin arsyjet, pyetjet, pritjet, dëshirat, ëndërrat, përgjigjet e gjithçka me ta.
Kur vdes nana, vdes gjithçka…
[1] mëshira
[2] mirësinë
[3] lajmëtari
ObserverKult
Lexo edhe: