Sergej Esenin: Ti nga ëndrrat përgjithnjë m’u zhduke

lutja e nje nene, poezi nga esenin

Më s’do endem panxharëve të kuq
s’do shkel gjethet, s’do lyp të gjej gjurmë,
ti nga ëndrrat përgjithnjë m’u zhduke,
me ato flokë të arta si grurë.

Ishe e ëmbël, të manave ngjyrë,
kish lëkura jote aq e butë,
ishe porsi muzg i trëndafiltë,
si dëbora që ndrit nëpër rrugë.

Ata sy porsi rrush i zi
tash janë fishkur, emri yt është shuar.
Shallin veç s’e humbet kurrësesi
atë aroma mjalti të duarve.

Në orën kur agimi mbi çati
vjen të lahet pa zhurmë si maçok
unë e ndjej tek flasin me ëmbëlsi
kallamishtet për ty me erën tok.

Le të murmurisë mbrëmja e bruzët,
këngë a ëndërr të thotë se ishe ti!
Kush krijoi atë trup e ato buzë
duke i prekur zbuloi një fshehtësi.

Më s’do endem panxharëve të kuq,
s’do shkel gjethet s’do lyp të gjej gjurmë.
Ti nga ëndrrat përgjithnjë m’u zhduke,
me ato flokë të arta si grurë.

Përktheu: Klara Kodra