Enkeleda Ristani: Monologu i një martese të zakontë

gyter enkeleda ristani

Poezi nga Enkeleda Ristani

…pastaj, ai bëhet i përhershëm
gjithmonë aty
çdo gërvëlimë frymëmarrje bëhet e padurueshme
nuk dihet më sa i bukur është
sepse kjo nuk ka më rëndësi
asnjë nuk e njeh sa ty, si ty
tiparet flenë në dikurin e epërm
si epikë e maleve të bojatisura në mjegull
çudi sesi të tjerët thonë se është djalë i pashëm
ai të merr frymën
nuk të sheh më kurrë në sy kur flet
hesht kur ti i çan dërrasat gjithmonë me të njëjtin intensitet
(zot i madh! si nuk u lodh)
mendon me vete
çfarë mendon?! ai s’mendon kurrë
ose dhe nëse mendon e bën larg që këtu
jashtë prej këtu
s’e gëzon më kurrë shiu
kërkon të shkojmë në plazh të gjithë bashkë
(sa më pak kohë pranë meje)
mund ta zëri edhe gjumi me pretekstin se është lodhur në punë
kurse unë kam në kokë skenën kur ai zgjat krahun
dhe nuk më gjen në shtrat
kam marr një gotë dhe pi me hurba të vogla pas perdes
sytë i kam me lot
kokën me mendime të mbrapshta…
më shkoi skena dëm
ai vazhdon të flejë me të njëjtin buton që e vuri në gjumë
sapo vuri kokën në jastëk
është i lodhur
unë jo
shtëpia është e lodhshme
edhe kjo dhomë
edhe ky shtrat
shkoi gjatë përgjithmoni që pata menduar
pastaj unë duhet të jem një shtrigë bythçarëse
që kontrolloj secilën nga mimikat e tij të ndryshuara
të gjitha premtimet e tij të shkuara i mbaj një dorë para zjarrit
vetëm kur t’i flakë do të çlirohem
por akoma s’jam gati
ai duhet të paguaj gënjeshtrat e bukura që ndërtova për martesën
për pritjen time tek dera kur të vinte nga puna
për shtëpinë e pastër e të ngrohtë
parajsën që do ta gëzonte sa të shkelte në të
rrotullimin në krahët e tij të trupit tim të brishtë
ai që ha i uritur
unë që e shoh e ngazëllyer
sytë e tij që më shohin me dashuri midis dy lugëve të shijshme
pastaj fëmijët
krahët e tyre të vegjël
fjalët e tyre të përgjysma që na shkrijnë lumturie
ah, ky zjarr që s’do të digjet sonte
u mbyta në gjumin e tij me gerrhima të hirta
t’ia lëviz kokën me dhimbsurinë e nënës
mos e vret kjo gerrhimë
atë s’duhet ta vras asgjë
zjarr i mallkuar
vetëm sytë e largët më kanë mbetur tek ai
nuk më duket më i bukur
nuk paskam më frikë se mos ma merr njeri
(apo kam ende?)
ai hesht edhe në gjumë njësoj si të ishte zgjuar
ç’të bëj tani?
pas kaq shumë kohësh
nuk di më as të sillem si grua me jetë të ndryshme nga kjo
më paska lidhur bukur
duhet t’ia heq fjongon vetes
në një moment pa mendje duhet të ndodh
ndryshe do të më kujtohet fytyra e tij e bukur
fjalët e tij të dikurshme
premtimet
këto premtimet që mbaj në duar mbi zjarrin që po fiket

ranë në zjarr
e u dogjën në hi…

ObserverKult


Lexo edhe:

ENKELEDA RISTANI: AI MË LA PËR…