Ju ftojmë të lexoni poezinë “Të dua është një klithmë e nevojshme” të poetes, Enkeleda Ristani.
të dua është një klithmë e nevojshme
ndërsa do të zbulosh ekzistencën
është si zëri i lojërave të natës, thua ti
kurse unë mbyll sytë e pëshpërisë
për të njëmijtën herë
fjalën e vogël
kam ndrynur gjakun në kapilarët e tu
dhe deri sa të më çelësh portat
do të jem e huaj për veten
të dua është një ofshamë ngjethëse
lumë që zbulon burimin papritmas
e s’di ku të derdhet
kurse deti je ti
një det i heshtur me dallgë të rastësishme
erërat e kanë shtëpinë nën ujëra të kripura
ndaj kur më prekin lëkurën
shpërthej në lotin e duarve të tua
të dua është një puthje e mbërthyer
midis buzëve të tua të largëta
kryqi im,
marrëzia e ngrohtë
që më bën më budalleqen e grave
ndërsa jam pritja jote më e bukur…
ObserverKult
Lexo edhe:
ENKELEDA RISTANI: MONOLOGU I NJË MARTESE TË ZAKONTË
…pastaj, ai bëhet i përhershëm
gjithmonë aty
çdo gërvëlimë frymëmarrje bëhet e padurueshme
nuk dihet më sa i bukur është
sepse kjo nuk ka më rëndësi
asnjë nuk e njeh sa ty, si ty
tiparet flenë në dikurin e epërm
si epikë e maleve të bojatisura në mjegull
çudi sesi të tjerët thonë se është djalë i pashëm
ai të merr frymën
nuk të sheh më kurrë në sy kur flet
hesht kur ti i çan dërrasat gjithmonë me të njëjtin intensitet
(zot i madh! si nuk u lodh)
mendon me vete
çfarë mendon?! ai s’mendon kurrë
ose dhe nëse mendon e bën larg që këtu
jashtë prej këtu
Poezinë e plotë e gjeni KETU
ObserverKult