
Nga Erlind Sulko
Sa më i zhvilluar të jetë qytetërimi, sa më të ndërlikuara të jenë normat shoqërore të sjelljes, aq edhe më i shtirur dhe i pispillosur është njeriu. Por, në kundërshtim me këto veshje të shumëllojshme, me këto kollare që të mbysin, me këto këpucë që të vrasin, me këto fustane që të ngjeshin, dashuria e zhvesh njeriun. Për të tjerët nuk do e bëje, por për dashurinë e bën: heq turpin, mbathjet edhe sytienat. Sado të hijshme të jenë dantellat, ato janë veç një joshje drejt lakuriqësisë fillestare, drejt prekjes së drejtpërdrejtë të trupit me trupin, drejt qenies së kulluar. Dashuria e zhvesh njeriun në kuptimin tërësor të fjalës: e zbulon trupin dhe shpirtin.
Dashuria zbulon trupin: para aktit dashuror, hidhen tej armët, zgjidhen këpucët, zbërthehet këmisha, hiqen pantallonat. Pak nga pak dashuria e zhvesh njeriun derisa ai mbërrin te thelbi i vetvetes: te lakuriqësia fillestare. Nuk është aspak çudi që njeriu para mëkatit fillestar ishte i zhveshur, pasi bota para mëkatit ishte një dashuri e pakohë. Me ardhjen e mëkatit erdhi koha, ndërgjegja, turpi, veshjet, urrejtja, lakmia dhe vrasja.
Dashuria e kthen trupin te trupi dhe jetën sërish te jeta: e zhvesh njeriun nga veshjet e përkohshme dhe shtirjet, dhe ngul atë te prekja e ëmbël e trupit, te ngjizja e përjetësisë. Bota dhe vdekja të ngasin tërthorazi, por dashuria të prek e të ngjeth drejtpërdrejtë: ti je ballë për ballë tjetrit, në pakohësinë e atij çasti të amshuar.
Dashuria e zhvesh njeriun nga vetja: ti përhumbesh krejtësisht. Nuk përhumbesh te tjetri, pasi edhe tjetri është i përhumbur te ti. Por në atë çast, në atë prekje të trupit me trupin, koha çahet si një fik i pjekur. Dhe ti kënaqesh me përjetësinë e pranisë së kulluar. Nuk e di se ku je, dhe gjithësia lëviz kur ti lëviz dorën. E kaluara dhe e ardhmja bashkohen në prekjen e lakuriqtë të trupit. Dashuria lidh kohën dhe njeriun me qenien e kulluar, me praninë e amshuar.
Dashuria e zhvesh shpirtin, po, po: e zhvesh atë nga dituria, nga ndarjet etnike dhe fisnore. Dashuria e njëmendtë zhduk ndarjet konceptuale: kur ti je përballë tjetrit, ti je përballë vetvetes. Nuk ka më rëndësi se çfarë mendimi ka tjetri për taksimin progresiv apo për kritikën e Humit ndaj arsyetimit induktiv. Ti je zhytur te tjetri si drejt detit. Rëndësi ka prania e kulluar, jo përsiatjet dhe pyetjet. Prandaj dhe Shën Pali me të drejtë shkruan se kush pagëzohet dhe hyn në mbretërinë e dashurisë, për ta: “Nuk ka më jude a helen, nuk ka më skllav a të lirë, nuk ka më mashkull a femër, sepse të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezu” (Galatasve 3:28). Të bashkuar në një: kjo është fuqia hyjnore e dashurisë. Atë që dija e ndan, dashuria e bashkon.
Shpesh dashuria për njeriun dhe dashuria për Hyun shfaqen si të kundërta. Dashuria e trupit shfaqet si dashuria e turpit: një kënaqësi e përkoshme, një dashuri vetjake për t’u shijuar vetëm në fshehtësi. Ndërkohë, dashuria e shpirtit si një virtyt krenar dhe publik, si një ideal shoqëror për t’u ndjekur. Por ky përfaqësim ballafaques që e shfaq dashurinë trupore si një fshehtësi të turpshme, në kundërshti të plotë me dashurinë shpirtërore, është menjëmend një nga tundimet më të ndyra të qytetërimit. Pasi një qytetërim që fut dashurinë e trupit në luftë me dashurinë e shpirtit, pjell një jetim skizofren: njerëz që përherë ndihen të huaj brenda vetes.
Dashuria e trupit, si një kafe mëngjesi, të josh me erëmimin e ëmbël drejt dashurisë shpirtërore. Sepse, siç shkruan edhe poeti i madh amerikan, Uitman, në poezinë e tij të mirënjohur “Këndoj trupin drithërues”: dhe nëse trupi s’është shpirti, ç’është shpirti? Përgjigja nuk jepet, pasi përgjigjen e dimë thellë brenda vetes: shpirti pa trupin është një trajtë e zgavërt, një hiçgjë e madhe. Por, po ashtu, edhe trupi pa shpirtin është përmbajtje e rrëmujshme, dëshirë pa qëllim, ecje pa fund: nuk mund të thuash as edhe një përmbajtje, një dëshirë, një ecje, pasi është pikërisht shpirti që e bashkon trupin në një. Me këtë dua të them që dashuria trupore dhe dashuria shpirtërore janë të pandashme nga njëra-tjetra, pasi, siç i mëshon edhe Shën Toma Akuini, shpirti është thjesht trajta e trupit. Në këtë kuptim, dashuria shpirtërore është një pasqyrim i thelluar i dashurisë fizike: siç trupi zhvishet nga rrobat dhe armët para dashurisë së tjetrit, ashtu edhe shpirti zhvishet nga mendimet dhe arsyetimet para dashurisë së Hyut.
Dashuria bashkon dhimbjen dhe kënaqësinë. Nuk është aspak çudi që, si akti dashuror, ashtu edhe lindja lidhin vuajtjen me ngazëllimin, dhimbjen me këndelljen, pasi asgjë e re nuk mund të lindë po nuk vdiq diçka e vjetër. Kështu është shkruar para se të lindte e reja: “Ne e dimë se deri tani gjithçka e krijuar rënkon dhe vuan bashkë me ne si një grua në dhimbjet e lindjes…”. Aty ku mbretëron mospërfillja, aty do të lulëzojë vdekja. Por aty ku ka kryqëzime dhe dhimbje, aty do të çelë dashuria.
ObserverKult
Lexo edhe:





